Vajzat në barikata, ‘çunat’ në rrëfim

Një protestë mund të diskreditohet edhe pa iu kundërpërgjigjur kërkesave të saj. Mjafton që pyetja «Çfarë kërkojnë këta qytetarë?» të zëvendësohet me «Kush fshihet pas tyre?». Vëmendja largohet nga përgjegjësia e institucioneve dhe qytetarëve u kërkohet të provojnë pavarësinë e tyre përpara se t’u dëgjohen kërkesat.

Klara Buda

Paris, më 20 tetor, 2026

Nr. 4 i serisë së teksteve në mbështetje teorike të protestës së flamingove në Shqipëri.

«Jeni vajza moj…» Thirrja e policëve u drejtohet vajzave që janë aty, në protestë. Më pas, nga zëra që flasin në mbështetje të saj, propozohet emërtimi protesta e “çunave», me sqarimin se fjala përfshin të gjithë pjesëmarrësit. Përse vajzave u kërkohet fillimisht të largohen dhe pastaj u jepet vend brenda një emri që nuk i emërton? Nga rruga te studioja televizive, pyetja mbetet e njëjtë: si njihet pjesëmarrja e tyre dhe kush merr hapësirë për të folur në emër të protestës?

I. Vajzat në barikata, «çunat» në rrëfim

«Jeni vajza…[që nënkupton: largohuni]!» Përse të qenët vajzë duhet të shërbejë si arsye për t’u tërhequr nga një hapësirë ku qytetarët ushtrojnë të drejtën për të protestuar? Edhe nëse shqiptohet si këshillë mbrojtëse, kjo thirrje e vendos vajzën në pozitën e asaj që duhet të largohet, ndërsa djali mbetet figura e pritshme e përballjes. Ndoshta sepse, më pas,  më lehtë mund të akuzohen djemtë si të shitur, apo të paguar ?

Më pas, në një video të publikuar së fundmi, nga vetë zërat që flasin në mbështetje të protestës propozohet emërtimi «protesta e çunave». Sqarohet se «çunat» është një emër simbolik që përfshin vajzat, të moshuarit dhe të gjithë pjesëmarrësit. Por «çun» është sinonim i fjalës «djalë». Përse një protestë ku marrin pjesë vajza dhe gra, djem dhe burra të moshave të ndryshme duhet të përmblidhet nën një emër mashkullor? Përse vajzat duhet të gjenden te sqarimi që pason emërtimin, kur janë tashmë të pranishme në vetë protestën?

Njëra thirrje u kërkon të largohen fizikisht; emërtimi tjetër ua zbeh praninë në rrëfimin e ngjarjes. Këto dy veprime nuk kanë domosdoshmërisht të njëjtin qëllim, por mund të përforcojnë të njëjtën pamje: protesta u përket djemve, ndërsa vajzat shfaqen si prani dytësore. Kjo mënyrë përfaqësimi e ngushton protestën, pavarësisht se kush e përdor dhe çfarë synon me të.

Pamjet tregojnë vajza që flasin përpara mikrofonit, qëndrojnë përballë mburojave dhe ngrenë dorën mes turmës. Ato nuk kanë nevojë të përfshihen simbolikisht te «çunat»: janë pjesëmarrëse më vete, me zërin, kërkesat dhe përgjegjësinë e tyre. Po sa prej këtyre zërave mbërrijnë në studiot televizive?

Të shfaqesh në një kronikë nuk është e njëjta gjë me të pasurit hapësirë për të zhvilluar një mendim në studio. Në rrugë, kamera regjistron një thirrje, një gjest, një çast përballjeje; në studio, pjesëmarrësja mund të shpjegojë çfarë i ka paraprirë atij çasti dhe çfarë kërkon të ndryshojë. Përfaqësimi mediatik mbetet i cunguar kur vajzat shihen si pjesë e ngjarjes, por nuk dëgjohen me të njëjtën vëmendje si bashkëbiseduese.

Pyetja është konkrete: sa hapësirë u jepet vajzave të ndryshme që protestojnë dhe mbi çfarë kriteresh përzgjidhen ato që ftohen nëpër studi? Për t’iu përgjigjur, duhet shqyrtuar përbërja e paneleve, shpeshtësia e ftesave dhe koha që u jepet pjesëmarrëseve për të folur.

II. Vlera e një zëri dhe kufijtë e përfaqësimit

Laura Kërtalli ka një prani të përsëritur në debatet televizive mbi protestën, me dalje të dokumentuara në A2 CNN dhe Euronews Albania, etj.¹ E artikuluar dhe inteligjente, ajo e mbron me qartësi mendimin e saj. Këto cilësi e bëjnë një bashkëbiseduese me vlerë dhe prania e saj në debat është plotësisht legjitime.

Por çfarë hapësire u jepet vajzave të tjera, përfshirë ato pa shami që shohim në pamjet e protestës? Çështja është nëse ekranet pasqyrojnë larminë e pjesëmarrëseve apo e përmbledhin atë vazhdimisht te një figurë e vetme. Asnjë vajzë, me apo pa shami, nuk mund ta përfaqësojë automatikisht këtë tërësi.

Inteligjenca dhe qartësia e një të ftuare nuk i japin automatikisht mandat të përfaqësojë të gjitha vajzat e protestës. Të flasësh në emrin tënd, të flasësh në emër të një organizimi dhe të paraqitesh si zëri i një lëvizjeje janë pozicione të ndryshme, të cilat media duhet t’i bëjë të qarta.

Ftesat e përsëritura, në vetvete, nuk provojnë manipulim. Megjithatë, përsëritja krijon familjaritet dhe familjariteti mund të perceptohet si autoritet përfaqësimi. Një fytyrë bëhet e njohur; publiku mësohet ta lidhë me protestën; zërat e tjerë mbeten më pak të dallueshëm. Kështu, përzgjedhja editoriale mund të prodhojë një përfaqësim që nuk pasqyron larminë e lëvizjes.

Shamia e Laurës nuk e bën as më pak, as më shumë përfaqësuese. Përfaqësimi lidhet me rolin që ajo ushtron në protestë dhe me bazën mbi të cilën flet në emër të të tjerëve. Kritika ime u drejtohet redaksive: çfarë hapësire krijojnë ato për vajzat e tjera, me përvoja, bindje dhe mënyra të ndryshme të të shprehurit?

Respekti për Laurën kërkon gjithashtu që ajo të dëgjohet për mendimin e saj, pa e reduktuar në shaminë që mban dhe pa e kthyer veshjen e saj në shenjën dalluese të gjithë protestës. Nga një zgjedhje fetare nuk mund të nxirret një përkatësi politike, një lidhje me një shtet të huaj apo një projekt ideologjik. Këto kërkojnë shqyrtimin e deklaratave, veprimeve dhe lidhjeve konkrete.

III. Kur një pamje ushqen një akuzë politike

Kjo çështje merr peshë të veçantë pasi kryeministri e ka lidhur protestën me ndërhyrjen e fuqive të huaja, duke përmendur Rusinë dhe Iranin.² Fakti që akuza është bërë publikisht nuk provon vërtetësinë e saj; ai përcakton, megjithatë, një kontekst në të cilin publiku ftohet t’i interpretojë pamjet.

Në këtë kontekst, nxjerrja e përsëritur në plan të parë e vajzave me shami mund të përdoret për t’i dhënë mbështetje pamore një pretendimi që kërkon prova krejt të tjera. As veshja, as besimi fetar i një pjesëmarrëseje nuk dëshmojnë lidhje organizative apo financiare me Iranin ose me ndonjë forcë islamiste nga jashtë vendit.

Një protestë mund të diskreditohet edhe pa iu kundërpërgjigjur kërkesave të saj. Mjafton që pyetja «Çfarë kërkojnë këta qytetarë?» të zëvendësohet me «Kush fshihet pas tyre?». Vëmendja largohet nga përgjegjësia e institucioneve dhe qytetarëve u kërkohet të provojnë pavarësinë e tyre përpara se t’u dëgjohen kërkesat.

Përzgjedhja mediatike mund ta ushqejë këtë zhvendosje edhe pa një synim të shprehur manipulues. Kur një figurë përdoret për të sugjeruar karakterin e gjithë lëvizjes, efekti mund t’i shërbejë narrativës së pushtetit. Prandaj përgjegjësia editoriale kërkon ruajtjen e kontekstit të pamjeve, dallimin mes faktit dhe pretendimit dhe zgjerimin e zërave që marrin pjesë në debat.

Edhe emërtimi «protesta e çunave» e ngushton, në një mënyrë tjetër, përfytyrimin e kësaj lëvizjeje. Në njërin rast, shumëllojshmëria përmblidhet te një identitet fetar i sugjeruar përmes pamjes; në tjetrin, te një identitet mashkullor i vendosur përmes gjuhës. Këto mekanizma janë të ndryshëm, por të dy meritojnë shqyrtim për atë që lënë jashtë ose e bëjnë më pak të dukshme.

Vajzat që mbajnë shami kanë të njëjtën të drejtë të protestojnë dhe të dëgjohen si çdo qytetare tjetër. Prania e tyre nuk përcakton karakterin fetar të protestës, sikurse fotografitë e disa pjesëmarrëseve nuk mjaftojnë për të përcaktuar përbërjen e saj të përgjithshme. Shumëllojshmëria kërkon të shihet, të emërtohet dhe të dëgjohet në shtrirjen e saj.

Vajzat janë tashmë në protestë. Ato duhet të jenë të pranishme edhe në gjuhën që e përshkruan dhe në hapësirat ku interpretohet kuptimi i saj. T’u japësh vend zërave të tyre do të thotë të dëgjosh kërkesa, përvoja, kundërshti dhe pritshmëri që asnjë fytyrë e vetme nuk mund t’i përmbledhë.

—

¹ A2 CNN, “Çoçoli: Po ju nxjerrin si Hamasi gratë; Studentja i kthehet: A keni moral, a jeni shqiptar?,” 15 tetor 2026; Euronews Albania, “‘Kemi grupe në WhatsApp që koordinojmë protestën’, Artan Hoxha paralajmëron studenten: Kujdes, shkoni në burg!,” 14 tetor 2026. www.a2news.com

² Top Channel, “Rama për protestën në Tiranë: Rusia dhe Irani të përfshirë, sulme të mirëkomanduara nga forca të huaja,” 19 tetor 2026. top-channel.tv

CC

#VajzatNëProtestë #ZëriIVajzave #PërfaqësimiMediatik #DukshmëriaEVajzave #ProtestaQytetare #EtikaMediatike #KundërManipulimit