Umberto Eco, kryeautori i këtij shekulli

New York, 20 shkurt , 2016

” Ai tregoi me çdo vepër të tij se letërsia është dashuri dhe si dashuria nuk ka nevojë për artefakte, nuk ka nevojë për tryke, ajo mund dhe duhet të jetë para së gjithash e ndjerë dhe e vërtetë.”KB
“Umberto Eco showed with every book that literature is love and like love it do not need any artifacts, it must be felt and true.”KB

 

Klara Buda

Umberto Eco Simiologu, filozofi dhe shkrimtari i famshëm italian vdiq më 19 shkurt në moshën 84 vjecare.

Në një epokë ku bestselleret e rëndomtë mbushin raftet deri në supermarkete e pika benzine përkrah çipseve e birrës, Umberto Eco diti mrekullisht të imponohet dhe të kthejë në bestseller letërsinë e mirë. Ai diti të thjeshtëzojë filozofinë e dijen e thelluar e ta bëjë atë lehtësisht të kuptueshme për ata që s’duan ta vrasin mendjen kur lexojnë. Ai ndihmoi konservimin e erudicionit në një botë që shkon çdo ditë shpejt e më shpejt. Letërsia e tij gjithë duke të kënaqur të pasuron, ajo rezaton dije, librat e tij krijojnë botë e shpërndajnë dritë. Shumë personazhe të tij janë në vetvete misionarë të dijes. Më ka mrekulluar gjithmonë thellësia e mendimit të tij dhënë me fraza të thjeshta dhe njohja prej shkencëtari që kishte për gjërat që trajtonte dhe humori i rrallë.

Ai ishte paralelisht një dijetar e letrar i hollë. Umberto Eco e lë në trishtim botën letrare, pasi ai vërtetoi se letërsia është para së gjithash intelegjencë po aq sa imagjinate, ai vërtetoi se ajo mund të shkojë më larg, e të hyjë më thellë e më lehtë në mendjet e njërëzve, se të gjitha shkencat bashkë, madje më lehtë se sa filozofia, duke e bërë atë, letërsinë e mirë, më popullore se shumë parardhës të tij. Sado pardoksale që kjo mund të duket ai posedoi artin që të fusë në erudicion gjithmonë e më shumë njërëz duke ndihmuar me veprën e tij në një masivizim të dijes. Ai ishte, për mendimin tim, shkrimtari më i mrekullueshëm i kohës moderne për nga ajo alkimi e hollë mes stilit letrar dhe informacionit dhe magjia e veprës së tij më ka bërë, personalisht, të ndryshojë raportin tim me letërsinë në përgjithësi.

Ai tregoi me çdo vepër të tij se letërsia është dashuri dhe si dashuria nuk ka nevojë për artefakte, nuk ka nevojë për tryqe, ajo mund dhe duhet të jetë para së gjithash e ndjerë dhe e vërtetë.

Një histori personale do të më bënte të nisja e të lexoja romanin Penduli i Fukose në periudhën më intensive të jetës sime, kur sapo isha vendosur në perëndim pas izolimit totalitar shqiptar ku fati më kishte sjellë në jetë. Atëherë punoja në kohë të plotë si gazetare dhe përgatisja mbrojtjen e një punimi mbi Mitrush Kutelin në një kolegj francez.

Atëkoh galeristet franceze paten fantazinë të bashkonin në  Champs Elise veprat më të mëdha të skulpturës botërore. Gjatë gjithë gjatësisë ky bulevard u mbush me veprat madhorë të skulpturës të sjella nga anë e anës që u ekspozuam në qiell të hapur. Ishte një e shtunë, dita kur bëra një shëtitje përgjatë Champs Elise-së të transformuar në bulevardin më të bukur të botës dhe pa kuptuar përshkova « ece-jakje » më shumë se 3 a 4 Km. Pas kësaj pata një problem shëndetsor që më kërkoi të qendroja pa lëvizur në shtrat. Me ngarkesën që kisha në atë kohë nuk më mbante vendi dhe duke mos respektuar rregjimin absolut, pa lëvizje, rrezikoja shumë. Miku im, shkrimtari Claude Arnaud më nis me postë të shpejtë dhe brenda natës marr « Le pendule de Foucault »në frëngjisht. Ishte me këtë libër të mrekullueshëm që e zbulova artin e përkorë të Umberto Ecos. Penduli i Fukose është një libër voluminoz me më shumë se shtatëqind faqe, por ai, sikurse “ Le nom de la Rose” ka një magji të tillë, që të gozhdon në vend në kuptimin littéral të fjalës dhe për mua zëvëndësoi « terapine » që konsistonte të më lidhnin në shtrat për të kaluar këtë periudhë kritike në jetën time…Që nga ajo kohë, pothuaj 25- së vjetë më parë, Umberto Eco është autori, leximi i veprave të të cilit më ka dhënë më tepër kënaqësi. Librat e tij bashkojnë në mënyrë të përkryer kënaqësinë estetike të letërsisë së hollë dhe humorit, të informimit e divulgimit të filozofisë, e shkencave, e jo vetëm sociale si etnologjia, por edhe të shkencave të sakta, në një si të thuash mjeshtëri të transformimit të dijes ne art. Mbushur me dije, veprat e tij janë mjete të mrekullueshme për të zbuluar kulturën perëndimore në mënyrën më ludike dhe të këndshme. Ai i ka ndihmuar fuqimisht në divulgimi e trashëgimisë kulturore europiane dhe në kulturimin e masave, duke edukuar dhe ndriçuar ata që e lexonin. Eco, është një autor i cili e ka ndjerë si detyrë emancipimin e bashkëshkohësve të tij. Ai ka qënë një misionar i përkryer i dijes dhe qytetërimit perëndimor, e ky i fundit i detyrohet aq shumë atij. Ky autor i rrallë më ka falur personalisht momente të mrekullueshëm, gjatë këtyre viteve të jetës adulte, atë që dikur adoleshente, në një vend të mbyllur si Shqipëria ma kishte dhënë letërsia e Ismail Kadare-së.

Umbero Eco kishte në vetvehte artin sublim, atë përzjerrje të rrallë e të rafinuar të kryeveprës në çdo vepër, ndaj nuk e teproj tek e quaj krye-autor të këtij shekulli. Humbja e tij, shënon një ditë shumë të trishtuar për letërsinë dhe dijen njerzore në përgjithësi, ky shekull do të shënohet se ka pasur fatin të ketë në arritjet e tij këtë shkrimtar të ngritur në lartësinë e misionarit të dijes dhe të kulturës. Kultura mesdhetare në veçanti e ajo botërore në përgjithësi humbin një nga kolosët e tyre. R.I.P Umberto Eco.

Ky artikull ka autor BUDEN, jo te gjithe artikujt në këtë gazetë janë të firmosur prej saj!

GAZETA SHQIP