Le Clézio në përvjetorin e 76-shtë

Le Clézio është laureat i çmimit Nobel në letërsi, 2008 dhe i “ Çmimit të madh të letërsisë Paul-Morand », i Akademisë Franceze, më 1980. Është ndër 44 firmëtarët e manifestit  “Për një letërsi bote në frëngjisht”, që fton për rinjohjen e një letërsie të gjuhës frënge që nuk i vë më në plan të dytë autorët e ashtuquajtur « frankofonë ».  Vetë ai e përkufizon veten si shkrimtar « francez, pra frankofon », dhe e shikon letërsinë romaneske si « mjet të mirë për të kuptuar botën e sotme. »

 

Anila Xhekaliu

Tiranë, 13 Prill, 2016

Jean-Marie Gustave Le Clézio, lindi më 13 prill 1940, në një familje bretone, të vendosur në ishullin Maurice që në shekullin e 18-të. Babai i tij ishte mjek kirurg. Kur ishte shtatë vjeç shkruan rrëfimet e para, në kabinën e një anijeje që po e çon me nënën e tij në Nigeri, ku punonte babai i tij, dhe do të qëndrojë aty gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shkrimi dhe udhëtimi do të mbeten që nga ajo kohë të pandara nga njeri-tjetri.

Djaloshi, Le Clézio, kryen studimet në liceun Massena, mandej në kolegjin letrar të Nice-s, Aix-en-Provence në Francë, mandej në Londër dhe në Bristol. Në 1964, harton një kujtesë për temën e diplomës së studimeve të larta me temë: “Vetmia në veprën e Henri Michaux., Në moshën 23 vjeçare do të bëhet i njohur me “Proces-verbalin”, një rrëfim estetikisht të afërt me rrëfimin në vetë të parë « I huaji » të Kamysë dhe më pas me kërkimet narrative të Romanit të Ri, të njomur nga atmosfera e luftës së Algjerisë dhe kurorëzuar me çmimin Renaudot në 1963.

Në 1967, fillon shërbimin kombëtar në Tailandë por dëbohet me të shpejtë për denoncimin që i bëri prostitucionit të të miturve dhe dërgohet në Meksikë ku do ta përfundojë këtë shërbim. Merr pjesë në organizimin e bibliotekës së Institutit Francez të Amerikës Latine (IFAL), dhe fillon të studiojë maya dhe nahuatl në universitetin e Meksikos, studime që do ta çojnë tek Yucatan. Për katër vite, nga 1970-1974, ndan jetën e indianëve Emberas dhe Waunanas, në Panama. Zbulimi i mënyrës së jetësës së tyre, shumë e ndryshme nga ajo që njihte gjer atëherë, është për të një përvojë që më vonë do ta cilësojë si « tronditëse ».

Në 1977, Le Clezio publikon një përkthim të “Profecitë e Chilam Balam”, vepër mitologjike maya, punë që e kryen në Yucatan. Specialist i Michoacan (qendër e Meksikës), mbron në 1983 një tezë historie mbi këtë temë në Institutin e studimeve meksikane të Perpignan. Jep mësim mes të tjerash në universitetet e Bankokut, të Meksikos, të Bostonit, të Austin, dhe të Albuquerque-s. Në fund të viteve 70, Le Clezio bën një ndryshim në stilin e tij të shkrimit dhe publikon libra më voluminozë, me shkrim më të kulluar, ku temat e fëmijërisë, të vogëlisë, të udhëtimit, kalojnë në plan të parë. Kjo mënyre e re josh lexuesin e madh.

Në 1980, i akordohet “ Çmimi i madh i letërsisë Paul-Morand », i Akademisë Franceze, për veprën e tij « Shkretëtira », ai është autori i parë që e merr këtë  çmim menjëherë pas themelimit.

Në 1990, Le Clezio themelon së bashku me Jean Grosjean koleksionin « Agu i popujve », tek shtëpia botuese Gallimard, përkushtuar botimit të teksteve mitike dhe epike, tradicionale apo të vjetra. Interesi i tij për kulturat e largëta zhvendoset në vitet 2000 drejt Koresë,studion historinë e saj, mitologjinë dhe ritet shamanike, dhe punon si profesori i ftuar në Universitetin e grave Ewha.

Në mars 2007, është njëri nga 44 firmëtarët e manifestit të quajtur “Për një letërsi bote në frëngjisht”, që fton për rinjohjen e një letërsie të gjuhës frënge që nuk i vë më në plan të dytë autorët e ashtuquajtur « frankofonë ». Në një intervistë të tij në 2001, i vjen keq që « Institucioni letrar francez, trashëgimtar i mendimit të quajtur universal të Enciklopedistëve, ka gjithmonë tendencën e keqe ta shpërfillë çdo mendim nga bota tjetër duke e cilësuar ekzotik. » Vetë ai e përkufizon veten si shkrimtar « francez, pra frankofon », dhe e shikon letërsinë romaneske si « mjet të mirë për të kuptuar botën e sotme. »

Në tetor 2008, koha kur u botua « Refreni i urisë », i frymëzuar nga figura e nënës së tij, i jepet çmimin Nobel në letërsi. Reagimi i tij i parë qe se shpërblimi « nuk do të ndryshojë asgjë” në mënyrën e tij të shkrimit.

Në 2010, i jepet “Urdhri i Shqiponjës Azteke Meksikane” si « specialist i qytetërimeve antike meksikane”. Me këtë rast presidenti Felipe Calderon e përshkruan shkrimtarin francez si “Një Nobel francez shumë të meksikanizuar, dhe shumë të mikoakanizuar.”  Prej shumë kohësh, Le Clezio përshkon vende të ndryshme në botë, në të pesë kontinentet, por jeton kryesisht në Albuquerque, dhe në Francë, në Nice dhe në Paris. Ka botuar dyzet vëllime : tregime, romane, ese, novela, dy përkthime të mitologjive indiane dhe parathënie të panumërta e artikuj në vepra kolektive.

Në 2011, J.-M. G. Le Clézio është « I ftuari i madh i muzeut të Louvrit”. Me këte rast ai hedh një shikim të ri mbi koleksionet e muzeut përmes temës “Muzetë janë botë”.

Reflektimi kulturor i Le Clezios shtrihet nga ana tjetër nga ndikime të tjera. Vetë ai përmend poetët John Keats e W.H. Auden, pranon ndikimin e J.D.Salinger që e rilexon më shpesh, të William Faulkner e Ernest Hemingway. Nga i pari merr përballjen e individit dhe shoqërisë. Nga i dyti lirizmin (përherë e më shumë i dukshëm) dhe ndikimin e monologut të brendshëm, të « përroit të ndërgjegjes », në plan të tretë shkrimtarin udhëtar. Tregohet njëlloj i ndikuar nga misticizmi i Lautreamont-it, mbi të cilin shkruan një tezë dhe publikon shkrime të shumta nga disa ide të Henri Michaux (kundërshtitë kundrejt shoqërisë, përdorimi i drogës si shtim vetëdijësimi), të cilës i kushton një numër studimesh, ose përsëri përçapja e shkëputjes shpirtërore e Antonin Artaud që e përshendet si pararendës të « kësaj ëndrre të një toke të re ku gjithçka është e mundur ; me një rikthim tek vetë origjinat e shkencës dhe dijes ; Më në fund, Le Clezio shfaqet një lexues i pangopur, i dhënë pas zbulimit të horizonteve të reja, siç e tregon kur bën parathëniet e veprave të autorëve me origjina të ndryshme: Margaret Mitchell, Lao Ce, Thomas Mofolo, V.S. Naipaul   e shumë të tjerëve. Ky zhvillim hapet mbi veprat e fiction-it që shpërthejnë tema të udhëtimit, të onirizmit dhe meditimit, që gjejnë jehonën e duhur tek lexuesi që me “Mondo dhe histori të tjera” në 1978 dhe sidomos me « Shkretëtira » në 1980. Le Clezio është përshkruar si i paklasifikueshëm, dhe ndjek zbulimin e temave botës tjetër tek « Kërkuesi i arit », « Onitsha », ose « Peshku i artë ».

Me vëllimet e para të tij në vitet 1960 (Proçes-verbali, Ethet, Përmbytja), autori afrohet me formalistët e Romanit të Ri, sidomos me Georges Perec, Michel Butor e Nathalie Sarraute. Temat e afruara- dhimbja, ankthi, dhimbja në mjedisin urban – e bëjnë mbi të gjitha trashëgimtar të çështjeve dhe shtjellave ekzistencialiste, sidomos të Albert Camus. Proçes-verbali kujton në mënyrë të parezistueshme « Të huajin », ndonëse mund të ngjallë « Nexus » të Henry Miller.

Që nga fundi i viteve 60, Le Clezio zhvillon vepra më personale, më pak të shenjuara nga formalizmi, por pa e humbur fuqinë e revoltës. Librat e tij janë të zotëruar nga zbulimi i botës tjetër dhe përkushtimet ekologjike (Terra Amata, Libri i Arratisë, Lufta), dhe përherë e më shumë i ndikuar nga udhëtimet e autorit dhe qendrimi tek indianët e Meksikës “Gjigandët ».

Esetë e Le Clezios vënë në dukje rrugëtimin meditativ të tij të ushqyer nga indianët Embera, dhe të drejtuar kah panteizmi,kultura indiane, onirizmi dhe përvoja e drogave (Mydriase, Hai), dhe gjithmonë kërkimi i një shtegu në shoqërinë perëndimore dhe urbane bashkëkohëse.

Në mesin e viteve 1980, Le Clezio fillon të bregëzojë në gjirin e veprave të tij temat më vetjake, në veçanti përmes gjallimit të familjes. Intrigat dhe personazhet frymëzohen nga të afërmit. Alexix, narratori i « Kërkuesit të arit », 1985, është frymëzuar nga gjyshi i tij Leoni, të cilit i është kushtuar romani, e që banon njëlloj në rrëfimin « Udhëtim në Rodrigues”. Prirje që forcohet tek « Onitsha », në 1991, nderim për Afrikën e fëmijërisë së Le Clezio. Gjyshi i tij është përsëri në qendër të veprës « Karantina », 1995. Mandej i kthehet figurës së babait tek « Afrikani » në 2004, para se të frymëzohet nga nëna e tij për personazhin e Etel Brun, tek « Refreni i urisë ».

Është njëri nga autorët francezë më të përkthyer në botë.

Jeton me gruan e tij të dytë Jemia dhe dy vajzat e tij, në Albuquerque (Meksika e Re, SHBA. J. M. G. Le Clézio deklarohet shumë i afërt me Islamin dhe në veçanti me sufizmin.)

Vepra

  • 1963 :  Çmimi Renaudot për Proces-verbali
  • 1972 : Çmimi Valery-Larbaud (ex æquo me Frida Weissman)
  • 1980 : Çmimi i madh i letërsisë Paul-Morand i Akademisë franceze për të gjithë veprën e tij, me rastin e daljes së « Shkretëtira »
  • 1992 : Çmimi ndërkombëtar i Bashkimit latin të letërsive romane
  • 1996 : Çmimi i telespektatorëve të France Télévisions, « Karantina »
  • 1997 : Çmimi i madh Jean-Giono, për të gjithë veprën
  • 1997 : Çmimi Puterbaugh
  • 1998 : Çmimi Prince-Pierre-de-Monaco, për të gjithë veprën dhe me rastin e daljes së « Peshku i artë »
  • 2008 : Çmimi Stig Dagerman, për të gjithë veprën me rastin e daljes suedeze të « Raga, Afrimi i kontinentit të padukshëm ».
  • 2008 : Çmimi Nobel i letërsisë.
  • 1 janar 2009 : Oficer i Legjionit të nderit.
  • Shtator 2010: Merr Shqiponjën azteke, nga ministria e puneve të jashtme të Meksikës.
  • Asteroidit (19132) Le Clézio, i vihet emri i tij.
  • Botim origjinal i klarabudapost