Lexuesi i kënaqësive dhe ai i specializuari

Pa të vërtetën dhe moralin a mund të ekzistojë Letërsia e madhe ?!

III. Lexuesi i kënaqësive dhe ai i specializuari.

“Dijetarë të letërsisë, thonë se mendimi për tekstin mund të ndryshojë, madje edhe nga vetë autori” – E. D. Hirsch

Ndue Ukaj

Prishtinë, 28 Tetor 2015

Përveç leximit me qëllime të caktuara, që bëjnë kritikët dhe studiuesit e letërsisë, ekziston edhe kategoria tjetër e lexuesve, e atyre që lexojnë për kënaqësi dhe sipas mendimit tim, ky lexim gjithandej në botë, është më i popullarizuar. Janë mijëra lexues që kalojnë net të tëra në vetmi dhe udhëtojnë në imagjinatën e “Komedisë Hyjnore”, “Faustit”, “Hamletit”, “Krimit dhe dënimit”, “Ana Kareninës”, “Procesit”, “Pallatit të ëndrrave” dhe të dhjetëra kryeveprave të mëdha të letërsisë së përbotshme, me të cilat vepra argëtohen, kënaqen dhe prej të cilave përvetësojnë kënaqësi estetike, dije e kulturë. Kjo kategori lexuesish lexon për t’u argëtuar, për të marrë informacion e dituri. Njësoj nuk vepron kategoria e tjetër e atyre që lexojnë me një qëllim të përtejmë: për të shkruar; lexues këta të cilët gjithashtu përfitojnë nga vepra letrare të njëjtat frute, por që synojnë të krijojnë edhe realitete kulturore në një mjedis të caktuar.

Po e përsërisim: përgjegjësia e shkrimtari, në raport me veprën e tij, është e vetëkuptueshme. Ai është nën observim të vazhdueshëm të opsionit kulturor e letrar. Mirëpo, një gjë e tillë, nuk shtrohet kaq ashpër, ndaj atyre që krijojnë mendime për shkrimtarët, sepse ata kanë një liri të pakufishme me të cilën e gjykojnë një vepër letrare; lirinë e interpretimeve, siç thotë Umberto Eco. Dijetarë të letërsisë, thonë se mendimi për tekstin mund të ndryshojë, madje edhe nga vetë autori (E. D. Hirsch). Nga pikëpamja historike, ndryshimi ndodh nga epoka në epokë, mirëpo ai ndodh edhe nga perspektiva e leximeve psikologjike; nga leximi në lexim, mendim të cilin e pohonte edhe Borgesi kur fliste për përvojat e tij të leximit. Kjo të çon ka mendimi se letërsia është e amshueshme, ndërkaq mendimi për të- kritika- mund të jenë e gabuara, ndaj kërkohet vazhdimisht korrigjime, nëpërmjet leximeve dhe rilexime të reja.

 

Qëndroni me ne për “Kapitullin” e IV dhe të fundit të eses : Kritika e mirë dhe letërsia shqipe.

 

Kapitulli I : Fuqia e letërsisë

 

Kapitulli II : Çfarë domethënë të lexosh me përgjegjësi ?