Shpirti i Fyryrave të Fitore Alísdottír Berisha

Mund të flitet për një figuracion të pasojës. Jo ngjarja, jo plaga, por ajo që mbetet kur të dyja tërhiqen nga skena. Piktura nuk kërkon empati; ajo kërkon një vëmendje më të ngadaltë, që ndalet në hapësirat ndërmjet, në kalimet mes fytyrave, në këtë këmbëngulje të heshtur të duarve që as kapin, as lëshojnë. Titulli i Provisional ( i përkohshëm) merr këtu gjithë kuptimin e tij. Vepra vetë është e përkohshme, jo e papërfunduar, por si e ngelur pezull. Ajo e fton vizitorin të esplorojë një fushë marrëdhëniesh ku identiteti, kujtesa dhe forma janë në bashkbisedim.

Klara Buda

Paris, më 26 prill, 2026

Në shikim të parë, piktura i shmanget tundimit të rrëfimit. Ajo nuk tregon një histori; ajo vendos një gjendje. Një grup fytyrash — as plotësisht të individualizuara, as krejtësisht të tretura — shfaqet nga një fushë kromatike me tensione të buta, ku bashkëjetojnë turkezi, okra dhe të kuqe të zbehura. Këto fytyra nuk përballen, ato janë pjesëe një grupi. Ato rrëshqasin, mbivendosen, anohen drejt njëra-tjetrës, sikur mbahen nga një presion i padukshëm, më shumë sesa nga logjika e vetë kompozimit.

Ajo që shpaloset këtu, në këtë shumësi është një brendësi e përbashkët. Çdo fytyrë duket e mbyllur, sytë e ulur, buzët e mbyllura  por megjithatë afërsia e formave sugjeron një qarkullim të nëndheshëm. Duart, të zgjatura dhe paksa jashtë proporcioneve, nuk veprojnë, por qetësojnë, dhe pothuajse mbrojnë. Ato nuk ndërhyjnë në imazh, por arrijnë të zbusin tensionin e tij. Gesti i tyre sjell një dimension etik të heshtur.

Vepra e piktores kosovare me banim ne Islandë, Fitore Alísdottír Berisha, dhe veçanërisht muralet e saj mbi dhunën gjinore dhe pabarazitë shoqërore, i pêrgjigjen urgjencës së denoncimit publik. Në hapësirën e kufizuar të galerisë, gjuha zhvendoset, dhuna nuk ekspozohet, por përthithet nga forma. Ajo që mbetet është një gjurmë: heshtje, lodhje, një mbledhje e brendshme. Fytyrat dëshmojnë, trupi nuk ekspozohet, ai reziston.

Kjo qëndresë nuk është pasive. Ajo i përket palëvizshmërisë pas ngjarjes, ku imazhi refuzon si spektaklin ashtu edhe zgjidhjen.  Figurat pushojnë së qeni emblema, ato bëhen pragje të dhimbjes.

Në këtë zhvendosje, vepra largohet nga një ekspresionizëm me të cilin mund të identifikohej në shikim të parë: Jehona e tensionit të vijave,  si të Schiele-s, trupat e shpërbërë dhe fragmentimi i fytyrave të Picasso-s janë të pranishme, por Alísdottír Berisha e zbut dhunën e tyre. Fragmentimi këtu nuk është thyerje, por vazhdimësi. Linjat nuk presin, ato lidhin. Deformimi nuk e shkatërron trupin; ai e rishpërndan atë.

Një afri më e hollë mund të gjendet me vizatimet e vona të Matisse-it, ku vija bëhet frymëmarrje e vazhdueshme, pothuajse indiferente ndaj saktësisë anatomike. Por edhe këtu, Alísdottír Berisha largohet: aty ku Matisse thjeshton drejt qartësisë, ajo akumulon drejt një lloj opaciteti. Fytyrat mbeten pjesërisht të paarritshme, sikur të ruanin një sekret që i shpëton shikimit të parë.

Ngjyra luan një rol thelbësor. Sfondi nuk është thjesht një prapavijë: ai ushtron një presion të butë, përfshirës, që njëkohësisht i mban dhe i shpërndan fytyrat. Ngjyra nuk zbukuron; ajo është në shërbim të efektit. Bluja dhe e gjelbërta krijojnë një distancë, ose një oaz në mes të dhimbjes, që sytë e mbyllura, që zëvëndesojnë sytë e tmerruar, e bëjnë të lexueshme, po aq sa një ose diku dy sy, që të ngulin shikimin, si për të thënë: nuk na injoron dot. Ndërsa tonet më të ngrohta shfaqen si gjurmë ftuese, sikur duan të të thonë, mos u tremb, po shikona drejt e në sy, dhimbja jonë duhet të kujtohet, dhe ajo mund ti rezistojë zhdukjes vetëm përmes vështrimit tuaj.

Vendosja e kësaj pikture në trajektoren e artistes nënkupton njohjen e një zhvendosjeje nga intimja drejt publikes, pa hequr dorë nga dimensioni politik. Nëse muralet e saj funksionojnë si thirrje kolektive, kjo vepër të tërheq në një hapësirë ku koleltivja nuk shpallet, por ndjehet si gjendje e përbashkët e të qenit. Politika nuk zhduket; ajo bëhet iminente, e gdhendur në strukturën e vetë imazhit.

Mund të flitet kështu për një figuracion të pasojës. Jo ngjarja, jo plaga, por ajo që mbetet kur të dyja tërhiqen nga skena. Piktura nuk kërkon empati; ajo kërkon një vëmendje më të ngadaltë, që ndalet në hapësirat ndërmjet, në kalimet mes fytyrave, në këtë këmbëngulje të heshtur të duarve që as kapin, as lëshojnë.

Titulli i Provisional ( i përkohshëm) merr këtu gjithë kuptimin e tij. Vepra vetë është e përkohshme, jo e papërfunduar, por si e ngelur pezull. Ajo e fton vizitorin të esplorojë një fushë marrëdhëniesh ku identiteti, kujtesa dhe forma janë në bashkbisedim.

Në kontekstin e ekspozitës së ardhshme në Pallatin e Këshillit të Europës, Galeria A, në Strasburg, kjo pikturë shënon një prag në punën e Fitore Alísdottír Berishës. Ajo nuk heq dorë nga angazhimi që përshkon veprën e saj, dhe e përkthen atë në një gjuhë të shumëfishtë të brendësisë, ku trupi nuk është më një vend përfaqësimi, por një hapësirë e një gjendjeje dhe pranie të përbashkët, të brishtë dhe këmbëngulëse.

Ekspozita e Fitore Berishës nga 21 shtator 2026 – 30 tetor 2026, në Pallatin e Këshillit të Europës, Galeria A, në Strasburg, France, nuk është vetëm estetike, ajo është e vendosur qartësisht në një kontekst europian, si institucional ashtu edhe politik .

Foto – Fitore Alísdottír Berisha, në sfond murali i saj më i ri “in the making” Prishtinë, prill 2026.

Për më shumë ndiqni artikullin e botuar në Amicale de Conseil d’Europe: Ekspozita e Fitore Berishës nga 21 shtator 2026 – 30 tetor 2026, në Pallatin e Këshillit të Europës, Galeria A, në Strasburg, France.

Versioni frengjisht

©klarabudapost.com