Çfarë domethënë të lexosh me përgjegjësi ?

Pa të vërtetën dhe moralin a mund te egzistoje Letërsia e madhe?!

II Për të kuptuar çfarë domethënë të lexosh me përgjegjësi.

“Në fakt, përvoja e letërsisë njeh shëmbuj të gjithfarshëm, që kalojnë përtej këtyre evidencave; njeh shembuj sesi kryevepra dhe shkrimtarë të caktuar janë anatemuar në një kohë dhe vepra e autorë të dobëta janë lartësuar. Sa për rikujtesë, mjafton të shtegtojmë në Shqipërinë komuniste, ku fabrikoheshin shkrimtarët dhe lartësoheshin deri në qiell dhe në anën tjetër mënjanoheshin shkrimtarët e mirëfilltë.”

 

Ndue Ukaj
Michail Bachtin

Prishtinë, 27 Tetor 2015

Shkrimtari është i burgosur në epokën e tij, në kohën e tij. E ardhmja e liron atë nga kjo robëri, ndërsa shkenca e letërsisë, është thirrur ta ndihmojë që të lirohet. ” – Michail Bachtin

Viteve të fundit diskutohet mjaft për kërkesat etike ndaj letërsisë. Shkrimtarët, vihen para përgjegjësisë publike, për prodhimin e tyre shpirtëror – veprën letrare, por e njëjta gjë s’ndodh për lexuesin, gazetarin e kulturës, atë që jep gjykime dhe vlerësime të caktuara për vepra letrare. Ndaj, sot, një gazetë apo televizion i madh, mund ta nxisë famën e një autori minor dhe mund ta pengojë famën e një autori të mirëfilltë, që bën jetë murgu.

Duke u nisur nga kjo premisë, studiues të ndryshëm, si Derek Attridges, gjithnjë e më shumë pyesin për përgjegjësitë që ka lexuesi karshi veprës letrare, për faktin e thjeshtë, se, asnjë vepër s’mund të kuptohet pa marrëdhënien e ndërligjshme që ajo e krijon me lexuesin, sidomos me ata që i përkasin dijes së letërsisë; të tillët që me tekstet e tyre për shkrimtarë a vepra të caktuara, marrin qëndrime publike; pra i riartikulojnë mesazhet e autorit dhe veprës.

Cili është roli i lexuesit dhe kritikut në marrëdhënien mes shkrimtarit dhe publikut ? Cili është ai lexues që e shkruan gjysmën e veprës: është lexuesi i rëndomtë, lexuesi që lexon për kënaqësi apo ai lexuesi model e i kultivuar, që kalitet me kryevepra letrare, lexon e rilexon dhe letërsinë e ka profesion? Nëse ka përgjegjësi lexuesi, atëherë natyrshëm shtrohet pyetja: E ç’nivelit është ajo përgjegjësi? Është përgjegjësi etike apo profesionale? Apo te dyja bashkë? Pa e përvijuar asnjëherë përgjegjësinë e shkrimtarit për tekstin që e shkruan, ka kritikë bashkëkohorë që pyesin: A duhet shtruar dhe shtuar kërkesat për lexuesin dhe nëse po, cilat duhet të jenë kërkesat etike dhe kulturore për një lexues? Për lexuesin profesional, për kritikun letrar, për një lexues që e përzgjedh një libër vetëm për dëshirë të veten. Këto përsiatje, të çojnë te pyetja thelbësore: Çfarë domethënë të lexosh me përgjegjësi? Përkitazi me këto që thamë më sipër dhe në funksion të temës që kam parashtruar, po sjell dy mendime që i vlerësoj të rëndësishme për këtë debat: I pari vjen nga shkrimtari suedez, Torgny Lindgren, i cili thotë: “Shkrimtari shkruan vetëm gjysmën e librit, do të mund të thuhej, ndërsa për pjesën tjetër kujdeset lexuesi. Në të vërtetë, janë lexuesit ata që i japin cilësi një libri. Një lexues i mirë, bën të dëgjohet çdo libër. Një lexues i keq mund ta pengojë çdo libër.” Ndërsa mendimi tjetër vjen nga studiuesi Michail Bachtin, i cili pohon: “Shkrimtari është i burgosur në epokën e tij, në kohën e tij. E ardhmja e liron atë nga kjo robëri, ndërsa shkenca e letërsisë, është thirrur ta ndihmojë që të lirohet.” Në përkim me këto dy referenca, lexuesi duhet të kujdeset për pjesën tjetër të veprës, së cilës mund t’i japë cilësi dhe po ashtu mund ta pengojë. Lexuesi, gjithashtu duhet ta ndihmojë shkrimtarin të lirohet nga “burgu” në të cilin e vendos epoka e tij. Nga kjo rezulton se përgjegjësia e lexuesit të kultivuar, e atij që e lexon një libër me synimin që të shkruajë për të, është e barasvlershme me atë të shkrimtarit. Lexuesi i kultivuar, nëpërmjet mendimeve për një libër apo për një autor, krijon një realitet të ri për librin e autorin dhe kësisoj ndërhyn drejtpërdrejtë në marrëdhëniet letrare e kulturore të një letërsie. Kjo pastaj ndikon në hierarkinë letrare të një kulture dhe në identitetin e saj. Ndaj, ky lexues, duhet të lexojë me përgjegjësi, etikë të lartë dhe përgatitje profesionale, sepse, me mendimet dhe qëndrimet e tij, ai formëson një realitet të ri kulturor. Të jemi të qartë: Jo domosdoshmërisht, ky realitet ndikon në rritjen apo ndëshkimin e një libri të caktuar në shoqëri, por, gjithsesi vlerësimi që i bëhet një vepre specifike, mund ta shtyjë apo ta pengojë lexuesin e kënaqësive, atë të rëndomtin që t’i qaset apo jo një libri autori.  Mirëpo ç’ngjet kur sistemet përmbysen dhe lexuesi është i lirë? Ata e gjejnë letërsinë e mirë, ashtu siç ndodhi në Shqipëri. Lexuesi sapo u “çlirua” nga mendimi institucional për letërsinë, ai gjeti një letërsi tjetër nga rendi i parapërcaktuar. Kështu ndodhi me rikthimin e bujshëm të shumë shkrimtarëve të anatemuar, të cilët, mendimi për letërsinë tentoi t’i zhbënte. Pra, mendimi për letërsinë ka fuqinë e një lloj navigatori që e çon lexuesin te letërsia dhe libri. Mirëpo, nëse e çon te vepra e gabuar, ç’ngjet atëherë? A ndodh refuzim për veprën, letërsinë dhe si gjykohet në këtë rast puna e kritikut?

 

Qëndroni me ne për “Kapitullin” e III të eses: Lexuesi i kënaqësive dhe ai i specializuari.

 

“Kapitulli” I : Fuqia e letërsisë

http://klarabudapost.com/a-ka-letersi-te-madhe-pa-te-verteten-dhe-moralin/#.Vi6ny_kvfIU