Është i arsyeshëm mobilizimi i grave për ruajtjen e vendeve në Parlamentin e Kosovës, në zgjedhjet e parakohshme, që do të mbahen në këtë qershor, pas zhbërjes së Kuvendit të Kosovës majin e kaluar, që do te thotë ruajtja me çdo kusht e kuotës prej 30 për qind.
“Çdo shoqëri është e dobësuar, kur nuk e përdor gjysmën e popullsisë së vet”, ndanë mendimin ish-sekretare e shtetit amerikan, zonja Madeleine Albright (Medlin Ollbrajt). Sikur të përfillej ky mendim i artë i saj në shoqërinë shqiptare, sa përpara do të shkonin gratë në çdo aspekt! Në këtë kontekst, pra, është e arsyeshme ngritja e zërit të grave në vazhdimësi, sidomos tek ne kur edhe pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet e ardhshme nacionale, të parakohshme, që do të mbahen në këtë qershor, pas zhbërjes së Kuvendit të Kosovës, këtë maj. Është i arsyeshëm mobilizimi i tyre për ruajtjen e vendeve në Parlamentin e Kosovës, që do të thotë ruajtja me çdo kusht e kuotës prej 30 për qind.
Praktika e zbatuar në vitet e mëparshme, do të duhej të vazhdonte edhe në Zgjedhjet e 8 qershorit 2014.
Veçse, të kujtojmë të dhënat se në gjithë botën, edhe në shtetet më të përparuara, gruaja është ajo që ende lufton për të zënë pozitat që i takojnë ose që i meriton. Një ndër shembujt më të mirë për gratë kosovare është edhe angazhimi i vetë zonjës Albright, e cila, duke folur për rrugën e saj politike, thotë me një rast se problemet më të mëdha i kishte me burrat në qeverinë e saj. Ndërsa te kancelarja gjermane, Angela Merkel, ajo sheh diçka të sajën: ndjenjën se nuk e patën lehtë rrugën deri në maja dhe se kolegët burra akoma vazhdojnë t’i shikojnë me skepsë!
Sukseset e femrave të tjera, mbase do të duhej të ishin model dhe mbështetje edhe për gratë kosovare, ato që mëtojnë të angazhohen seriozisht dhe të dëshmojnë përgatitjen dhe aftësinë e tyre në sferën politike.
Ish-sekretarja amerikane angazhimin e saj për të drejtat e gruas nuk e sheh si mision fanatik, por si punë të përditshme. Ajo beson se gratë që nuk i ndihmojnë simotrat e tyre, vendin e kanë në ferr! Prandaj, gratë tona duhet të jenë të përgatitura për përkrahjen që duhet t’ua bëjnë kandidateve gra në zgjedhjet e qershorit, në mënyrë që të mos e “rezervojnë” vendin në ferr! Kjo përkrahje, që, natyrisht, do t’i jepte përparësi në plan të parë – aftësisë dhe zotësisë, do të ishte garanci për të siguruar vendet e pretenduara në parlament, sidomos kur dihet se 50-përqind të popullsisë kosovare e përbëjnë gratë!
E, dihet, kohët kanë ndryshuar, Kosova ka gra të arsimuara, të ngritura, të emancipuara, që më aftësitë e tyre u dëshmuan në çdo aspekt, qoftë në luftë, qoftë në paqe, qoftë në ndërtimin e shtetit të Ri të Kosovës. Tashmë është postulat se një shoqëri që nuk e çmon gjysmën e popullit të vet, nuk mund të ecë përpara!
Çdo hap i Kosovës drejt Bashkësisë Evropiane do të jetë i dështuar pa respektimin e të drejtave të grave dhe pa praninë e tyre në çdo nivel dhe në çdo pikëpamje.