Sondazhet tregojnë se Presidentja Demokrate për Shtëpinë e Bardhë Hillary Clinton në zgjedhjet e 8 nentorit 2016 do të jetë afër në përqindje me Republikanin Donald Trump. E madje Trump është në krye, në disa sondazhe.
Për të parë se çfarë do të ndryshonte në përkrahjen e çështjes shqiptare nga njeri apo tjetri kandidat, le të analizojmë faktet dhe deklaratat e të dy knadidatëvë të garës presidenciale amerikane në lidhje me politikën e jashtme në përgjithësi dhe politikën në Ballkan në veçanti.
Cili është pozicioni i këtyre kandidatëvë për çështjen shqiptare në Ballkan?
Nga cili kandidat do të kishte përparësi faktori shqiptar në ballkan ?
Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë qënë aleati më i madh dhe më besnik i shqiptarëve që nga shpallja e pamvarësisë e deri tek ndalimi i pastrimit etnik në Kosovë e shpallja e Kosovës republikë. Është evidente për gjithëkend të mirëinformuar dhe për imigrantët shqiptarë në amerikë që kanë ndjekur nga afër fatin e trojeve të tyre se nëse Donald Trump do të fitonte zgjedhjet presidenciale politika e SHBA-ve do të transformohej në një pasues të politikës Ruse në Ballkan. Kjo do të thotë të vihej në dyshim gjithshka që është arritur deri sot, që nga bombardimi i forcave serbe në Kosovë dhe Kosova Republikë. Presidenti Bill Clinton më 24 Mars 1999, në një fjalë historike drejtuar amerikanëve përdori fjalët agresioni i forcave para-militare serbe në Kosovë, duke deklaruar se Amerika do ti bashkëngjitej aleatëvë të NATO-s, në fushatën 78 ditore të bombardimeve për të shpëtuar jetën e mijra Kosovarëve. Ky ishte presidenti i parë amerikan që e angazhonte amerikën në aksione ushtarake për të shpëtuar kombin shqiptar. Ai u distancua kështu nga të gjithë ” shashkat” që vinin në një plan aksionin e para-militarëve serbe dhe Ushtrisë për çlirimin e Kosovës, duke luajtur një rol vendimtar në drejtimin që do të merrnin ngjarrjet në trojet shqiptare.
Në këtë kontekst, shënojmë, kalimthi se në bazë të deklaratave të kandidatit për shtëpinë e bardhë, Trump ky veprim për shpëtimin e shqiptarëve do të ishte i pa – mundur dhe nëse ai fiton zgjedhjet nuk do të jëtë më i mundur në të ardhmen për popuj të tjerë në rrezik. Pasi kandidati Trump është shprehur se Amerika nuk duhet të ndërhyjë në problemet e vendeve të tjera. Pra presidenca e tij do t’i hiqte shtetit më të fuqishëm të planetit rolin në paqen dhe në lirinë në botë. Të mos harrojmë rolin e Shteteve të Bashkuara në favor të lirisë dhe sovranitetit të popujve të Europës në luftën kundër Nazimit gjatë luftës së dytë botërore. Të mos harrojmë rolin e tyre dhe të Presidentit Clinton në evitimin e përsëritjes së një holokausti në Kosovë. Le t’a shënojmë se ishte hara e parë në histori që një koalicion hynte në luftë për të marrë në mbrojtje kombin shqiptarë.
Duhet pranuar se Hillary Clinton, në rolin e Presidentes, do të të jetë koherente në politikën e Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e popujve që rrezikohen. Ajo e ka shprehur hapur këtë pozicion. Por, nga ana tjetë, kur dihet, se sa e implikuar ka qënë ajo vetë në Kosovë gjatë periudhës si First Lady, si edhe gjatë shërbimit si Sekretare e Shtetit Amerikan, është evidente se politika shqiptare në Ballkan do të ketë një përkrahëse të bindur në Presidenten Hillary Clinton. Këtë gje e nënvizoi edhe Presidenti Bill Clinton gjate takimit me shqiptaro-amerikanët, në 15 prillin e shkuar, në College of Mount Saint Vincent, në Riverdale të New York-ut.
Po çfarë do të ndryshonte konkretisht në politikën ndaj Ballkanit dhe ndaj shqiptarëvë nëse Trump do të zgjidhej President?
Nga konsiderata të përgjithëshme të deklaraura gjatë fushatës, Trump ka bërë publike simpatinë për politikën ruse dhe Presidentin Vladimir Putin. Pra është një sekret polishineli se si do të vepronte Trump në Ballkan dhe në Kosovë kur dihet se Rusia ka qënë tradicionalisht aleate e serbëvë dhe nuk e ka njohur Kosovën. Pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s, është ende e freskët hyrja spektakolare e 500-të parashutistëvë rusë, pjesë e trupave të SFOR[1] –it, e dukë i dalë kështu përpara forcave tokësore të NATO-s në rrugë për në Kosovë. Ky forcing, tregoi vullnetin rus për tu imponuar në terren, në mbështetje të Sërbëve dhe çoi në mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit duke vënë në alam të menjëhershëm rregjimentin britanik të trupave të NATO-s, i cili u mobilizua për të ndaluar zbarkimin[2] e forcave ruse në aeroportin e Prishtinës.
Populli dhe institucionet e Kosovës janë të ndërgjegjshëm për rolin e veçantë të Presidentit Clinton në çështje e Kosovës, për këte dëshmon monumenti gjigand që Presidenti Amerikan meritoi në Kosovë!
A do të ishte dëmtuese apo dramatike për faktorin shqiptar në Ballkan ardhja e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë?
Ju ftoj të gjykoni, ju vetë, në bazë të disa elementëve që hedhin dritë mbi faktin se kandidati republican Donalt Trump nuk do mund të jetë pro interesave shqiptare në Ballkan.
Duke kaluar nga konsiderata të përgjithëshme në ato specifike dhe konkrete, le të shënojmë se emërimi prej Kandidatit Republican për President Donald Trump i Walid Phares, specialist i çështjeve të lindjes së mesme dhe i Jihadit si keshilltar i tij për mardhëniet ndërkombëtare, është një ogur i keq. Walid Phares në librin e tij :”Future Jihad” (Jihadi i ardhshmën) i bën një interpretim ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë në vitin 1999, që gazeta Washington Post e ka cilësuar si historiko – kreative, citoj : “[A]n all-out campaign by al-Qaeda destroyed the Serbian Army in Kosovo and led to regime change in Serbia (…një fushatë e Al Kaedes, shkatëroi ushtrinë serbe në Kosove dhe çoi në ndryshimin e rregjimit në Sërbi.)
Ky këshilltar i jashtëm i kandidatit për president Donalt Trump ka, në rastin më të mirë, dëshmon një njohje të dobët të rajonit të Ballkanit dhe në rastin më të keq, është një person që paragjykon shqiptarët, duke i cilësuar si pjesë të Al Kaedes.
E këtu nuk po sjellim fakte paragjykuse – sic bën Trump në mënyrë sistematike në fjalimet e tij – nuk do të quajmë argument për slavophiline e tij faktin se dy prej tri bashkëshorteve të tij janë me origjinë sllave, por po bazohemi vetëm në deklaratat politike që ka bërë Trump në lidhje me temën e të drejtave të popujve, kur hapur deklaroi se me të president, Amerika nuk do të ndërhyjë brenda shteteve: pra ai në krye të Shteteve të Bashkuara nuk do të kishte ndërhyrë për të ndalur pastrimin etnik në Kosovë.
Së fundi gjatë vizitës së Zv-Presidentit amerikan Joe Biden në Beograd, Vojislav Sheshel, shefi i ektremit të djathtë serb, ish kriminel lufte dhe sot në parlamentin e Sërbisë manifestoi, së bashku me pasuesit e tij, në favor të kandidatit Trump. Ky i fundit deri sot, nuk është distancuar nga mbështetja që i bëri Shesheli, dhe për ata shqiptarë që e njohin historinë e fundit të Kosovës kjo nuk ka nevojë për shpjegim!
Ja pra disa elementë pse shqiptaro-amerikanët patriotë duhet të mobilizohen për të zgjedhur Hillary Clintonin si President të Shteteve të bashkuara. Jo vetëm se Presidenca Clinton bëri për çështjën shqiptare më shumë se të gjithë para-ardhësit e saj, se Shqiptarët janë një komb që kanë kujtesë historike, por edhe se Zonja Clinton së paku do të jëtë koherente me politikën e presidencës Clinton mbi Kosovën.
Ju lë pra të gjykoni se çfarë pasojash do të kishte ardhja e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, a do të ishte, ajo dramatike për faktorin politik shqiptar në Ballkan ?
[1] forca ndërkombëtare e vendosur që prej vitit 1995 në Bosnje, ku bënin pjesë edhe 1300 ushtarë të Federatës Ruse
[2] Vetëm pas presionit të NATO-s dhe negociatave mes Sekretares së Shtetit Amerikane Madeleine Albright dhe ministrit të jashtëm rus Igor Ivanov ky incident u evitua
Ribotuar nga Zhurnal