Pari, me 3 gusht, 2025
Për serinë njerëz dhe vende
“Brez që nuk u thye
në të ‘kasketës’ Ne jemi
ende gjallë sot.” KB
…por ende të pa aftë të prodhojmë leader demokratë!
Në një Shqipëri të zymtë dhe të ngurtësuar nga uniforma ideologjike, viti 1979 ishte një vit i çdo dite të kontrolluar, i çdo gjesti të maturuar mes ndëshkimit dhe dëshirës. Në këtë foto, dy djem buzëqeshin para kamerës, të veshur me rroba të thjeshta, por me një hijeshi të natyrshme që sfidon kornizat. Në të djathtë, Ariani, me një bluzë me shirita horizontalë dhe pantallona që nuk i kanë shpëtuar kontrollit (të gjëra në gjunjë — ndryshe do të ishin kauboj), mban mbi kokë një kasketë angleze që bie menjëherë në sy.
E kishte gjetur harruar në ndonjë senduk, pa emër dhe pa çmim, sikur ta kishte sjellë një dorë e magjishme nga një tjetër botë. Po, jo — besoj se Ariani kishte gjetur një shteg: “Askund nuk shkruhet se ndalohet kasketa!”
Në Fierin e asaj kohe, një kasketë ishte më shumë se një aksesor – ishte një sinjal i rrezikshëm. Për ata që ruanin “rregullin”, ajo kasketë përfaqësonte një shënjë kotësie, një pengesë për “njeriun e ri socialist”… Zëri i ‘tyre’ shkoi shpejt atje ku duhej:
— “Ç’është ajo kasketë që mban i biri i…?”Ç’është ajo kasketë që mban yt biri ?”
Dhe ndërsa Ariani nuk dha shpjegime – ndoshta nga krenaria, ndoshta nga kotësia e shpjegimeve në një botë që nuk kishte veshë të dëgjonte – kasketa u zhduk pas disa ditësh. Jo se u zhduk guximi. Thjesht u la në ndonjë cep të sirtarit, bashkë me ëndrrat që nuk kishin leje qarkullimi.
Ajo foto mbeti. Dhe buzëqeshja. Dhe një kujtim që, në një vend ku çdo gjë ishte e unifikuar, përfaqsonte nuanca të padukshme lirie.
“Brez që nuk u thye/në të ‘kasketës’ ne jemi/ende gjallë sot.” KB
Shih serinë: Katalogu i Objekteve të Ndaluara gjatë Regjimit Komunist
© Ky artikull nuk mund të ribotohet, edhe nëse i jepet krediti @klarabudapost.
© Fotoja është e mbrojtur me të drejta autori dhe nuk mund të ripërdoret: Nga e majta në të djathtë: Ledio Pasha dhe Arjan Nikaj.
- kasketa si metaforë
#Shqipëria1979 #KujtimetEDiktaturës #StilINdaluar #RiniaDheQëndresa #HistoriaEKapelës #EpokaKomuniste #HistoriaIme #KronikatEFierit #KujtesaDheIdentiteti #KlaraBudaPost