Heroi, i dobsuar nga “ lufta” mes lokales dhe universales

” Shkëmbi – personazhi i heroit, nuk jeton në të njëjtën kohë me të tjerët, si qëndrimin e trupit ashtu edhe të folurit i ka paksa të ndryshme nga të tjerët. Trupin në një kohë, shpirtin në një tjetër – ballafaqim dualiteti – ka qenë sfida e përditshmëris së xhirimeve për mua. Dhe jam munduar t’a mbaj këtë linjë falë ndihmës së jashtëzakonshme të Roger Simonszit, një profesionist i mirënjohur që erdhi të na ndihmoi për filmin dhe me të cilin ndaja mendime të përbashkëta, visionin e një heroi të shkatëruar nga lufta” AB

Ju mund ta ri-publikoni këtë intrevistë falas, të plotë e të pandryshuar, duhet vetëm të citoni “Marrë nga KlaraBudaPost”.

KLARA BUDA
Arben Bajraktaraj as courtesy of Delphine Cohen

New York 20 tetor 2014

Filmi Heroi hapi natën e parë të Festivalit të Filmit Shqiptar, të enjten më 2 Tetor, në SVA Teater 333 West 23rd street, NYC. Me regji dhe skenar te Luan Kryeziut dhe në kast emra të mirënjohur si Arben Bajraktaraj, Cun Lajçi filmi pati fatin të xhirohet nga një figurë e drejtimit të fotografise si Franko-Hollandezi Roger Simonsz.

Vlen të vlerësohet guximi i skenarit, dhe për këtë Luan Krueziu, për të trajtuar një temë të ndjeshme si ajo e mentalitetit mafioz e të marifeteve që rregullojnë jetën në mjaft vende të Ballkanit e ku dinjiteti njerzor shpesh nëpërkembet e njeriu i ndershëm merr vendin dhe rolin e Donkishotit. Vlerat morale të heroit në ndeshje me modelin dominant e çojnë këte të fundit në një dëshpërim paralizues për ta degraduar më pas në stadin më të ulët, atë të humbjes së gjithshkaje, të punës, familjes e madje edhe të Atdheut.

Luan Kryeziu ne AFF-2014

Luan Kryeziu Adriana Morina Cun Lajci AFF, 2014

Në këtë pikë të fundit filmi cek, megjithëse vetëm tangent fatin e gjithë refugjatëve, që në një mënyrë apo në një tjetër kanë dështuar të kenë sukses në vendin e tyre, më tepër për pa aftësi përshtatjeje me një tendencë drejt degradimit të vlerave, sesa shkurt për pa aftësi.

Kasti cilësor, Arben Bajraktaraj në rolin e Heroit, drejtori i fotografise Roger Simonsz, Çun Lajçi, në rolin e një “ ndihmës” hero-i dhe punues varresh, por edhe rolet e dyta si Selman Lokaj, pronari i një kafeneje fshati, Adriana Morina, gruaja e Heroit janë kreditet e pazëvëndësueshme të këtij filmi që ngërthen një histori të vecantë, për të cilën vlen të lëvdohet skenaristi dhe regjizori Luan Kryeziu për aktin e tij të fuqishëm qytetar. Nuk është e lehtë të trajtosh një tëmë të tillë, në Kosovë, megjithëse kemi të bëjmë me fiksion.

Arben Bajraktaraj është me plot gojën aktori më i mirënjohur shqiptar i gjeneratës së re, të ardhur nga trojet shqiptare, i cili ka spikatur në lojën e tij në filma si Taken, në rolin e Markos, Antonin Dolohovit të Harry Potter and the Deathly Halloës, Mr Starzinskit të Sarah’s Key, Hardquanon-it, adaptimi i romanit të Viktor Hugo-së Njeriu që qesh etj. Ai, edhe një herë më shumë dëshmon për artin e tij, të cilin e ngre shkallë më lart, në një karierë tanimë të shkëlqyer, duke dhënë një lojë të arrirë në detajet më të holla. Në lojen e Heroit çdo xhest, çdo dialog është i krahasueshem e në nivelet më të larta të realizuara ndonjëherë në kinema. Kjo lojë të kujton Adrien Brody, tek Pianisti me regji të Roman Polanskit dhe skenar të Ronald Harëood, në dramën historike që fitoi aq shumë çmime.

Drejtori i fotografisë është Franko-Hollandezi Roger Simons që ka punuar me disa nga emrat e mëdhenj të kinemase si Brian de Palma (Femme Fatale, Gruaja Fatale), David Frankel (The Devil Wears Prada, Djalli vishet me Prada) apo në seri si “ Spiral”. Vërtet fat që një drejtor fotografie i këtij kalibri ka xhiruar Hero-in, një film me buxhet të vogël.

Cun Lajçi me një art të përkorë dhe me një stil të pa krahasuar në kinemanë shqiptare ka kontribuar shumë në krijimin e personazhit të fshatarit të thjeshtë dhe siç e tha edhe në debatin pas premieres së filmit, ka peshuar, punuar dhe përmirësuar dialogjet duke i bërë ato dhe gjithë skenarin më reale. Në këtë pikë, të njëjtin rol ka luajtur edhe Afrben Bajraktaraj që shpesh ka zëvëndësuar dialogun me shprehjen mimike të ndjenjave. Cun Lajçi, në llojin e vet, spikat dhe pamvarësisht nga koha më e vogel filmike e një personazhi dytësor arrin në dimensionin e një roli të dytë të shkëlqyer. Karakteri i tij është i arrirë, i goditur, i vërtetë dhe pragmatik si një fshatar autentik.

Filmi ia del të universializojë mesazhin mbi fatin jo vetëm të heroit në një vend të vogël si Kosova por më larg, fatin e njeriut të drejtë e të ndershëm në përgjithësi. E kjo jo vetem në situata si ato të pasluftës në një vend të vogel Ballkanik, por në përgjithësi fatin e njeriut që përpiqet të ruajë vlerat njerzore e humane, që shoqëritë moderne po i nxjerrin jashtë kohe.

Rreth tre vjet më parë pas përfundimit të xhirimi të Heroit pata fatin të shoh në Paris, një version të filmit, atëher një montazh në progress që më kishte pëlqyer shumë.

Roger Simonsz as courtesy of M. Prechac

Roger Simonsz as courtesy of M. Prechac

Ai version, në të cilin aderonin drejtori i fotografisë dhe aktori kryesor, e që nuk u pranua nga rregjizori, vinte në skenë një Hero që nuk i kishte mbijetuar luftës, diçka ishte thyer pa kthim brenda tij. Heroi ishte në një endje të përherëshmë mes jetës e vdekjes, por më shumë i vdekur se i gjallë. Në këtë dimension Arben Bajraktari përkonte pikë për pikë dhe loja e tij është e besueshme. Ai ka punuar në mënyrë personale për këtë rol:” Kam dëgjuar shumë për heroizmin e një shoku të fëmijërisë, por kurrë nga ai vetë. Sytë e tij heshtnin kur flitej për luftën, sikur s’kishte qenë vetë ai. Një tjetër kohë, një tjetër njeri. Edhe Shkëmbi – personazhi i filmit është i tillë, ai nuk jeton në të njëjtën kohë me të tjerët, si qëndrimin e trupit ashtu edhe të folurit i ka paksa të ndryshme nga të tjerët. Trupin në një kohë, shpirtin në një tjetër – ballafaqim dualiteti – ka qenë sfida e përditshmëris së xhirimeve për mua. Dhe jam munduar t’a mbaj këtë linjë falë ndihmës së jashtëzakonshme të Roger Simonszit, një profesionist i mirënjohur që erdhi të na ndihmoi për filmin dhe me të cilin ndaja mendime të përbashkëta”: visionin e një heroi të shkatëruar nga lufta.

Në këtë kendvështrim, është e qartë se psë Heroi nuk reagon në situata ku çdo njëri normal do të reagonte. Madje disa hollësi të skenarit në dukje anësorë si p.sh: Heroi bëm gjithshka është e mundur për të rregulluar varrin e një ish bashkluftëtari, ndërkohë që shtëpinë e tij e ka lënë në rënim, marrin më shumë kuptim.

Por filmi, versioni final, që paraqet kendveshtrimin e regjizorit – normal ështe fimi i tij – i ka hequr Heroit dimensionin e vdekjes psikologjike, dimension në të cilin do ta gjenin vetveten gjithë ushtarët e traumatizuar nga lufta dhe nga çfardo lufte pamvarësisht nga koha dhe vendi. Pra dimension universal! Gjithashtu eleminimi i vdekjes psikologjike ka nxjerrë shpesh nga konteksti lojën e Arben Bjraktarajt, ku Heroi disa herë duket më shumë si një qënie e dobët pa iniciativë, se sa një i vdekur mes të gjallëve.

Mentaliteti predominues i madheshtisë legjendare

Heroi, viktimë e emrit dhe e figurës së tij vdes për bukë së bashku me familjen e tij, e detyrohet të shësë gjakun e vet, në një kohë që një bashkfshatar nuk i jep një punë në restorantin e tij, sepse nuk e sheh dot atë, Heroin të “katandiset” në nivelin e një shërbyesi. Këtij dimensioni që është pasqyrë e mentaliteti dominant të madheshtisë legjendare shqiptare mund ti ishte mëshuar më shumë në film. Trajtimi i kësaj madhështie, mospërputhja e vlerave të reja me ato tradicionale, një nga challenge-t e shoqërisë së sotme shqiptare, do ti jepte filmit një dimension avant-gardë, që gjithsesi e ka arritur disi, në një kinema nacionale të Shqiperisë, të ndikuar thellësisht e për dekada të tëra nga realizmi socialist e Heroi Pozitiv.

Segmentimi i linjës kryesore

Linja kryesore e filmit dëmtohet nga zgjatjet e peripecive të Heroit që e segmentojnë dhe e zbehin mesazhin kryesor të filmit, duke ju shtuar njëra tjetrës pa e çuar përpara linjën dramaturgjike. Kjo e shpërqëndron shikuesin, duke e afruar filmin me elementë të filmit dokumentar.

Në bisedën që pata me regjizorin, ai mbështeti idenë se kjo nuk mund të konsiderohej kursesi si një mangësi e filmit, por është rrjedhojë e zgjedhjes së tij për të qënë sa më afër realitetit e për të treguar ndikimin e kushteve në shkatërimin e Heroit.

 

Gjetje origjinale dhe klishe

Ndërkohë filmi ka gjetje simpatike si dhurata e pulës, një dhuratë aq origjinale në një aspekt, po aq komike në një tjetër, dhe humbja e saj, si një paralele e humbjes së vlerës së Heroit, deri në degradimin e tij në një varfëri totale e në një stad që jepet metaforikisht në ëndren për të vjedhur një pulë. Shkëmbimi mes skenave paralele të Heroit që vrapon në betejë dhe të Shkëmbit që ka vjedhur një pulë ështe një gjetje origjinale dhe e xhirruar me art.

Skenari ndërkohë vuan nga gabimet klasike të skenarëve të parë, ku autori e ka të vështirë të eleminojë një variant për tja lënë gjithë vendin një tjetri, më të arrirë, nuk heq dot asgjë nga ato që ka shkruar edhe kur është e qartë se ato nuk e ndihmojnë përparimin e intrigës. Kështu në fund të filmit parakalojnë nga realiteti tek endra disa zgjidhje të mundëshme të intrigës: nga një vrap i Heroit për të vjedhur një pulë i dhënë paralelisht me vrapin e tij në betejë, vetvrasja e Heroit dhe varrimi me një ceremoni klishe të pershëndetur nga pushtetarët, vjedhja nga Heroi me dhunë e pasagjerëvë të një autobusi, të gjitha funde të mundëshme këto, para fundit të vërtetë, atij të largimit të Heroit me një valixhe në dorë.

Kjo klishe e ikjes me valixhe mund të ishte evituar! Aq më tepër që në variantin që kisha parë në Paris largimi i Shkëmbit nga shtegu i refugjatëvë – bëhet thjesht me një efekt “dissolve” në kohë muzgu, që është edhe muzgu metaforik i Heroit, një zgjidhje shumë e bukur e origjinal.

Metafora e kepucës që arnon Heroi, vjen e rivjen deri në revoltën e të shoqes dhe përçon bukur mesazhin se në statusin mendor të Heroit, diçka është e dalë kohe ose nuk funksionon mirë. Ndërkohë, konflikti me të shoqen, po të zhvillohej më tej se një ose dy akte të veçuar do të ishte një rrugë e mirë për të vënë para pasqyres arkaiken dhe flluckën jashtë realitetit ku jeton Heroi dhe njëkohësisht do të ndihmonte në rritjen e të dy karaktereve dhe në zhvillimin e linjës dramaturgjike, që duket sikur ngec në mes të filmit.

Mungesa e skenave të dashurisë

 Filmi vuan ende nga tabuja e skenave të dashurisë sikurse filmi shqiptar në përgjithësi, ku shpesh i vetmi komunikim mes dy sekseve ngelet një përkëdhelje flokësh. Skenat e dashurisë mes personazhit kryesor dhe të shoqes, janë të domosdosme në një histori si ajo e Heroit sepse do ti jepnin besueshmëri lidhjes së çiftit që i reziston kushteve ekstreme. Dashuria e vecantë që e mban këtë cift ende të bashkuar edhe në kushtet më të mjera, nuk shprehet në film.

“ Kjo dashuri është e imagjinueshme lehtë dhe ska nevojë për skena” mendon regjizori Luan Kryeziu, që nënëvizon se “jo çdo film duhet të ketë skena dashurie!”

Por ndërsa një audience lokale mund ta konsiderojë zgjatjen e egzistencës së çiftit si resultat i respektimit të vlerave tradicionale të familjes shqiptare ku gruaja nuk e lë cerdhen në asnjë rrethanë, shikuesi perëndimor rrezikon të mos kuptojë asgjë.

Kjo mungesë krijon konfuzion tek shikues perëndimor, madje ka pasoja dhe kufizon edhe lojën e heroit, i cili në skenat me të shoqen disa herë duket si i penguar.

E vetmja skenë intime, në versionin parizian – tentative e një puthjeje –në momentin që Heroi del nga dushi i improvizuar, është prerë në versionin final!

Karakter i redukatuar i gruas

Adriana Morina në rolin e gruas së Heroit, që morri çmimin e aktores më të mirë, në Festivalin e Filmit Shqiptar në New York meriton të shënohet për një lojë të ndjerë. Por mungesa në skenar e reaksionit të saj ndaj mënyrës se si i nënshtrohet kushteve Heroi, ashtu sikurse edhe mënyra e ikjes prej tij e ka bërë atë të zbehtë si karakter.

Kjo së bashku me mos evoluimin dhe emancipimin e figures së saj, megjithë praninë e të gjitha kushteve për këtë është një dobsi tjetër e filmit. Në fillim, pas të shoqit dhe më vonë pas të atit, gruaja e re nuk ka vecse një rol pasueseje. Eshtë e pa imagjinueshme se tek ky karaker femëror nuk shohim asnjë përpjekje vetjake për të dalë nga rrethanat në të cilat gjendet çifti. Ajo është reduktuar në një amvisë arkaike shtëpie, që pret gjithshka nga burri!

Figura e dytë femërore e vetme e filmit, gruaja e një prej bashkëfshatarëvë të Heroit, jepet gjithashtu në posicion pasuese-je, “shko prit në makinë” e urdhëron i shoqi, siç do të bënte me një fëmijë minor.

Mbi këtë fakt, rregjizori Luan Kryeziu e mbron kështu zgjedhjen e tij:” Roli i gruas, sikurse ai i personazheve të tjerë të dytë janë mbështetës të personazhit kryesor. Në këto kushte nuk duhej të mëshonin më shumë në gruan e ti jepnim asaj një rol më të madh se Heroi. Po të rritej më shumë gruaja ajo do të dominonte personazhin kryesor. Gjithashtu nëse gruaja merr më shumë rol, presionin ndaj Heroit do ta bëntë gruaja dhe jo rrethanat.”

Rolet e dyta 

Vlen te përmenden se rolet e dyta te realizuara bukur nga Cun Lajçi, Selman Lokaj, Saleatin Bilali, Xhemi Agaj, Enver Petrovci, për të përmendur vetëm disa, e arrijne qëllimin e tyre, megjithëse një numër skenash në film janë të dobta dhe të shpëtuara për një fije nga kasti, në kontrast me skena të tjera të shkëlqyera.

Djali i Heroit i lujajtur nga vogëlushi Glauk Haxhihaj është i besueshëm e i arrirë.

 

Skena pak të besueshme, të munguara dhe shpëtimtare

Ndërkohë nje numër mangësish dhe kufizimesh të tjera, mendoj se vlen të nënvizohen për të kuptuar për shëmbull se pse filmi megjithëse është seleksionuar në festivale si ai i Montrealit, nuk mundi nga ana tjetër të seleksionohej në Cannes, kjo në një kohë që kemi të bëjmë më një histori të veçantë që vetëm pak e pengon që të ishte e madhe.

Skenari, çalon që në fillim, në skenën e betejës që krijon Heroin. Kjo skenë e vështirë për tu realizuar duket si një “deus ex machina”, pasi nuk është aspak e besueshme se si tre fshatarë arrijnë të sprapsin një numër të madh trupash. Në këtë skenë mungon një gjetje origjinale dhe kjo e cënon që në fillim cilësinë e filmit dhe e ul pritshmërinë e spektatorit.

Nga ana tjetër nuk është e besueshme se pse Heroi, që punon si mësues, shtatë vjëtë që prej mbarimit të luftës, vazhdon të rrojë në cadër. Ai duhet të kishte mjetë të paktën për të marrë një shtëpi ose apartament me qera. Kjo situatë mer kuptim, në rastin e versionit kur Heroi nuk i ka mbijetuar luftës.

 

Skena e largimit të Heroi nga puna është gjithashtu pak e besyeshme, ndërsa mos reagimi i tij kundrejt një pushimi pa arsye tingëllon madje absurd, e duket një skenë e dobët në këtë version të filmit; në versionin fillestar kjo skenë nuk egziston dhe është zëvendësuar me dhënien informacionin të humbjes së punës nga vetë Heroi.

Skenat e heshtura që shprehin gjendjen shpirtërore të heroit, luajtur me art nga Arben Bajraktarajt – një numër i madh i të cilave janë prerë në variantin final –  përbëjnë një vlerë të shtuar të filmit. Bajraktaraj ka luajtur në një nivel psikologjik, duke bërë shpesh ndryshimin e skenarit përsa i përket rolit të tij. :”Të gjithë luftëtarët që kam njohur (flas për ata që kanë përjetuar edhe gjëra të rënda gjatë luftës) kanë një gjë të përbashkët: heshtjen. Ata janë fjalëpakë dhe regjisori habitej kur unë i thosha se Shkëmbi në këtë skenë nuk flet apo edhe po foli thotë një, a dy fjalë, por jo gjithë ato fjali të shkruara në skenar. Ndoshta aktorët kanë qejf të thotë sa më shumë fjali, por jo Shkëmbi – personazhi dhe ky jo, nuk mund të flasi në këtë skenë, se po foli do dali diçka krejt tjetër. Kështu dalëngadalë filloi ndërtimi i skenave paksa më të thukta duke kërkuar vetëm substancën e nevojshme dhe duke lënë anash elementët parazitë të skenarit.” 

Klishetë e diskutimeve zyrtare hipokrite, mund të zëvëndësoheshin me një mënyrë metaforike, më të hollë për të treguar se sistemi është i kapur.

Një numër skenash të takimit të Heroit me pushtetin janë të lehta dhe madje disa herë, madje të lozura keq.

Skenat e natyrës së bukur janë një mundësi e munguar e pa shfrytëzuar në film. Kosova ku është xhiruar filmi ka një natyrë të bukur, skenat e kësaj natyre mund të ishin përdorur në film, pasi çifti jeton gati jashtë dhe kjo do ti kishte bërë të mundur shikuesit të merrte frymë në mes të skenave creshendo të mjerimit ekstrem, që parakalojnë nga fillimi në fund duke krijuar një atmosfere dëshpëruese.

Rregjizori mendon se:” situata dhe zhanri i filmit nuk lejonë të fotografosh pamje të bukura, filmi është i tillë që të jep përshtyjne se është jetë reale.”

Por pyetjes sime nëse ai e vendos filmin e tij mes dokumentarit dhe fiksionit Regjizori iu përgjigj:” Jo ky është një film autorial. Në të nuk ka antagonizëm, janë vetëm rrethanat që e krijojnë antagonizmin. Nuk ka një film tjetër të ngjashëm sikurse filmi Heroi.”

Skena ku miqtë këndojnë këngën e Rexhës (Cun Lajçi shkelqen në të) dhe humori, përgjithësisht i arrirë po nga ky aktor janë ndër pauzat e vetme në dëshperimin e thellë të shumicës së skenave të filmit.

Cun Lajçi, i pranishëm në premierë, foli për filmin e për situatën në Kosovë, si një deshmimtar i rrallë okular dhe artistik i gjithshkaje që ka kaluar lufta e paslufta, ku ai vetë me historinë e tij, ishte një tjetër Hero, e kësaj rradhe, jo Hero fiksioni!

Mes lokales dhe universales, Roger Simonsz

Drejtori i fotografisë Roger Simonsz pohon se fatkeqesisht kendveshtrimi i tij dhe ai i regjizorit kanë qënë shumë të ndryshëm:” Që në fillim unë u përpoqa për të bërë një film që të fliste për një audiencë të gjerë ndërkombëtare. Kemi pasur shumë diskutime. Unë e dija se nga subjekti ne e kishim tashmë një audiencë locale. Ajo që më interesonte mua ishte kërkimi i të vërtetave universale kështu që të gjithë, e jo vetëm shqiptarët, të mund të identifikoheshin me filmin. Ne kemi luajtur me temat e vdekjes, vdekjes psikologjike dhe mbijetesës së luftës. Arben Bajraktaraj e ka gjetur në mënyrë të përkryer karakterin e Heroit që tregon se për ne nuk është e sigurt nëse ai mbijetoi luftës apo jo. Kjo i jep atij një përparësi të vërtetë në histori dhe i lejon audiencës të ndjekë udhëtimin e tij pa marrë parasysh se në cilin shtet ndodh ngjarja. Për fat të keq në versionin përfundimtar theksi është vendosur në elementet thjesht lokalë të historisë, gjë e cila e redukton Heroin në një seri të pafund të ngjarjeve në vënd që të jepte udhëtimin e dhimbshëm të një njeriu të harruar. Për fat të mirë loja aktorëve është aq e fortë sa që i lejon të shkëlqejnë gjithsesi.”

Një « risi » në festivalit e filmit shqiptar në Në York

Adriana Morina, në rolin e gruas së Heroit fitoi çmimin aktorja më e mirë. Eshtë vështirë të kuptohet se pse çmimin e aktorit më të mirë nuk e fitoi Arben Bajraktaraj, në rolin e Shkembit, në një kohë që filmi fitoi çmimin e skenarit më të mirë dhe filmit më të mirë të festivalit. Normalisht kur filmi fiton këto dy çmime, aktori kryesor i tij merr çmimin e aktorit më të mirë. Pasi është evidente se në rastin e një loje të dobët të personazhit kryesor është vështirë të arrihet tek çmimi: filmi më i mirë! Fakti se Adrina Morina e luan më së miri rolin e saj, nuk e ndryshon aspak këtë analizë.

Po e mbyll këtë analizë duke perifrazuar drejtorin e fotografisë, Roger Simonsz, se regjizori e bën si të dojë filmin, por ka njerëz që punojnë në mënyre kolegjiale dhe të tjërë që ua imponojnë idetë e tyre të tjerëvë edhe kur këto nuk ecin. Kjo më tingëlloi si nje si aforizmë që tejkalon fushën e kinemase e shtrihet përtej saj.

 

Një versioni i shkurtër i këtij shkrimi është botuar më 20 tetor, nga Gazeta Shqip 

Ekspress, Kosovë, 21 Tetor –

Shqip