Pa të vërtetën dhe moralin – Letërsi e madhe?!

“Nuk ka letërsi të madhe pa të vërtetën dhe moralin.” Franz Kafka

Fuqia e letërsisë I 

Për të kuptuar çfarë domethënë të lexosh me përgjegjësi.

Ndue Ukaj

Suedi, October, 26, 2015

“[…]nuk ka letërsi të madhe pa të vërtetën dhe moralin.” Franz Kafka

Letërsia, gjithnjë shtron pyetje, dilema, sepse natyra e saj shpirtërore është e tillë, e papërcaktuar; kalon përtej dogmave, doktrinave, sistemeve të ngurta, dhe në mënyrë konstante vazhdon të bëjë jetën autonome brenda shoqërisë njerëzore. Fuqia e saj është e pamatshme, ndaj s’ka arritur asnjë diktaturë, ideologji a pushtet që ta kontrollojë plotësisht, përkundër tendencave të tilla që ka pasur përgjatë historisë. Me fuqinë e epërme, shpirtërore, letërsia ka triumfuar përballë diktaturave më mizore, sepse është produkt i shpirtit, do të pohonte Georg Vilhelm Friedrich Hegeli. Pa dyshim, letërsia mbetet një nga format më të larta të komunikimit njerëzor dhe si veprimtari shpirtërore, vazhdon të ushtrojë ndikim të përhershëm në formimin e identiteteve të caktuara të individëve dhe bashkësive dhe gjatë historisë ka luajtur rol ta pamatshëm në emancipimin e njerëzimit. Ajo, me të drejt, vlerësohet të jetë ndërgjegjja më e emancipuar e njerëzimit, ndaj të shkruarit me përgjegjësi të lartë artistike, etike e intelektuale, është një kërkesë e përhershme që shoqëria ia vë shkrimtarit, që nga antika e këndej. Në këtë aspekt, është proverbial mendimi i Platonit për shkrimtarët. E shkrimtari i jashtëzakonshëm, Franc Kafka në përkim me këtë, thoshte se nuk ka letërsi të madhe pa të vërtetën dhe moralin. Në këtë kontekst, mund të pohojmë se letërsia e mirë, gjithmonë i kërkon të vërtetat e vjetra; të vërtetat e amshueshme, të përhershme e të tejkohshme, ato të vërteta që priren nga universalja. Në këtë sens, shkrimtari William Faulkner, këshillon për një letërsi të bazuar te dashuria, nderi, dhembshuria, krenaria, mëshira, sakrifica, te vuajta, te dramat jetësore, etj.

Sa rrekemi të përsiasim për këto tema – gjithsesi komplekse – futemi nëpër labirinte të komplikuara dhe na dalin përpara një sërë dilemash e pyetjesh: Ç’është ajo që i jep vlerë specifike një poezi apo romani? Pse përjetimi i një vepre, është më i mirë se i një tjetre? Ç’është vlera? Pse parapëlqejmë të lexojmë për njerëz e gjera që s’i njohim, për ndodhi e tregime që paraprakisht e dimë se objektivisht janë të pavërteta? E në fakt, kjo është ajo çfarë e diferencon letërsinë nga komunikime tjera dhe mu këtu qëndron fuqia e magjia e saj.

Dihet, letërsia, s’ka ndonjë funksion praktik në jetën e njeriut, e kërkon gjithmonë të pamundshëm, shpeshherë anën e errët të qenies njerëzore, realitetin e transfiguron në iluzion dhe iluzionin në realitet letrar; me një gjuhë joshëse, tërheqëse, magjepsëse, tunduese. Duke shtruar gjithmonë pyetje të tilla, përherë ka kërkuar e provuar të jep përgjigje për relacionin që krijon ajo me shoqërinë, individin dhe politikën; me të cilën zakonisht është gjendur në konflikt. Në këtë mes, një rol ndërmjetësi, siç e kishte parapa qysh në antikë Aristoteli – luan kritiku – lexuesi i letërsisë, ai që e riprodhon veprën letrare ne një formë tjetër, kur përsiat apo shkruan për të.

Kthehuni shpejt për vazhdimin e ”pjesës së dytë” të eses: çfarë domethënë të lexosh me përgjegjësi?