New York, 27 aprill, 2016
Flakërimë vizion*
“Krijimi i një Hapësire Kulturore e artistike të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës është një hap thelbësor. Ai është llokum dhe llokum dinamiti, në kufirin mes dy pjasëve të atdheut. “ KB
Bashkëpunimi mes dy pjesëve të Atdheut përmes e përtej artit dhe krijimi i frymëmarrjes kombëtare anekand hapësirës së përbashkët, ka shumë rëndësi për të ardhmen dhe zhvillimin e Shqipërisë e Kosovës dhe për bashkimin e trojeve pa rënë ne “ jo-politik-korrekt”. Për të evidentuar dobinë do të kalojmë më parë nga përcaktimi i konceptit të Hapësirës së Përbashkët Kulturore Kosovë-Shqipëri dhe më pas do të listojmë dobitë e saj.
Gjuha e përbashket bën që letërsia në veçanti, dhe kultura e arti në përgjithesi, të jenë elemente primordialë të bashkëpunimit mes Shqiperisë dhe Kosovës me qellimin afat gjatë të bashkimit të dy trojeve kryesore të Ilirides : Kosovë e Shqipëri. Madje për të vazhduar më tutje me pjesën shqiptare të Maqedonisë e Malit të Zi, Kosovën verilindore dhe Çamërinë, nëse do të kemi fatin të kemi njërëz vizionarë, studjues, filozofë dhe politikanë të pakorruptuar!
Personalisht, unë besoj në këtë mundësi dhe mendoj se çdo hap pozitiv sado i vogël, në optikën “gurë gurë bëhet urë! “, në fjalën popullore shqiptare po e zëvendësoj fjalën mur me urë, i ftoj të gjithë autorët shqiptarë e veprave në gjuhen shqipe, në të dyja anët e kufirit, që ti prezantojnë librat e tyre në të njëjtën kohë në Tiranë dhe në Prishtinë e madje edhe në Shkup – a nuk është ky i fundit qyteti më i populluar më shqiptar që egziston në botë? Këtë thirrje ua kam drejtuar prej Kafe – Librarisë Dit’ e Nat’, në Prishtinë, gjithë krijuesve shqiptarë, në maj të vitit 2010, gjatë promovimit të romanit tim të parë Kloroform, në Kosovë.
Po kështu uroj e sugjeroj të veprohet për premierat e filmave dhe ekspozitat e pikturës e të gjitha llojeve. Gjithashtu, aktivitetet kulturore madhore duhet të marrin në konsiderate arritjet e fushës përkatese në të dyja anët e kufirit politik. Çdo antologji e poezisë apo e prozës Shqipe duhet të konsiderojë së bashku autorët e gjuhës shqipe në të dy anët e kufirit e madje edhe autorët e trojeve shqiptare në pjesën shqiptare të Maqedonise e Malit të Zi dhe Kosovës verilindore. Është shumë e rëndësishme që të merren në konsideratë edhe autorët më të spikatur shqiptarë në perëndim (pavarësisht gjuha në të cilën shprehen), pasi këta të fundit krijojnë letërsinë minore . Duke i sjellë në vëmendjen e studjuesve të letërsisë shqipe autorët shqiptarë të diasporës do të nënvizoja se Franz Kafka ishte një autor minor, pra i diasporës.
Shkëmbimet e kësaj natyre çojnë në krijimin e Hapësirës së Përbashkët Kulturore Kosovë-Shqipëri. Nga çasti që kjo hapësirë krijohet dhe fillon të frymojë krijohen edhe premisat që bashkimi të mos të shihet si një ndërhyrje në punër e fqinjëve por si një aspirate logjike e dy pjesëve të ndara të një Kombi që egziston përmes një gjuhe të përbashkët, një letërsie të përbashkët një arti të përbashkët.
Krijimi i një Hapësire Kulturore e artistike të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës është një hap thelbësor, ai është llokum dhe llokum dinamiti, në kufirin mes dy vendeve.
Do të, ftoja gjithë faktorët e interesuar në të ardhmen e përbashkët të trojeve tona, që të shprehen mbi këtë temë. Në mënyrë që të analizojmë se në çfarë niveli janë shkëmbimet kulturore mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe si duhet të zhvillohen ato.
Sa i mundur është krijimi i një Hapësire Kulturore e Artistike të përbashkët mes Shqiperisë dhe Kosovës?
Çfarë mund të pritet në të ardhmen, posaçërisht në letërsi, artet pamore dhe muzikë?
Cilat janë ato vlera që mund dhe duhet të shkëmbehen sa më shpejt e sa më mirë për të iniciuar trendin kaq të ëndërruar të kompaktësimit të Kombit Shqiptar dhe të bashkimit të trojeve tona?
Në cilat fusha duhet të fillojë e të rritet bashkëpunimi nëse ai egziston tashmë si bashkëpunim ?
Cilat janë strukturat shtetërore që duhet të ngrihen në të dy anët e kufirit politik për të përgatitur këtë bashkim? Shembulli gjerman duhet të jetë si një fanar në këtë process.
Botuar për herë të parë në klarabudapost
Ju mund ta ribotoni këtë artikull, duke cituar klarabudapost