HEROI – SI HUMBI VDEKJA PSIKOLOGJIKE NË VERSIONIN FINAL

“Fatkeqësisht, në montazh theksi u vu tek elemente thjesht lokale, çka e redukton heroin në spektator të një vargu pa fund ngjarjesh në vend që të ishte rrugëtimi i dhimbshëm i njeriut të harruar. Fatmirësisht, interpretimet janë aq solide sa të shkëlqejnë përmbi këto kufizime.” RS

KLARA BUDA
Roger Simonsz as courtesy of M. Prechac

Roger Simonsz, drejtori i fotografisë tek filmi Heroi flet rreth përvojës së tij të parë në një projekt kinematografik shqiptar.

“Eksperimentuam me motivet e vdekjes fizike e psikologjike dhe mbijetimin e luftës […], por vërejtëm se po bënim dy filma të ndryshëm. Disa kineastë i bëjnë filmat në bashkëpunim, të tjerë pëlqejnë të imponojnë idetë e tyre, qoftë nëse këto funksionojnë apo jo” (RS)

KBP – Roger Simonsz, ju jeni drejtor i fotografisë në filmin Heroi, me regjisor Luan Kryeziun. Cili ishte perceptimi juaj i Heroit?

RS – Qysh në fillim synoja që filmi t’i fliste një publiku ndërkombëtar të gjerë. Patëm shumë diskutime me regjisorin dhe e kuptova se një publik lokal do të ishte paraprakisht në anën tonë për shkak të temës, por ajo që më interesonte ishte kërkimi i të vërtetave universale në ngjarje, në mënyrë që me filmin të identifikoheshin të gjithë, jo vetëm shqiptarët. Eksperimentuam me motivet e vdekjes fizike e psikologjike dhe mbijetimin e luftës. Arben Bajraktaraj u fut në mënyrë të përsosur në personazhin e heroit, për të cilin nuk jemi krejt të sigurt nëse i mbijetoi luftës apo jo. Kjo e bën vërtet intriguese ngjarjen dhe i lejon publikut ta ndjekë rrugëtimin e tij, pavarësisht nga vendi në të cilin ndodh ky i fundit.

KBP – Ç’mendim keni për versionin përfundimtar të montazhit?

RS – Fatkeqësisht, në montazh theksi u vu tek elemente tipikë lokale, çka e redukton heroin në spektator të një vargu pa fund ngjarjesh në vend që të ishte rrugëtimi i dhimbshëm i njeriut të harruar. Fatmirësisht, interpretimet janë aq solide sa të shkëlqejnë përmbi këto kufizime.

KBP – Si ishte bashkëpunimi juaj me regjisorin Luan Kryeziu? A bashkëpunuat për montazhin përfundimtar të filmit?

RS – Xhirimi i një filmi me një regjisor fillestar përbën gjithmonë sfidë për drejtorin e fotografisë. Nuk ekzistonin punë të mëparshme për t’u këqyrur, dhe për të parë nëse regjisori ka një qasje të veçantë ndaj përmbajtjes.

Një tjetër element ndërlikues ishte fakti se nuk flisnim të njëjtën gjuhë dhe shpesh më duhej ta t’ia qëlloja synimin e një skene. Ndërkohë që vërtet besoja se regjisorit i pëlqente ideja e trajtimit të heroit si person që mund të përfytyrohej se kishte vdekur psikologjikisht, doli se ai nuk e kishte mbështetur realisht atë qasje, çka nënkuptoi se ne kishim qenë duke bërë dy filma të ndryshëm.

KBP – Si ju duket ideja e vendosjes së aktorëve në skena të bukura të natyrës, çka do të ishte me vend ngaqë çifti, duke mos pasur shtëpi, jetonte pothuajse jashtë? A do të ndihmonte kjo në shkrythjen e publikut mes gjithë atyre skenave të rënda mjerimi?

RS – Më duket se është e vështirë të shkëputet skenografia nga ngjarja, duke qenë se ajo ndodh në Kosovë dhe u filmua në Kosovë. Idealisht do duhej xhiruar në dimër e jo në mes të verës, por filmat me buxhet të ulët nuk e kanë luksin të presin stinën e duhur. Personalisht nuk e ndjeva nevojën për seksionin “turistik” të filmit, ku heroi e çon fëmijën e vet në Prishtinë. Për mua, ai funksionon më mirë si personazh i skajshëm i shoqërisë që bën një jetë larg qytetit të madh.

KBP – Thatë: “ Ne* kishim qenë duke bërë dy filma të ndryshëm”. A është e mundur të bëhen dy filma të ndryshëm nga i njëjti material?

RS – Aty nga fundi i filmit patëm një diskutim me regjisorin Luan Kryeziu, kur i tha Arben Bajraktarajt dhe mua se nuk mendonte që kishim bërë versionin e diskutuar paraprakisht me të, por versionin që ai kishte në mendje. Kjo na habiti pak, por kur pamë se në procesin e montazhit ai hoqi gjithçka që mund të potenconte idenë mbi të cilën kishim punuar Arbeni dhe unë, [pra vdekjen psikologjike] u bë e qartë se ai nuk e kishte ditur kurrë se si ta realizonte atë. Në një çast, në proçesin e montazhit, unë propozova një version që e mbështeste këtë, por regjisori e hodhi poshtë. Si pasojë, është vërtet e mundur që të kesh dy filma nga i njëjti material, kjo varet nga montazhi. Regjisori ka versionin e tij shumë lokal, semi-politik, që pëlqehet (tërheq) tregun lokal, por versioni i cili, për mendimin tim, do t’i kishte folur një publiku më të gjerë, u pa nga fare pak veta. Është filmi i tij, ai mund të bëjë çfarë dëshiron; tek e mbramja, disa i bëjnë filmat me bashkëpunim, të tjerë imponojnë idetë e tyre, qoftë nëse këto funksionojnë apo jo.

Përktheu nga anglishtja Edin Q. Lohja Lexoni versionin origjinal në Anglisht English Version

*Ju dhe regjisori

 

 

As courtesy of Luan Kryeziu

 

Arben Bajraktaraj as courtesy of Delphine Cohen

 

 As courtesy of Roger Simonsz