Prrill i trishte, prill i thyer

Nene,
Erdha per here te fundit ne strehen tende,
Ndjeva eren tende per te fundit here!
Puntoret zbresin mobiljet dhe lyejne muret,
Era e shtepizes tende do te me mungoje, 
Edhe qortimet e tua pafund, 
do te me mungojne…

Nënë,
Erdha për herë të fundit në strehën tënde.
Nuhata aromën tënde – jo thjesht erë, por kujtim.
Punëtorët zbresin mobiljet, dhe po lyejnë muret.
Dritaret e hapura zbojnë aromën,
e tretin, e shpërndajnë gjurmën tënde në ajër.
Do të më mungojë kjo ndjesi –
ai parfum i harruar në fund të shallit të vjetër,
që ta mora tinëz.
Edhe qortimet e tua pa fund… do të më mungojnë.
Tani që heshtja ka marrë zërin tënd,
fytyra jote më ndjek.
Por qortimet, më shumë se kurrë… më mungojnë,
Jetë.

KB 11, prill 2014

Pas teje

Muret tashmë janë të bardha,
asnjë njollë s’ruan dorën tënde.
Gjithçka është e pastër,
por bosh.

Në një qoshe të sirtarit gjeta
një gjilpërë të harruar,
një fije pe,
dhe një foto me shënimin tënd —
me shkrimin tënd, të drejtë, të papjerrët,
por të vendosur si dikur.
Si jeta jote, Jetë.

Era jote s’është më në perde,
por gishtat e mi,
kur i kaloj mbi to,
kujtojnë teksturën tënde:
butësinë që qortonte,
dhe ashpërsinë që donte.

Nuk po vij më në shtëpi.
U zhvat, dhe unë s’pata kohë t’i shkoj pas.
Por shtëpia më vjen në ëndërr.
Ti s’më flet,
por më shikon me ato sy që dinë gjithçka,
dhe s’thonë asgjë.

S’e kam larë ende shallin.
Është rralluar, grisur, por unë të ngjall aromat:
mbyll sytë, zhys kokën në të,
dhe kujtoj parfumin…
Është gjithçka që më ka mbetur,
që mban ende kujtimin tënd,
Jetë.

11 Prill, 2019

Një Swing për Krishtlindje

Të gjithë i kërkuan një valle popullore,
diçka “të thjeshtë”, “autentike”,
nga ato që i mbante regjimi për të gëzuar masat.
Por ajo, me buzëqeshjen e pafund që ia fshihte sytë,
i habiti të gjithë me një Swing.

Nuk ishte një lëvizje,
ishte një deklaratë.
Trupi i saj, ende i shkathët si në balet,
rrotullohej me hijeshi të heshtur,
krahët e hapur si përqafim i vonuar,
këmbët — aq të formuara, aq të sakta —
nuk kërkonin leje për të qenë.

Dikush nga miqtë qeshi në siklet,
dikush tjetër heshti.
Sepse e dinin:
atë Swing dikur e kishin quajtur dekadencë,
dhe për një dans të tillë,
babait të saj i kishin shtuar një dimër në burg.

Ajo nuk tha asgjë.
Vazhdoi të kërcente,
me një shkelje të lehtë syri ndaj heshtjes…
Ishte Krishtlindje.
Muret ishin të zbukuruar me letër shumëngjyrëshe,
por ajo kishte sjellë dritën e vet.
Një liri që nuk shpërtheu,
vetëm u rrotullua — butë —
në mes të sallonit.

Dhe kur u ul, duke marrë frymë thellë,
kishte në fytyrë një lloj qetësie
që vetëm fitimtarët dinë ta ruajnë.
Dhe kur e pyeta çfarë donte për dhuratë:
“Një swing. Veç një swing.”

11Prill, 2024

Traduction française