Kritika e mirë dhe letërsia shqipe

Pa të vërtetën dhe moralin a mund të egzistojë Letërsia e madhe ?!

IVKritika e mirë dhe letërsia shqipe.

“ Cilat janë kërkesat për një kritik të mirë dhe a ka të tillë letërsia shqipe, për letërsinë e trashëgimisë dhe për bashkëkohoren ? ” – Ndue Ukaj

Ndue Ukaj

Pishtinë, 29 Tetor 2015

Tash, shtrohet pyetja tjetër, mjaft sfiduese: cilat janë kërkesat për një kritik të mirë dhe a ka të tillë letërsia shqipe, për letërsinë e trashëgimisë dhe për bashkëkohoren?

Dhe për fund, po e zbresim debatin në rrafshin tonë letrar dhe të përsiasim për këto tema, në të cilat s’jemi sa duhet të rryer. Dihet, mendimi letrar shqiptar është relativisht i vonshëm dhe si i tillë, s’ka ndonjë traditë të pasur. Ndaj, letërsisë shqipe, të shumtën e herëve i kanë munguar lexuesit e kultivuar, ata të cilët është dashur ta shkruajnë pjesën që u takon. Për pasojë, rendi i vlerave letrare është ngritur e përmbysur më shumë sipas kërkesave të kohës sesa nga përvoje letrare. Njëherë, duhej afirmuar letërsia me prirje misionarike e programore, ndaj edhe fokusi i mendimit kulturor ishte në këtë drejtim, mirëpo, në shumësinë e vlerësimeve të tilla, ka munguar përqasja artistike për veprën dhe kontekstin e saj. Kështu, kemi përjetuar dhe lexuar vlerësime skematike me nuanca të dominuara ideologjike, glorifikuese ose mohuese dhe pak vlerësime mbi premisa të qarta teorike e kritike. Për pasojë, në taborin e shkrimtarëve të pavlerësuar estetikisht, janë burgosur shumë autorë, vetëm pse predimensionimi i kritikës letrare, ka shkuar në disfavor të tyre.

E njeh apo s’e njeh letërsia shqipe leximin me përgjegjësi, çështja kërkon analiza e stërhollime. Gjer më tani, përgjegjësia zakonisht iu është kërkuar më shumë shkrimtarëve, mirëpo kritiku, lexuesi, është privuar nga kjo përgjegjësi. Është koha që edhe ai të lexojë me përgjegjësi, të ndihmojë që të shkruhet pjesa që i takon.

Ka kohë që theksohet nevoja për rivlerësimin e tërësishëm të korpusit të letërsisë shqipe. E një gjë e tillë mund të bëhet, vetëm atëherë kur të mbërrijmë të lexojmë me përgjegjësi etike dhe profesionale. Deri atëherë, lexuesit e kënaqësive, duhet të hulumtojnë letërsinë pa ndjekur instruksionet navigatorëve që mund t’i shpien te libri i gabuar.

 

Kapitulli I : Fuqia e letërsisë

Kapitulli II : Çfarë domethënë të lexosh me përgjegjësi ?

Kapitulli III : Lexuesi i kënaqësive dhe ai i specializuari ?