Përftesa groteske në romanin Kloroform

Mënyra origjinale e karakterizimit të personazhit, gjuha poetike, situatat e skajshme në të cilat vendosen personazhet, përbëjnë karakteristikat kryesore të përftesave groteske të romanit Kloroform të autores Klara Buda

Viola Isufaj

Ky punim ka për qëllim të nxjerrë në dukje, të analizojë dhe të zbulojë funksionin e këtyre procedimeve artistike në roman, të cilat do ti klasifikonim në katër kategori. Në atë të karakterizimit grotesk përmes situatave, të dhënave fizike, emërtimeve dhe nëpërmjet sjelljes.

  • Karakterizimi grotesk përmes situatave
  • Karakterizimi grotesk përmes të dhënave fizike
  • Karakterizimi grotesk përmes emërtimeve
  • Karakterizimi grotesk nëpërmjet sjelljes
  • Dikush do të vijë patjetër për ta tërhequr kafshën e gjorë, epigraf

Bota groteske është një botë ku e papërshtatshmja bëhet e përbindshme, e llahtarshme; grotesku ndërthur tipare të tilla si e çuditshmja, qesharakja, e tmerrshmja, e frikshmja, tragjikja ndaj dhe përftesat që krijojnë atë janë të ndërlikuara. Mënyra origjinale e karakterizimit të personazhit, gjuha poetike, situatat e skajshme në të cilat vendosen personazhet, përbëjnë karakteristikat kryesore të përftesave groteske të romanit Kloroform të autores Klara Buda.

Karakterizimi grotesk përmes situatave

Në skenën e parë të romanit, në kthinat e ftohta të spitalit, ndërrimi i emrit të vajzës për nje arsye misterioze, e cila duke mos u bërë e ditur, krijon tension në aktin e receptimit. Nderrimi i emrit të vajzes, që, në thelb eshte elementi i pare manipulimit qe do te beje te mundur krimin tragjik qe eshte ne baze te gjithe romanit, përfton një situatë të tensionuar ku fryma mbetet pezull gjatë një dialogu të ngadaltë (dialog- i cili ka për qëllim ndërtimin shkallë – shkallë të identitetit të ri të vajzës per nje arsye qe mbetet gjithashtu misterioze dhe na shoqeron  deri ne momentin kur zbulohet qellimi: aborti i paligjshem. Diçka paralajmërohet që në fillim, por eshte nje sinjal I pare qe e nxit kuriozitetin por nuk e zblon misterin, i cili ngelet i plote deri ne faqet e fundit te romanit.  Lehtësia, zhdërvjelltësia dhe “natyrshmëria” me te cilin Almës i imponohet identiteti i ri thellon habinë dhe shtangien e lexuesit.

Në fakt, kemi të bëjmë me një tjetërsim (të personalitetit) dhe tjetërsimi është, në rradhë të pare dhe mbi të gjitha, vdekje.

Grotesku në letërsinë moderne –thekson Kayser-i,- lidhet me proceset e tjetërsimit të njeriut. “Nëpërmjet tij,- thotë ai,- shprehet diçka e papërcaktuar, e paqartë, e pafytyrë, që dëshmon për shkatërrimin e konceptit të personalitetit.”

Por ky tjetërsim ngërthen në thelb një tjetërsim formal, në funksion të zbulimit të makinacioneve të ulëta e të rëndomëta në sistemin totalitar. Këto procedime të kujdesshme përftojnë situatën plot suspens e cila vendoset që në fillim të romanit. Teknika narrative karakterizohet nga një ndërpjerje e beftë (sepse rrëfimi ka nisur nga mesi) për t’iu rikthyer situatës plot kurreshti dhe ankth në fund të romanit. I tillë është momenti kur personazhi u shfaq sërish me një dosje në dorë, në të cilën vazhdonte të kërkonte për një kohë që Almës iu duk e gjatë dhe e papërligjur: dy formularë të vetëm që ai i shkëmbente duke i vënë njëri mbi tjetrin pa ditur cilin të zgjidhte. Në këtë mënyrë, zgjatjet më tej dhe pritja e lexuesit gjatë receptimit.

Kur, më në fund, siç dukej mori një vendim, nxori që andej njërën prej kopjeve dhe iu drejtua pa asnjë shpjegim dhe hyrje:

-Emri!

-Alma, -u përgjigj vajza.

-Lu-i-za, korrigjoi ai menjëherë, një nga një tri rrokje që s’kishin të bënin me emrin e saj, duke e zgjatur shqiptimin e tyre aq kohë sa i duhej për ta shënuar. F9

Vajza u drodh para identitetit të saj të ri: Luiza Kodra, lindur më 31 janar 1959 në Kir, Mirditë. (F.11)

Situata do të përvijohet më tej; këtë herë duke përfshirë dhe Almën, përmes teknikës së përroit të ndërgjegjes. Rrefimin në vetën e parë, permes monologut te brendshem te Almes, ngërthen të arsyeshmen dhe të paarsyeshmen.

Permes këtij procedimi që sjell  mendimet dhe asosacionet qe kalojne rrembimthi ne mendjen e Almes, zbulojmë dy elemente te rendesishem: se pari gjendjen shpirterore te Almes: ajo e ka ne kontroll situaten – pasi ndonëse ka kuptuar se aty po luhet me jeten e saj, gjen forca të ironizojë me “tutkunët që i dalin përpara”. Kështu, duke u hedhur ne perllogaritje te nderlikuara e te percartura matematike mes madhesive qe ne fakt nuk mund te trajtohen ne te njejtin ekuacion, sic eshte masa muskulore dhe koeficienti i mesatares se jetegjatesise, janë bashkuar aspekte të qesharakes she të përbindhmes përsëri, duke na dhënë një tjetër përftesë grotesku.

Mosha e thonjve plus ajo e qimeve pjesëtuar me masën muskulore, shumëzuar me koeficientin e mesatares së jetëgjatësisë… baras koha që i ngelej normalisht për të jetuar: njëzet vjet pa frikë…deri në procesin që e pret…kur të vijë ora…është çështje kohe…ha, ha, ha… vetëm çështje kohe! (f. 13)

Ky fragment i mësipërm është marrë nga situata e tensionuar kur Alma Fishta nuk e dinte si do t’i vente filli, por një zë i brendshëm këmbëngulte të gjente moshën e individit që kishte përballë, megjithëse nuk kishte dyshim se ai nuk përbënte veçse një hallkë të parëndësishme në atë sistem hierarkik të organizuar mirë. Kështu diçka e pakëndshme, e shëmtuar, e shpifur që përshkruan forma të papëlqyeshme dhe ndjesi të parehatisë për shkak të së pazakontës është në thelb të kësaj situate groteske.

Analiza e hollësishme e personazhit, gjuhës, situatës përcjellin zymtësinë e jetës, anormalitetin e saj dhe tragjizmin në sistemet totalitare.

Se, dyti, Alma desheron te mesoje moshën e ketij individi per gjetur permes nje parashikimi vizionar, nese ai do te jete akoma gjalle “…deri në procesin që e pret !

Ajo e di qe ky system i palogjikshëm e ka nje fund, dhe se aktoret e tij do te gjykohen. Përroi i ndërgjegjies jep gjithçka personazhi çon neper mend, ne menyre te pa organizuar sintagma të pipikta e fraza të sakta. Në këtë funksion është dhe zhdukja e shenjave te pikesimit ne kete pjese te tekstit- por pa ju drejtuar detyrimisht vetvetes siç eshte shpesh rasti i monologut te brendshem-shkrimtarja Klara Buda e shkrin natyrshëm me karakteristika të stilit të saj.

Permes kesaj procedeje poetike depertohet   natyrshëm  në botëkuptimin dhe shpirtin e personazhit.[1]

Funksioni i dytë i përdorimit të monologut të brendshëm është për t’i transmetuar lexuesit atë pjesë të dialogut që nuk shprehet me zë të lartë për shkak të censurës dhe të autocensurës së personazheve. Eshtë një prej niveleve të metaforës bazë kloroform, që materializohet pikërisht përmes kësaj mënyre të foluri, një lloj e folure e penguar. Personazhet shpesh nuk i mbarojne frazat, i lënë pezull. Këto pjesë janë dhënë me shkronja italike = ato pjesë të mendimit që nuk shprehen (njerzit i mendojne por nuk i shprehin –në diktaturë nga frika, ndersa në një sistem te lirë e në varësi nga edukimi nuk i shprehin pasi u duken të pamoralshme, ose jo adeguate etj.)[2] Kjo gjendje, ku individët flasin e i lënë frazat përgjysëm sepse në rrugë e sipër kujtohen se po e kalojnë masën, krijon nje atmosferë të pazakontë që i bën ata të duken si të çartisur (të kloroformizuar- pjesa e parë para gjendjes anastezike.)

Karakterizimi grotesk përmes të dhënave fizike

Klara Buda, mesa duket, parapëlqen t’i ndërthurë teknikat realiste dhe moderne për t’i njohur personazhet. Depërtimi në vetëdijen a pavetëdijen e personazheve realizohet edhe përmes përshkrimeve të një numri veprimesh në dukje anodine (që nuk tregojnë, apo thonë gjë) dhe perms veprimeve, në dukje parëndësi e të sipërfaqëshme; p.sh. pasiguria dhe frika e gardianit të morgut :

“Burri bëri për nga dera[…] por u kthye në drejtimin e kundërt…”(pasiguri)

“Prisni këtu, ju lutem, i tha me mimikë, si të qe rrethuar nga veshë përgjues.” (frikë)

Ata duken të zbrazët, të zhveshur nga ndjenjat e emocionet e forta). Ajo që i dallon prej të tjerëve është përshkrimi i tipareve fizike –tipare që priren të transmetojnë dilemat e tyre te brendshme, krejt sikur keto dilema permes nje procesi somatizimi (kur vuajtjet e shpirtit transformohen ne semundje te verteta fizike), jane stampuar ne fizikun e tyre. Nëpërmjet këtij karakterizimi paraqitet një personazh, që ka po aq vlerë morale sa dhe pamja e tij e shëmtuar dhe vulgare. Gjymtimi fizik përpiqet të bëjë aluzion për gjymtimin shpirtëror, sikur shpirti të gjente shprehje në fizik dhe anasjelltas.

Marengleni është një individ i masakruar trup e shpirt; ai është një shpirt i shuar, pjesë të të cilit kanë mbijetuar e të tjera janë pervertuar -ai është necrofil.

Më poshtë kur thuhet se Marengleni i kishte mbijetuar dhunës, por jo tërësisht:

“[…] të cilëve u kishte mbijetuar[…] kjo ishte edhe arsyeja që gjithë gjallesa e tij tërhiqte zvarrë edhe fragmente pa jetë, por mbi të gjitha vështrimi i tij rrezatonte një si plagë të thellë.” (f. 21)

Dora, thonjtë e kadifenjtë të së cilës flisnin për një makinë të vjetër, i zgjati përpara një kartelë…”( f.10)

Lëvizja për të kthyer fletën zbuloi një llërë të mbushur dhe leshtore, qimet e zeza pisë të së cilës që përdridheshin në kaçurrela bënin kontrast me thonjtë e plakur. Një pjesë e tipareve të tij dëshmonin për një moshë të re, ndërkohë që ca të tjera dukeshin se i përkisnin një moshe të thyer, si të qe nëj trup i ndërtuar copa-copa me gjymtyrë të mbledhura andej-këndej nëpër kohë. “(f. 11)

Përmes përshkrimeve në dukje vetëm fizike, kalohet në zbulimin e psikologjisë së personazhit dhe, shpesh, pas shprehejeve që duken pa rëndësi lajmërohet një përçudnim, dhe tipare inhumane ekstreme.

Në dialogun e gardianit të morgut me koleksionin e organeve të ruajtura në formaline, Marengleni, duket se u drejtohet vetëm tipareve të tij të parapëlqyera:

“- Mirëmëngjesi, vetullkalemja ime! Si nuk je mirë në akuariumin tim?

Por më poshte megjithëse nuk përdoret leksema”vrasje”, përmes rrymës së ndergjegjes lajmërohet se aspiratat e Marengleni janë vrastare!
Ruaje Zot! Një vetullhollë apo një vetullshtizë që i mungon koleksionit.Vetullhënën e kësaj nate, ndoshta nuk do ta ndesh më kurrë! Sikur të mundja ta skicoj, ta vë në formalinë, ta koleksionoj. Aty ku lind jeta të mund të seleksionohej tipari origjinal dhe mjafton të seleksionohej që të shuhej jeta!

Motivi i vdekjes nuk lë dyshim fare! (f. 28)

Evoluimi i obsesionit të tij e ka kaluar masën duke u kthyer në një tipar pervers, aq sa në kokën e tij ai ëndëron të vrasë çdo individ që posedon tiparin e kërkuar, të parapëlqyer. Buda e thellon ironinë duke e paraqitur këtë si një tipar pozitiv me cilësimet shkencore, profesionale.

“Gardiani i morgut kishte një përçapje, një mënyrë shkencore të të parit të gjërave […] Ai ishte një qënie profesionale, thellësisht, tërësisht […] dhe nuk kishte ndonjë ndryshim nga specialistët e mirëfilltë ndoshta vetëm fakti se ai nuk shihte ndonjë dallim të madh në mes njerëzve dhe kavjeje. (f. 29)

Autori i kërkon lexuesit që të zbulojë vetë se cfarë përfaqson Qaniu duke i dhënë një të dhënë ( indice)= ai nuk shihte ndonjë dallim të madh në mes njerëzve dhe kavjeje.

Cili është dallimi në mes njërëzve dhe kavjeve? Pikërisht se me kavjet mund të bësh gjithçka, të eksperimentosh dhe pastaj t’i vrasësh.

Qaniu është vrasës; përfaqsues i një regjimi (kuptohet aluzioni). Kështu riivjen përgjigjja e shprehjes që është lajmëruar që në krye të romanit: “…kafshën e gjorë…”

Në këtë mënyrë, paraqitet njeriu i tjetërsuar, i zhvlerësuar e grotesk ( që i trajton të ngjashmit e vet si kafshë.)

Karakterizimi grotesk përmes emërtimeve

Në prozën e Klara Budës, emërtimet groteske të personazheve janë një tjetër shenjë e rëndësishme e depersonalizimit të njeriut bashkëkohor. Tjetërsimi grotesk përdoret dendur në letërsinë bashkëkohore dhe sipas Kayser-it lidhet me ndryshimet në realitetin jashtë nesh.  Bota ku ne jetojmë,- thekson ai,- drejtohet nga fuqi impersonale, që i kthen njerëzit në marioneta ose i çmend ata.

Kështu, gjatë rrëfimit, gjenden personazhe të dërrmuara shpirtërisht, të thyer e të gjymtuar nga trysnitë e ushtruara mbi ta. Kjo është arsyeja pse ata janë shëmbëlltyrë e njeriut të humbur, materializim i shpirtit njerëzor të vrarë nën ndikimin e të gjitha ideologjive e demagogjive që e sulmojnë pareshtur në diktaturë. Personazhi i Qaniut është grotesk, i shpërfytyruar, sepse mishëron shëmtimin e njeriut nën diktaturë. Emërtimi i këtij personazhi mbart ngarkesë emocionale negative.

-…Marenglen, po shkurt  i thonë Qano.

-Po çne? Ç’lidhje ka?

-Vërtet, bëri tjetra, Qano s’ka të bëjë me Marenglen, s’mund të jetë shkurtim i tij. Nuk e di pse i ka mbetur kështu, mbase ngaqë Marenglen nuk i shkonte.

-Sa i ngjan të famshmit Babë Qani.

-Më kujtohet, vazhdoi më e moshuara, pa ia vënë veshin vërejtjes së tjetrës, se në fillim, kur erdhi, emri Marenglen i bënte njerëzit të qeshnin. Sa herë që prezantohej, njerëzit kujtonin se tallej se edhe këtë derëzi e quanin Marenglen.

-Sigurisht që prisnin më shumë klas për këtë emër që vinte nga ideatorët, komentoi infermierja e re.

-Emri Qano i ngjiti menjëherë, hajde merre vesh se pse? Ndoshta ngaqë ishte kopje e të atit, i pagdhendur dhe ai. A, po, regaoi me vonesë kundrejt pohimit të koleges. Është pikërisht i biri i Babë Qaniut, prandaj i paska mbetur Qani, tha si përfundim.

Ndërsa personazhi i Luiza Kodrës nuk do të flasë asnjëherë në roman- ai është një personazh i heshtur. Kjo ndodh sepse rrëfimtari fokusohet tek ngjarja dhe jo tek protagonisti i saj, atij i intereson mesazhi, më tepër se bartësi i tij.

Personazhi i Luiza Kodrës është tejet tronditës por edhe tejet i vështirë pë t’u perceptuar-është një personazh që përfaqson një individ në shkallën e fundit të hierarkisë sociale, përfaqëson gjendjen e skllavërise, kjo është edhe arsyeja se pse nuk flet. Eshtë një grua e thjeshtë dhe pa një ndërgjegje të mirëfilltë dhe kjo është edhe arsyeja që fati i saj është më tragjiku. Ajo është në mënyrë të pakundërshtueshme viktima më tragjike dhe për këtë arsye nuk mund të trajtohej në plan të dytë…

Zbulimi i personazhit bëhet shkallë shkallë – fillimisht përshkrimi fizik që aludon për shpirtin, veprimet karakterizuese duke përvijuar me dialogun. Personazhet shfaqen edhe përmes ideve që mbrojnë e meqë personazhet nuk mund t’i thonë të gjitha, per shkak të censurës dhe autocensurës, për të plotësuar më mirë një personazh pa implikuar narratorin hyn në lojë pjesa intime, jo publike, siç mund të jenë  rryma e ndërgjegjes dhe shënimet personale në nje ditar, ku në rastin e personazhit të Adrianit shpalosen pikpamjet e tij mbi shoqërine apo artin…

Karakterizimi grotesk nëpërmjet sjelljes

Personazhet në veprat letrare mund të paraqiten nga autori, nëpërmjet shpalosjes së botës së brendshme ose nëpërmjet veprimeve të tyre. Lidhja mes personazhit dhe veprimit është e pashmangshme, sepse nëpërmjet tyre zbulohet gjithë personaliteti tij. F. Shtancl thotë se, “substanca kryesore prej së cilës formohet letërsia epike janë personazhet dhe veprimiSjellja është një shenjë e individualitetit të tij. Në çdo veprimtari, qëllimi i pastër i atij që vepron është që të zbulojë imazhin për karakterin e tij”. “

Në romanin Kloroform personazhet (Qaniu, etj) paraqiten nëpërmjet veprimeve të rëndomta groteske. Kjo sjellje është një shenjë e depersonalizimit. Sepse ashtu siç pohohet dhe nga Henry James, çfarë është një personazh, përveçse tërësi e veprimeve?

Sipas psikanalizës frojdiane, veprimet, fjalët edhe vetë ndjenjat tona kushtëzohen nga shoqëria dhe rregullat saj tepër të ngurta. Mbiuni e detyron Unin që të bëjë kompromise. Individi shfaq përpara të tjerëve atë sjellje që konsiderohet si e moralshme dhe normale. Në këtë këndvështrim një pjesë jona vdes, mbaron e pashprehur, kur ne jemi të rrethuar nga të tjerët, sepse nuk tregojmë atë që jemi me të vërtetë, por shfaqim atë pjesë të cilën të tjerët duan të shohin.

Personazhi mishëron njeriun e çliruar nga trysnia e Mbiunit. Ai mund të jetë vetvetja deri në shëmti. Veprimet me të cilat nisin tregimet, janë groteske. Personazhet kanë veprime të rëndomta, të cilat ndihmojnë për të kuptuar vulgaritetin e kotësinë e jetës së tyre.

Qëllimisht disa herë zbehet gjithçka që ka lidhje me realitetin e jashtëm dhe vëmendja fokusohet në vetëdijen dhe pavetëdijen e personazheve. Ngjarjet më të rëndësishme ndodhin së brendshmi, prandaj krijohet përshtypja se koha objektive ka ngrirë. Megjithatë, ritmi i përjetimit të ndjesive nuk është i zakonshëm. Koha lëviz ngathët, sepse protagonisti shkëput lidhjen me gjithçka që ndodh përreth dhe vë në funksionim mendjen, ndërgjegjen e subkoshiencën, që i punojnë me një ritëm krejt të ngadaltë, që bluajnë e derdhin ca ndijime, përjetime, përshtypje, mbresa e kujtime për një kohë të papërcaktuar.Përqendrimi i vëmendjes në ndjenjat, përjetimet, në ëndrrat dhe fantazitë e protagonistit (Alma Fishtës), bëhet me qëllim që të shfaqet e plotë trauma shpirtërore e njeriut.

Në një mjedis ku liritë e njeriut dënohen me vdekje, nuk mund të realizosh dot dëshira të dlira dashurore e mëmësore. Për të kaluar këtë mesazh themelor në vepër Klara Buda arrin kulmin e groteskut, në një situatë të çuditëshme e njëkohësisht qesharake (për të qarë dhe për të qeshur) ku e papërshtatshmja bëhet e dhunshme për të përfunduar në të llahtarshme. Kjo eshte shprehur mjeshterisht ne gjendjen mes endres dhe realitetit, diçka te ngjashme apo qe mund te konsiderohet si deliri i Almes mbi tryezen e operacionit,

  “Ky orific është i shenjtë, vazhdoi mjeku që shtynte tani gishtin tregues (të dorezës kirurgjikale) drejt vaginës, po pse jo ky tjetri ?[…]Gishti i dorezës rikthehej tani drejt anusit dhe e përshkonte gjithë trupin si një heshtë. […] Si një flutur e mbërthyer nga gjilpëra me kokë, Alma përpëlitej mbi tryezën e operacionit pa mundur të çlirohej nga duart e kirurgut. Me një hedhje të beftë, ajo kërceu dhe u gjend në boshllëk. Aaaaaaaaaaaaaaaa! ( f. 170)

Përmes situatës ekstreme del edhe njëherë dhe gjithmonë në pah trajtimi i njeriut si kafshë, bile kësaj here si insekt, një gradë më poshtë në evolucionin e specieve…

Me anë të këtij narracioni të veçantë që ndërkall haluçinacionin mes realitetit të turbullt e konfuz, aludohet për një periudhë të gjatë mpirjeje, izolimi, dhune e terrori. Skena, apo haluçinacioni në sallën e operacionit (sepse autori parapëlqen ta lërë të vagullt)- pasi nuk del qartë nese ka ndodhur vërtet apo e ka ëndërruar Alma- është violimi i figurshëm i Almës nga rregjimi, materializimi i këtij dhunimi.

Skena-delir, haluçinacioni, e pathëna (nuk thuhet hapur nëse aborti u krye apo Alma i shpëtoi kirurgut dhe perversionit të tij me largimin nga klinika) – rindërtojnë në nëntekstin.

Fraza që mbyll romanin -”Nuk e imagjinonte se dilte nga anestezia” (f.189),

ngërthen një konotacion të dyfishtë: zgjimin e Alma Fishtës nga “ëndrra e keqe”, por dhe identifikimin e indoktrinimit të periudhës diktatoriale me substancat narkotike. Për rrjedhojë, në mënyrë denotative, do të kishim këtë sintagmë: goditjen e pabesë të sistemit nën mpirjen e ideologjisë.

Në mënyrë të dyfishtë aludohet për një zgjim të mundshëm, dalje nga ëndrra, dalje potenciale nga terri.

Dikush do të vijë patjetër për ta tërhequr kafshën e gjorë

”Dikush do të vijë patjetër për ta tërhequr kafshën e gjorë…”

Kjo frazë intriguese, të cilës e pashë të udhës t’i kushtoj një çështje më vete, qëndron në themel të sfondit të romanit; Në fakt, është më tepër se tërheqëse, është tronditëse. Për shkak të tronditjes së beftë që shkakton, të krjion iluzionin se të sjell turbullim në mendime e asosacione, por në fakt, është ndërmjetësim dhe prezantim për të hyrë në romanin e Budës. Është si një nëntitull që duket se ngërthen përftesa të absurdit-ai të çon në monologun e brendshëm të personazhit të Alma Fishtës, ndërkohë që gjërat kishin precipituar deri në fund. Kjo frazë është epigraph-i në fillimin të romanit dhe shfaqet përsëri në fund të tij, ose më saktë është marrë nga teksti (në fazën kur gjerat kishin precipituar…) Rrëfimi nis në “medias res”- fillimi dhe mbarimi i referohen të njëjtës ngjarje. Kjo frazë e shkëputur nga monologu i Almës (f. 177) është ndër më interesantet që përmban ky libër. Fjala është për vrasjen e qenve të rrugës.

Humbja e identitetit njerëzor jepet nëpërmjet dukurisë së theriomorphosis (bashkimi i tipareve njerëzore me ato të kafshëve). Kjo realizohet nëpërmjet groteskut, i cili zmadhon format reale, i sjellë deri në shëmtim, në mënyrë që të mbizotërojnë elementet tragjike. Nëpërmjet këtij inversioni, shfaqet një realitet shumë i shëmtuar e tragjik.    Njeriu dhe kafsha janë kaq pranë njëri-tjetrit, nga menyra se si rregjimi i trajton ata, aq sa lehtësisht mund të ngatërrohen. Ata janë kthyer në një qënie të vetme, e cila paraqet herë tipare të njërës e herë të tjetrës krijesë.

Homo sapiensi nuk është më një kafshë e veçantë. Ndryshe nga ligjet darviniane të evolucionit, qënia njerëzore nuk është më në krye të familjes së cilës i përket). Instikti mbizotërues i vdekjes dhe shkatërrimit (thanatos), e ka kthyer personazhin e Alma Fishtës në një qënie tragjike.

Ja sepse kjo frazë është veçanërisht tronditëse.

—–

Klara Buda merr përsipër të zbulojë labirintet e këtij sistemi alogjik dhe çnjerëzor, por dhe konfliktet dhe pasojat tek personazhet e saj.

Ky roman është edhe një kritikë që i bëhet shoqërisë totalitare diktatoriale e cila, duke i imponuar ligjet e saj estreme e detyron individin të shtiret. Këmbimet e ulëta janë të pashmangshme. Mundësia e arlekinadës është një realitet 50-vjeçar. Ky personazh inteligjent, Alma Fishta, ka dilema e shqetësime shpirtërore, por ajo është kundër makinacioneve të sistemit.

Si përfundim mund të thuhet se situata tragjike groteske në këtë roman, është tërësia e rrethanave joreale dhe të pangjashme me realitetin për shkak të shformimit, ekzagjerimit, shfytyrimit, që ka si qëllim të shkaktojë dhimbje, ankth, vuajtje dhe ndjenja të tjera negative. Këto ndjenja mund të lidhen me fatin e personazhit a me mesazhin që jepet në vepër – pamundësia e realizimit të një lidhjeje të tillë, shoqërohet me detaje groteske, nëpërmjet të cilave shprehet se kjo marrëdhënie konceptohet si jonormale nga pala tjetër.

Të gjitha këto, por jo vetëm këto, cilësojnë artistikisht pasojat rrënuese të diktaturës ndaj lirisë së individit në romanin e bukur “Kloroform”.

Botuar edhe ne Alb-shkenca dhe Alb-spirit

Bibliografi
BUDA, Klara (2010), Kloroform, Dudaj, Tiranë.
BERTENS, H. (2001), Literary Theory, the Basics, NT.
EYSTEINSSON, A. (1990), The concept of Modernism, London.
GONZALES, E. (1992), The monstered self: narratives of death and performance in L.A. fiction, Durham.
KËRBIZI, Marisa (2007), Grotesque Alienation of Characters in Anton Pashku’s Stories, Interlitteraria, Tiranë.
KËRBIZI, Mariza (2010), Tjetërsimi i personazhit dhe Megalopolisi: Letërsia dhe Qyteti, Botim i akteve të Konferencës Ndërkombëtare, Tiranë.
MASSERY, I. (1976), The gaping pig: literature and metamorphosis, California.
WELLEK, R. & WOREN, O. (1993), Teoria e letërsisë, Tiranë.
UÇI, Alfred (2001), Estetika e Groteskut, Tiranë.

/albshkenca.org/