Dhimbje dashurie…

“Ne nuk jemi kurrë më të privuar nga mbrojtja kundrejt vuajtjeve se sa kur dashurojmë, dhe asnjëherë më shumë në mjerim dhe ankth se sa kur humbim objektin e dashur apo dashurine e saj/të tij. “
Sigmund Freud.

Sokrat Habilaj

25 Nëntor 2015

 

KËTË GRUA

Këtë grua që po pi kafe e heshtur,

Dikur e kam lënduar, e lëndova kot.

Dhe ika, natyrisht jo për t’u fshehur,

Si t’i rrija pranë, kur të derdhte lot?

 

Ndoshta ika, si ikin të gjithë burrat,

Që një lot gruaje, i nxjerrë nga vetja.

E pastaj me inat, nisin e prishin urat,

Të mos e dëgjojnë, ç’thotë ajo tjetra.

 

Ndoshta nuk doja, ta dija se humbi,

E kur shpirti i saj, u gremisë në gju.

Mund t’i shikoj, plagët që lë plumbi,

Por kurrë një grua, të rrëzuar ashtu.

 

Dikur e kam lënduar, krejt pa burrëri,

Po dhe e kam pritur që të merrte hak.

Për mua të dilte, duke më zënë pusi.

Të më kthente baltën, balta ishte pak.

 

Kur më doli para, unë them, në pritë,

M’u kujtuan lotët, që hodhi për mua.

Unë i bërë burrë, i thash:-Më goditë!

-S’erdha të të vras, erdha të të dua!

 

S’mbante në duar, as armë, as sharje,

E pse ende plagë, kishte shpirti i saj.

Po ka një jetë, s’reshti me hakmarrje,

Duke më dhënë veten, që të ndjej faj.

 

 

KUR TË IKËSH NGA UNË

Ti do të ikësh nga unë pak nga pak,

Që unë të mësohem me ikjen tënde.

A thjesht të mendoj se do kthehesh prapë,

Muzgjeve të vjeshtës si vegim hëne.

 

Ti do të ikësh, por mos ikë e gjitha,

Që unë mos ta ndjej se të kam humbur.

A thjesht të më lesh pas ikjes si grimca,

Çdo pore të lëkurës që të kam puthur.

 

Ti do të ikësh nga unë pak nga pak,

Që të besoj se pendohet dhe vdekja.

A thjesht të gjej shpesh vetëm një shkak,

Për të të thënë sa shumë të desha…!

 

 

TI, KURRË S’MË NJOHE MUA

Rri e qetë, ti s’më njohe mua,

As unë s’të njoha asnjëherë.

Në këtë botë, je thjesht grua,

Unë, burrë si mijëra të tjerë.

 

Në të flet ty një yll pa dashje,

E ti thua një emër nëpër natë.

Rri e qetë, rri pra se më plase,

Është nata që fletë përçartë.

 

Në të duket, kur puth një tjetër,

Se ngjizen me të, buzë të ftohta.

Rri e qetë, ikja është e vjetër,

E vjetër është vdekja, sa bota.

 

Në druhesh se kush vjen më pas,

Gjen grimca aty, si mbetje zjarri.

Rri e qetë, burrat janë tuhafë,

Ndërsa thonë, për ty jam i pari.

 

Në trembesh nën lutje e klithma,

Se pa faj të tradhton ty qerpiku.

Rri e qetë, gratë dinake të gjitha,

E mbulojnë me dhè atë që iku.

 

Në të ndjej ty ende nën lëkurë,

A ti më ndjen se frymoj brenda.

Rri e qetë, s’të kam takuar kurrë,

Dreqi ta hajë, shohim dhe ëndrra.

 

 

EJA EDHE SI DHIMBJE!

Ti mos u trishto që unë jam kështu,

S’mund të jem ndryshe dhe po të dua.

Kur dhimbjet e mia, i harroj diku,

Dhimbjet e botës strehohen tek mua.

 

Ti mos u trishto, kur të shikosh lot,

A nëse dhimbjet më kanë lodhur mjaft.

Mos më merr inat që nuk i ndala dot,

Kur me dhimbjen më hodhën dhe baltë.

 

Ti mos u trishto për buzëqeshjen tënde,

Se ndoshta mes lotëve, gjendet në pusi.

Po në shpirt për ty, i ruaj ca vende,

Ku askush troket, as nuk hynë njeri.

 

Ti mos u trishto, eja dhe si dhimbje,

Si do që të vish, unë të pres tek dera.

Nëse nuk sjellë gaz në zemrën time,

Eja zbukuromë gjithë dhimbjet e tjera.

 

 

NJË DITË

Një ditë, padyshim do t’i harroj plagët,

Dhe ty që më hodhe baltë mbi vete.

Po kur të kujtoj një imazh të largët,

Do ndjej gjithçka tjetër, por jo urrejtje.

 

Një ditë do harroj dhimbjet pak nga pak,

Më pas do provoj ndjenja të çuditshme.

Nëse dikur isha i lumtur, pa shkak,

Arsye do kem që të ndihem ndryshe.

 

Do jem mirë kur t’i harroj të gjitha,

Më mirë se ty që baltosë të tjerë.

E ndoshta këtë shans ma dha e liga,

Të ringrihem në këmbë dhe një herë.

 

 

 

TRISHTIMI IM I BRAKTISUR

Dhe pse unë shpesh kam shumë trishtim në shpirt,

nuk kam të drejt që ta ndaj atë në tezga,

as me këtë qytet, një park, a rrugicë,

se u shtoj të tjerëve fare kot, brenga,

 

as më këtë lum, ku shelgu i kreh gjethet,

se tremb ofshamën e puthjes së një vajze,

as me hënën e verdhë, tretur nga ethet,

se boll ka dhembjen e atyre në varre,

 

as me parfumin e gjinjve si pjeshkë,

se u jap aromë temjani, si qiri,

as me atë që qanë, e atë që qeshë,

se më tallin, apo dhe më mbajnë mëri,

 

as me zemrën nuk e bëjë vet i dytë,

se kam frikë se  nuk do të më ngrohet më,

as me sytë. Ah mos m’u afro te sytë,

se s’dua të të njohin! Aty kam dikë!

 

Aty kam dikë, dikë që di veç të qesh,

Unë s’dua ta trembësh ti gazin e saj.

Në mundesh, më derdh fshehur rrëkeza reshë,

Nga malli trazuar për të, të qesh e qaj.

 

…Trishtimi im i braktisur nga të gjithë,

që rrokullisesh si pikë loti në faqe,

duke kërkuar me të tjerët mos të lidh,

mos po të bëjë kështu dredhi, pa dashje!?