Le 12 août 2024.
Çështja e Urës mbi lumin Ibër në Kosovë
Franca, si vendi i parë evropian që njohu pavarësinë e Kosovës, ka përgjegjësinë të harmonizojë veprimet e saj me të kaluarën e vet diplomatike dhe me qëndrimin kolektiv të grupit të Quint-it, i cili gjithmonë ka mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Thirrja për status quo lidhur me situatën e urës mbi lumin Ibër është në kundërshtim me angazhimin evropian për nisma të tilla si “Open Balkan”, që promovojnë lëvizjen e lirë në rajon. Është paradoksale të mbështesësh integrimin rajonal nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër të përkrahësh ruajtjen e mbylljes së një ure urbane thelbësore, duke kufizuar kështu qarkullimin brenda një qyteti.
Paradoxes
Bernard Kouchner, administratori i parë i OKB-së në Kosovë, shkruan për urën e Mitrovicës në librin e tij Luftëtarët e Paqes: “Kolonat franceze, të ngarkuara me këtë zonë gjatë hyrjes së aleatëve më 12 qershor 1999, (…) u ndalën tek ura [e Ibrit], duke dërguar rrallë njësi zbulimi në veri [të qytetit], njesi të cilat kanë zbuluar aty anëtarë të policisë serbe dhe vrasës që mbanin skalpe dhe flokë të grave shqiptare të varura në rripat e tyre të mezit. Me urdhër të kujt janë ndaluar forcat tona çlirimtare [te ura]? Nuk kam mundur kurrë ta di me siguri, por ky ishte një gabim i madh politik.”
Ruajtja e status quo – së i shërben Serbisë e cila ka nevojë të mbajë të izoluar dhe kështu nën kontroll veriun e Mitroviçës. Ajo pretendon se hapja e urës do të vinte në rrezik sigurinë e serbëve në veriun e Mitroviçës dhe ua ka imponuar këtë narrativë edhe serbëve të Mitroviçës së veriut e më gjerë. Arsyeja e vërtetë është qellimi i Serbisë që strukturat e saj të vazhdojnë të funksionojnë në Kosovë, sepse në këtë mënyrë Serbia mund të vazhdojë të pretendojë se Kosova është pjesë e saj, dhe të argumentojë mosnjohjen e Kosovës. Strukturat paralele janë normalizuar në veri edhe si pasojë e komplezancës europiane. Mitroviça e veriut është bërë kështu gozhda e Nastradinit të Serbisë.
Duket paradoksal njoftimi se Franca do të tërhiqte ushtarët e saj nga KFOR-i nëse qeveria e Kosovës do të ndërmerrte hapa për hapjen e urës! Ky “kërcënim” i Francës pati si pasojë përgjigjen e ministrit të jashtëm turk, i cili tha se largimi i ushtarëve francezë nuk do të krijonte asnjë problem, pasi në gjirin e KFOR-it ishin tanimë forcat turke.
Evropa, që ka vuajtur ndarjen e mureve, veçanërisht Murin e Berlinit, duhet të jetë veçanërisht e ndjeshme ndaj simbolikës që paraqesin barrierat brenda qyteteve, aq më tepër kur urat, simbolet e lidhjeve, kthehen në mure. Përvoja gjermane, në veçanti, nënvizon rëndësinë e eliminimit të ndarjeve të tilla, duke bërë që Gjermania të jetë një mbrojtëse potenciale e një politike koherente dhe racionale në të gjithë Evropën. Por Europa po vepron në mënyrë të njëanëshme dhe sanksionimi i Kosovës është i pakuptueshëm!
Hapja e urës mbi lumin Ibër nëse nuk ka rëndësi nga ana praktike, pasi pak më larg është një urë tjetër, ajo gjithsesi përfaqëson një lidhje nevralgjike më shumë mes pjesës së jugut të qytetit dhe të veriut. Hapja do të normalizonte lëvizjen e lirë të gjithë banorëve, ata të jugut aktualisht të shkëputur nga burimet ujore të liqenit të Ujmanit, por edhe i krijon mundësinë popullsisë lokale për të njohur trashëgiminë historike, vestizhet antike që fsheh fundi i liqenit, në të cilat brezi i ri shqiptar, nuk ka akses.
Hapja e urës mbi Ibër është kështu një hap i domosdoshëm. Qëndrimi i Francës mbi këtë çështje duhet të pasqyrojë angazhimin e saj historik ndaj pavarësisë së Kosovës dhe të jetë në përputhje me objektivat më të gjera të unitetit dhe bashkëpunimit evropian. Mbështetja e përpjekjeve të qeverisë kosovare për të hapur këtë urë nuk është vetëm një domosdoshmëri diplomatike në respektimin e sovranitetit të një vendi që Franca e ka njohur, por edhe një hap drejt realizimit të parimeve të lëvizjes së lirë dhe kufijve të hapur. Hapja e urës mbi Ibër nuk është thjesht një çështje lokale, por një sfidë për një integrim më të madh rajonal dhe të një Evrope pa barriera.