« Dhembja e Rrënojave» nga Claude Arnaud botohet nga Buzuku, Prishtinë

Claude Arnaud ndjen herët një ngjashmëri mes asaj që mund të ishte një Korsikë e pamvarur dhe Shqipërisë së viteve 80. « Vendi i shqiponjave, mes maleve dhe detit dukej si një prej imazheve të mundëshme të asaj që mund të bëhej një Korsikë e pavarur – një prej fraksioneve të Frontit të çlirimit kombëtar të Korsikës ishte hapur pro shqiptar… », siç thotë ai.

Në Shqipëri ai ka vendosur edhe ngjarjet e romanit të tij « Kamaleoni » (Caméléon, Grasset, 1994). Ky roman i vlerësuar me Çmimin Femina 1995 për romanin e parë është edhe libri i parë i Claude Arnaud i përkthyer në shqip.

Version Française

Klara Buda

Paris, më 1, 06. 2022

Introduction për botimin shqip të rrëfenjës “Dhimbja e rrënojave nga Shtëpia botuese Buzuku, Prishtinë, Kosovë,  përkthyer nga Mehdi Halimi.

Rrëfenja “Dhembja e rrënojave”, që keni në dorë, është një udhëtim verbues në zemër të mistereve të Korsikës. Duke filluar nga malet, vegjetacioni e duke pasuar me klanet e deri tek vendeta, atmosfera dhe peisazhi i ishullit të kujtojnë aq shumë Shqipërinë, sa që do të kënaqnin edhe më të guximshmit, ata që edhe Napoleonin e shpallin shqiptar !

Një udhëtim në kërkim të identitetit përbërë nga një seri vajtje-ardhjesh midis dy ishujve, pasi në mentalitetin francez edhe Parisi (ile-de-France) konsiderohet gjithashtu një  ishull.

Korsika e « Dhembjes së rrënojave» është Korsika, e kujtimeve dhe e ëndrrave, është vendi i fëmijërisë, dhe i kohës së bukur të pushimeve verore. Është aroma e fiqve të pjekur dhe “parfumi” i paimitueshëm i kaçubeve, malet e thepisura prej graniti të kuq dhe e blerta qetsuese e ullishteve. Por mbi të gjitha është ndriçimi, drita e peizazhit që bën kontrast me grinë e Parisit toksik, Paris-la-toxique. Ky peizazh i jashtëzakonshëm është në një farë mënyre personazhi kryesor i librit.

A keni menduar ndonjëherë në çfarë ‘qenie’ do të transformoheshit nëse qendroni të lidhur ngushtë me vendin tuaj të origjinës ndërkohë që jeta ju ka hedhur diku gjetkë ?

Cili është identiteti juaj i ri ? Duke lexuar « Dhimbjen e rrënojave » do të keni një ide më të qartë.

« La quête identitaire » është një temë e dashur për Claude Arnaud. Ai i ka kushtuar asaj një pjesë të mirë të veprës së tij ku mund të permendim librin e kujtimeve « Ç’i bëre vëllezërit e tu » (Qu’as-tu fait de tes frères, Grasset, 2010, çmimi Jean-Jacques-Rousseau 2011), dhe esen « Stinë e shkurtër në Parajsë » (Brèves Saison au Paradis, Grasset, 2012). Që në 2006 tashmë në librin « Kush thotë unë brenda nesh ? » (Qui dit je en nous ? Grasset) ai pohonte se « l’identité ne s’hérite plus, elle s’acquiert en bricolant » identiteti nuk trashegohet por ndërtohet, një cope këtu, një copë atje. Rrëfenja e fundit, « Dhimbja e Rrënojave », e çon atë në zbulimin e një identiteti hibrid të dy ekzistencave të ndryshme që bashkëjetojnë në të.

Për të përkufizuar përkatësinë e tij korsikane, Claude Arnaud nuk përdor konceptin e rrënjës, që dominon mendimin filozofik perëndimor mbi origjinën dhe as atë të rizomit ( rrënjët ajrore në vendin e imigrimit). Ai flet për “rrënjë të lëngshme, ujore ” sepse për të Korsika nuk është vetëm toka e mëmëdheut* por edhe deti i mrekullueshëm që e rrethon atë.

Vajtje ardhjet Paris – Korsikë, ekspozimi i përhershëm i fëmijës ndaj këtij kontrasti do të ketë një efekt përcaktues në psikikën e adultit të ardhshëm dhe do të krijojë një varësi të fortë, që do të kushtëzojë dëshirat e individit të ritur.

Siç e dimë tanimë, intensiteti i dritës rregullon gjendjen shpirtërore dhe energjinë, dhe përmes hipotalamusit vepron në sistemin endokrinal. Ndikimi i dritës, i relievit dhe i faunës është shumë i fortë tek fëmijët e vegjël në moshën kur ende nuk mund të flasin për të shprehur me fjalë atë që ndjejnë. Psiqika e tyre është kështu nën ndikimin e madh të aromave, ngjyrave dhe imazheve të cilat dominojnë fjalën, që do të vijë në egzistencën e tyre, vetëm më vonë. Kështu në këtë fazë të herëshme të jetës, ata i magazinojnë kujtimet përmes ndjesive primare si format, ngjyrat dhe aromat. Kështu aroma e paimitueshme e kaçubeve është një « kokaïne e vërtetë » për narinat (nuhatjen). Këto shfaqen si një përzierje dëshire dhe varësie me të cilën i rrituri kërkon në mënyrë të pavetdijëshme të përmbushet. Është pikërisht kjo periudhë e fëmijërisë që ka ndikuar që Claude Arnaud të bëhet adhurues dhe troubadour i shkëlqimit të ishullit mesdhetar.

Autori gjurmon historinë e ishullit përmes asaj të familjes së tij, Zuccarellët, që luajnë një rol të rëndësishëm politik në ishull. Gjatë leximit ne djekim rrugëtimin e fëmijës : në mbrëmje Clodioni ecën nëpër shkurret, një llambë elektrike në dorë për të ushqyer derrat e një stallëze në qiell të hapur pranë shtëpisë së gjyshërve. Riciklim natyrisht, por edhe vazhdim i kujdesit të kryebashkiakut (daja i madh) për bashkë fshatarët e tij votues potencialë.

Claude Arnaud ri-viziton të vdekurit dhe të gjallët, evokon të kaluarën dhe të tashmen, ku një lojë pokeri kthehet ne sherr dhe një trup pa kokë përfundon në stallë të derrave. Është i njejti grup ‘commando’ që pas nje lojë me letra vret një ‘restaurateur’ në Corte dhe që vë bombën në shtëpinë e familjes në Santa-Lucia di Mercurio, ku i pritet koka të vrarit. Duke u ndalur në këtë akt të pakuptueshëm, të paemërt dhe në privimin e viktimës nga varri, autori zbulon anën e tij Antigone, dëshmi e pjesës së feminitetit të pranishme tek ai (një hibriditet i një natyre tjetër këtë herë).

Claude Arnaud ndjen herët një ngjashmëri mes asaj që mund të ishte një Korsikë e pamvarur dhe Shqipërisë së viteve 80-të. « Vendi i shqiponjave, mes maleve dhe detit dukej si një prej imazheve të mundëshme të asaj që mund të bëhej një Korsikë e pavarur – një prej fraksioneve të Frontit të çlirimit kombëtar të Korsikës ishte hapur pro shqiptar… », siç thotë autori.

Në Shqipëri ai ka vendosur edhe ngjarjet e romanit të tij « Kamaleoni » (Caméléon, Grasset, 1994). Ky roman i vlerësuar me Çmimin Femina 1995 për romanin e parë është edhe libri i parë i Claude Arnaud i përkthyer në shqip.

Në tangon e vajtje-ardhjeve të Dhembjes së Rrënojave, e gjej shumë shpesh vetveten. Nëse edhe ju e keni lënë vendlindjen tuaj, është e vështirë të mos ta gjeni veten në këtë rrëfenjë në kërkim të identitetit të Claude Arnaud. Mendoj se çdo imigrant e ndjen këtë, pasi pa dashur, ai është kthyer në hibrid, dhe kjo i jep rrëfenjës një dimension universal.

Claude Arnaud analizon në thellësi edhe jetën politike të ishullit, të cilën ai e shikon nga brendësia, por edhe përmes pasqyrës së kontinentit : “një këmbë brenda, një këmbë jashtë”, siç thotë ai, dhe zbulon fillimet e një shteti tribal, por pa e shqiptuar kurrë termin : shtet tribal si të tillë. Ai parapëlqen termin mikro-shtet familjar. Kur i kushtoheni bashkatdhetarëve tuaj sikur të ishin familja juaj, ju udhëhiqeni më shumë nga impulse humanizmi sesa vetëm nga interesi për të kënaqur zgjedhësit tuaj, duket sikur lexojmë mes rrjeshtave. Zuccarrellët e “mbajtën” bashkinë e Bastias dhe atë të Santa-Lucia-di-Mercurio për gati një shekull, por ky ishte një lloj zakoni atëherë në Korsikë: një familjeje i besohej më shumë sesa një tjetre.

Lexuesi pa dyshim do të befasohet nga një ngjashmëri e çuditshme edhe me Italinë e jugut apo me Ballkanin në përgjithësi, rajone ku zakonet tribale ende dominojnë mentalitetet dhe jetën politike. Në këtë kendveshtrim « Dhimbja e Rrënojave », e cila bën një analizë të nuancuar të ndikimit të traditave lokale në lojën demokratike do të jetë gjithashtu një mësim i vlefshëm demokracie për lexuesit shqiptarë.

Për nga mënyra e hollësishme se si e përshkruan ishullin dhe natyrë e tij, ky libër lexohet edhe si një udhëzues turistik për një nga parajsat e rralla natyrale të ishujve që kanë mbijetuar në Evropën tonë globale.

Të gjitha qeniet hibride e gjejnë lehte veten në këtë dashuri ishullore, një dashuri e kompozuar nga dëshira dhe varësia!

Edhe një herë, Claude Arnaud nënshkruan këtu një dëshmi të gjallë, pothuajse si një rrëfim « mëkatesh », confession (në kuptimin e rrëfimit tek prifti).

« Dhembja e rrënojave », kjo këngë dashurie për Korsikën, është një sukses kombëtar në Francë. Kemi të bëjmë me një gjuhë të zgjedhur me delikatesë dhe në një stil të rafinuar, ku shpesh kalohet nga një frazë e bukur në një tjetër që tingëllon si aforismë. Është një tekst i kondensuar herë herë poetik, provë e talentit të tij unik. Talent, për njohjen e gjerë të të cilit, ky libër i fundit ka shërbyer si ‘detonator’, ashtu sikurse edhe për shumë çmime letrare, provë e mirënjohjes publike në Francë dhe Europe, si Çmimi Henri Gal i Akademisë franceze (për tërësinë e veprës), Çmimi i Madh i Kujtesës së Korsikës, dhe nominimi për disa çmime të tjera akoma në proçes si Çmimi letrar i Princit Pierre të Monakos.

Nga përkthimet në gjuhë të tjera do të nënvizonim botimin në anglisht të biografisë se Cocteau-se  nga Yale University press, 2016, një shtëpi botuese me reputacion të një prej universiteteve të ‘Ivy Leauge’, si edhe edhe biografinë e Chamfort nga Chicago University press, në 1992.

Nga një libër në tjetrin, cilësia e punës së tij ka njohur vetëm rritje siç dëshmohet nga vepra si « Stinë e shkurtër në Parajsë » (Brèves Saison au Paradis, 2012) dhe « Prousti kundër Cocteau-së » (Proust contre Cocteau, 2013) të botuara në vazhdimësi nga Grasset, një nga Shtëpitë botuese më prestigjioze Franceze.

“Dhembja e Rrënojave” sikurse veprat e tij të mëparshme, do të nxisë dashuri dhe ndjeshmëri tek lexuesit. Me këtë rrëfenjë, më të fundit përforcohet bindja se librat e tij do ti rrezistojnë kohës !

Një seleksion i veprave të Claude Arnaud nga Gallimard

Paris, 10 shtator 2021

*nëna e tij është korsikane, kurse ai vetë ka lindur dhe është ritur në Paris

*Claude Arnaud do të jetë në Prishtinë nga 6 deri në 9 të qershor 2022.

Ai do të mbajë fjalën e hapjes së Panairit të Prishtinës 2022, në datën 7 të qershor.

Libri i tij “Dhembja e Rrënojave” do të promovohet në ambientet e Panairit të Prishtinës, në datën 8 qershor, në orën 14- të.

Version Française de l’introduction dans Le Mal des Ruines