22 Nëntor 2015
ATDHEU S’JU DO VETËM NËN DHE !
Kujt ia latë Atdheun ju që ikët larg,
Ndërsa luteni:-Veç të vdesim atje!
Po Atdheu nuk është thjesht një shtrat,
Ku mund të prehesh, para ikjes nën dhè!
Kujt ia latë Atdheun, mallin e vjetër,
Kur thoni: -Ikëm, ikëm! Aty jeni ju!
Po Atdheu nuk ka as dhe një tepër,
Të vdekur a të gjallë të enden kuturu!
Kujt ia latë Atdheun, ashtu të vetmuar,
Dhe lotoni:-Atje të prehemi për jetë!
Po Atdheu s’është varrezë e harruar,
Me gurë të bardhë, pllajës së zbehtë!
Kujt ia latë Atdheun, ju që thoni nga larg:
-Na ruani një shtrat, a varrin e heshtur!
Po Atdheu juaj, e mira ju marrtë,
Nuk pretë t’u mbajë vetëm të vdekur!
I KUJT ISHTE KY ATDHE !?
Thanë se Atdheun e kemi bashkë,
Dhe na treguan një lum, a një pllajë.
Një imazh reje, që tundej si erashkë,
Dhe një pirg dhè që pretë në skaj.
Pastaj i morën për vete, një nga një,
Të gjitha ato që kishim bashkë në letër.
Kur panë se për ne, nuk mbeti asgjë,
Thanë: – Ikni ! Thyeni qafën diku tjetër!
Dhe ikëm larg nga Atdheu i rrëmbyer,
Se veç një pirg dheu kemi pronë atje.
Ndoshta kur të jemi nën të, sy shqyer,
Do pyesim:-I kujt pra, ishte ky Atdhe!?
ATA QË MA SHANË ATDHEUN
Ma shanë atdheun, ma shanë nga nëna,
Në një bar, mbushur me të bardhë e negër…
Shtrëngova dhëmbët të mos më çahej zëmra,
E mbi ta të lëshohej si bishë e egër…
Ma shanë atdheun buzë detit Egje.
Si m’u mbyll goja e nuk volla mallkime!?
Po për kë t’i shaja!? Ata s’kishin atdhe…
Ma shanë atdheun, në gjuhën time.
ANDEJ NGA VIJ UNË
Andej nga vij unë, vrisnin ëndrra,
Dhe lot s’derdhte njeri për to atje.
I varrosnin në hithra e shpendra,
Pa një gur të bardhë, një grusht dhé.
Andej ishte luftë e çuditshme.
Dhe dukej, s’kish’ viktima e frikë.
Po armët ngriheshin pas çdo prite:
“Ndal! Dorëzo këtu ëndrrën, pastaj ik!”
Ëndrrat merrnin shenjë, si ushtarë.
(Nuk vrisnin njerëz në atë luftë).
Njerëzit mbetur skelete të tharë,
Çapiteshin në një teatër absurd.
…
Ndodh që për njerëzit nuk lotoj shpesh,
Por për një ëndërr më pikon zemra.
Dhe si i zënë në faj, për to hesht.
Andej nga vij unë, vrisnin ëndrra…