E ardhmja e shpëtimit të qytetërimit fillon në një akt kulture, sado i vogël qoftë ai ! Ndaj, sot, të nesërmen e atentateve vrastare në Paris, fluturova prej New York-u në Detroit, të mbështes Ditët e Letërsisë Shqipe 2015. Themeluesit e Revistës Kuvendi që prej modestisë së këtij periodiku, ngrihen e bëhen pjesë e “llogores” së kulturës perëndimore, dhe vënë gurin e tyre në ngrehinën e madhe të qytetërimit, të lirisë së shprehjes.
Duke më dhënë çmimin e Parë në Publicistikë, ata vlerësojnë lirinë e shprehjes dhe të shtypit të lirë. Nderojnë një gazetari që kurrë nuk i ka bërë elozhe askujt, përveç të vertetës, që e ka thënë mendimin e saj hapur edhe kur kjo bie ndesh me më të fuqishmit qofshin këta në botë, në Atdheun Mëme apo në Komunitetin Shqiptar nga Europa deri në Amerikë.
Përmes Diplomacisë Kulturore, të joshim kundërshtarët tanë të duan kulturën tonë. Kultura dhe arti janë ato që e zbukurojnë jetën, janë ato që afrojnë njerëzit e një kombi dhe kombet në mes tyre.
Ndaj sot të organizosh një aktivitet kulturor nuk është vetëm estetike dhe e këndëshme, por më shumë se kaq, është vizionare.
Kultura mund të arrijë gjëra të mrekullueshme, që forca e armëve nuk mund ti arrijë kurrë.
Le të refuzojmë urrejtjen, madje edhe për ata që na vranë, pasi urrejtja është fajtore për vrasjet.
Dhe kështu duke u ofruar atyre kulturën dhe tolerancën tonë, le ti bëjmë të vuajnë për aktet e tyre çnjerëzore!
Sot “ Je suis Paris”.
Parisit, kryeqytetit botëror të kulturës dhe artit, ia dedikoj këtë çmim !
Faleminderit Revistës Kuvendi për këtë nderim, që e konsideroj njëkohësisht nderim për Francën e të gjitha lirive, e që më ka formuar si gazetare etike, Atdheut tim të dytë!
“ Je suis Paris”.