Kisha “Shën Ilia” dhe kujtesa e Leklit
Lekli, një fshat me emër arbëror që i reziston kohës për më shumë se dy shekuj megjithë pjerrësinë e madhe të terrenit, ka qenë shpesh i detyruar të zhvendoset në histori. Sot dihet se nuk është kryer asnjë studim i plotë për Kishën e Shën Ilias, e cila u përfshi nga flakët në këtë zonë dhe që përfaqëson një dëshmi të rrallë të arkitekturës dhe jetës shpirtërore te komunitetit orthodoks lokal.
Zona e Leklit është e pasur me kisha të tjera, madje edhe më të vjetra, që lidhen me figura feudale si “Kont Duka” (Cont Duka), një familje me ndikim në historinë e krahinës. Në shekujt e kaluar, Lekli ka qenë një qendër e gjallë komunitare, me rreth 800 banorë, çka dëshmon për një jetë të dendur shoqërore dhe për praninë e një infrastrukture të pasur kishtare.
Në këtë kuptim, Kisha e Shën Ilias nuk qëndron e izoluar, por bën pjesë në një mozaik të gjerë të trashëgimisë kishtareqë ende mbetet në hije, pa inventarizim të plotë, pa mbrojtje adekuate dhe pa studime të mirëfillta historike e arkeologjike.
Djegia e Kishës “Shën Ilia” në Tepelenë – një humbje e kujtesës kolektive
Për gati dy shekuj, kisha ortodokse “Shën Ilia” në Tepelenë qëndroi si një dëshmi e gjallë e historisë. E ndërtuar në fund të shekullit XVIII – fillim të shekullit XIX nga Thanas Vaja, ish-sekretari i Ali Pashë Tepelenës, ajo i mbijetoi stuhive të natyrës, trazirave politike, madje edhe zjarreve që shpesh kanë përpirë malësitë përreth. Në heshtje, kisha kishte bërë atë që bëjnë vetëm monumentet e vërteta: kishte ruajtur kujtesën dhe e kishte bartur atë tek brezat.
Që kjo kishë të digjej sot, jo si pasojë e ndonjë katastrofe natyrore, por për shkak të indiferencës dhe mungesës së kujdesit institucional, është një plagë që shkon përtej mureve të gurta. Është shuarja e një fijeje lidhëse me të kaluarën, një humbje që nuk prek vetëm komunitetin e Tepelenës, por të gjithë kujtesën kulturore të vendit.
Flakët që e përpinë nuk ishin ato të maleve të thata, por flakët e harresës, të shpërfilljes dhe të papërgjegjësisë. Ajo që koha, luftërat dhe ideologjitë nuk arritën ta rrëzonin, u shua nga duart tona të sotme, nga një shtet që nuk dinte ose nuk donte ta ruante.
Kisha e Shën Ilias nuk ishte thjesht një objekt kulti: ajo ishte arkivi i gurit, dëshmia e një epoke dhe e një qytetërimi që i dha Shqipërisë figura si Ali Pashë Tepelena. Me humbjen e saj, nuk kemi humbur vetëm një monument kulture, por kemi humbur një pjesë të vetes. Dhe kjo e bën shuarjen e saj më të dhimbshme se çdo flakë mali.
Një ekspozitë e ardhshme në Paris
Në shtator, Le Collège des Bernardins në Paris do të paraqesë një ekspozitë të fotografit Wandrille Potez, e cila do të përfshijë dymbëdhjetë pamje të luginës së Drinos, në jug të Shqipërisë. Kjo luginë përbën një hapësirë patrimoniale të rëndësishme, të karakterizuar nga një dendësi e jashtëzakonshme manastiresh ortodokse. Të ngulitura në traditën arkitekturore bizantine dhe bartëse të kujtesës historike të minoritetit të krishterë lokal, këto objekte mbeten ende pak të njohura jashtë kontekstit rajonal.
Përmes punës së tij fotografike, Wandrille Potez sjell vëmendjen mbi një rajon ende pak të studiuar të Ballkanit. Pamjet e tij nxisin një reflektim të dyfishtë: domosdoshmërinë për të njohur vlerën estetike dhe historike të këtij trashëgimi, si dhe urgjencën e marrjes së masave për ruajtjen e një peizazhi kulturor të rrallë e të brishtë.
#KishaShenIlia #Tepelene #LuginaEDrinos #TrashëgimiKulturore #KujtesaKolektive #KishaOrthodokse #MonumentKulture #ArkitekturaBizantine #TrashëgimiNëRrezik #RuajtjaETrashëgimisë #HistoriaEBallkanit #KulturaShqiptare #EkspozitaParis
(c) klarabudapost Asnjë nga versionet frengjisht anglisht e shqip të artikullit nuk lejohet te ri-botohet pa lejen e klarabudapost dhe pa citimin e kësaj gazete.