Pas shumë përpjekjesh, më 13 qershor 1998 Presidenti francez Jacques Chirac (Zhak Shirak) e priti Dr. Rugovën në Palais de l’Elysée. Ishte një ditë e shtunë, është një kujtim i paharruar. Atë kohë punoja si këshilltare në departamentin e medias në UNESCO dhe korrespondente prej Parisi për BBC-në Londër. Ndërsa prisnim për të regjistruar konferencën për shtyp që jepet në rastet e takimeve të dy Presidentëve në funksion, këshilltari i shtypit të Elizesë na komunikoi se do të kishte vetëm një seancë fotosh dhe një falenderim të liderit kosovar. Kjo do të thoshte se Presidenti Chirak nuk do të fliste, gjë që nënkuptonte se atij nuk duhet ti bëheshin pyetje. Republika e Kosovës, megjithëse legjitime, ishte në atë kohë e panjohur nga Franca. Presidenti Chirac nuk mund ta priste Presidentin Rugova në titullin e Presidentit. Për ta bërë këtë ai, më parë, duhej të njihte Republikën e Kosovës. Kur presidentët dolën në oborrin e Elizesë duke njohur protokollin dhe vendosjen e presidentëve, qendrova afër vendit ku do të vinte Presidenti Jacques Chirac. Gazetarët e bombarduan me pyetje Presidentin Rugova, por askush nuk i bëri pyetje Presidentit Chirak. Personalisht e dija se çfarë duhet të bëja. E shkela protokollin dhe e pyeta Presidentin francez, pothuaj si me lutje, mbi pozicionin e Francës. Më e keqja që mund të ndodhte ishte që Presidenti të mos përgjigjej, pasi ne ishim paralajmëruar se nuk do të kishte pyetje. Por edhe ai e shkeli protokollin dhe u përgjigj. Po e jap të plotë thelbin e përgjigjes së presidentit francez Jacques Chirak, për të cilën me modesti, kontribova unë vetë:« Sot në Kosovë ne jemi në një situatë afërsisht të të njëjtës natyrë [si dikur në Bosnje]. Gjithsejcili e sheh mirë që ka një nderhyrje brutale nga ana e Serbëve që shkakton exodin e kosovarëve, që shkakton konfliktet, të vrarët, se egziston në realitet një vullnet i pastrimit etnik, që po përseritet. Kjo gjë është e papranueshme dhe duhet të marrë fund. Nëse kjo do të vazhdonte, do te kishte rrezik të madh, pasi konflikti do të perhapej në ansamblin ballkanik. Në këto kushte Franca ka një pozicion të thjeshtë: duhet të perdoren gjithë mjetet duke përfshirë dhe ato ushtarake, për të vendosur paqen. Vendimet e para të NATO-os u morrën në këtë frymë, që përkon me pozicionin Francez dhe me domosdoshmërinë. Ne dëshirojmë që aksionet eventuale ushtarake të miratohen në unanimitet, në gjirin e grupit të kontaktit dhe mendoj se kjo është e mundur. Ne e mbështetëm menjëherë rezolutën që kërkon autorizimin e Këshillit të Sigurimit për të reaguar në mënyrë ushtarake nese del nevoja dhe urojmë qe vendimet të merren në gjirin e Këshillit të Sigurimit. Këtë të djelë do të behen veprimet e para, të hënën do të zhvillohen bisedimet midis Eltsinit dhe Milosheviçit, dhe shpresoj se do të arrijmë ndalimin agresionit të Serbëve në Kosovë, në të kundërt do të përdoren të gjitha mjetet duke perfshirë dhe ato ushtarake. »
Ishte një deklaratë e fuqishme në mbështetje të Kosovës, e bërë për herë të parë nga Franca në këtë nivel, Presidentit Rugova i ndriçonin sytë. Duke u larguar, ai përsëriti shprehjen e tij origjinale, tashme të zakonshme: « L’independance pour Kosova! » (Pamvarësi për Kosovën!).
Marrë nga libri Kosova mon amour!