Shumica e mediave e kanë njoftuar si surprizë fitoren e Frontit Popullor, aleancës së krijuar në Francë pas daljes në vend të parë të të djathtës ekstreme në turin e parë! Në fakt, duke parë mobilizimin e forcave progresiste dhe të një pjese të mirë të qytetarëve dhe vendimin për tërheqjen e kandidateve qoftë të majtë apo të djathtë që ishin në vend të tretë, kështu votat e vendit të tretë dhe të dytë akumuloheshin për të tejkaluar ekstremin e djathtë, në fakt fitorja e Frontit të Ri Popullor ishte e parashikueshme! Disa elementë të rëndësishëm të programit të Rassemblement National (Bashkimi Kombëtar) bënë të ndryshojë mendimi i francezëve ishte pamundësia e kandidatëve të kësaj partie për të mbrojtur programin e ekstremit të djathtë, në debatet televizive në javën që parapriu zgjedhjet e 7 korrikut. Gjithashtu disa aksione të lajmëruara ishin privatizimi i audiovizualit publik (Radio France dhe France televizion), ndërkohë që shërbimi publik audiovizual është i shenjtë në Francë. Gjithashtu konstatimi i tyre se kultura kushton shumë shtrenjtë dhe aksioni në këto kushte për të ndaluar subvencionet e kulturës (që e mbron atë nga hapja para ekonomisë së tregut) do të pengonte artistët të punonin normalisht si dhe përfitimin prej kulturës të të gjitha shtresave të shoqërisë (sepse çmimet e biletave do të rriteshin pikërisht për të ekuilibruar fitimin); humbja e të drejtës së artistëve (intermittent du spectacle) që të paguhen kur nuk kanë koncerte apo role në kinema do të rrënonte sistemin e jashtëzakonshëm të mbështetjes së artit që përbën ‘përjashtimin’ francez! Pra të gjithë këta faktorë dhe jo vetëm aleancat para turit të dytë, dhe tërheqja e kandidateve në vend të tretë nga balotazhi, ishin elementët që çuan ndër të tjera në ndërgjegjësimin e francezëve që votuan në masë, pro: Frontit të Ri Popullor! Pra nuk kishte surprizë, në fakt parashikimi i fitores së këtij fronti ishte i munduar po të analizosh këta faktorë. Surpriza u ‘farkëtua’ nga një pjesë e mirë e mediave në Francë që janë pronë e Bolloré-së! dhe kishin insistuar në fitoren e ekstremit të djathtë! Edhe shoqata e patronëve francezë hoqi dorë nga bllokimi i deritanishëm i ekstremit të djathtë, dhe ka filluar ta shohë RN (BK) si një forcë tradicionale. Të mos harrojmë, siç e nënvizova edhe më lart që media të rëndësishme në Francë janë pronë e Bolloré-së që përsërisin gjatë gjithë ditës fitoren e ‘e padiskutueshme’ të Rassemblement National (Bashkimi Kombëtar). Por po të lexosh sistematikisht shtypin serioz, gjithë figurat intelektuale dhe idhujt e francezëve bënë thirrje për të bojkotuar RN Rassemblement National duke insistuar në të shkuarën fashiste të tyre dhe në faktin se Franca e ka provuar të djathtën ekstreme të Bashkimit Kombëtar, në fuqi, ka qenë qeveria ‘Vichy’-së*. Në këto kushte ky rezultat ishte mëse i pritshëm dhe jo një surprizë!
Qeveria e Vichy, e drejtuar nga marshalli Pétain gjatë Luftës së Dytë Botërore, bashkëpunoi me Gjermaninë naziste dhe është përgjegjëse për persekutimin dhe deportimin e shumë hebrenjve francezë.
Klara Buda Live ne EuroNews Albania, 07.07. 2024 më 22:00- 23:00
https://www.youtube.com/watch?app=desktop&v=jegZ9cOy0-o&fbclid=IwZXh0bgNhZW0CMTEAAR0FY9VBV3fGXHcd4tQCusuODRyBGt1_Xtjg4v_djZ0XochBmV5AbHBgjng_aem_zSrKUQXt_uQCzImvYAtH2Q