Armiku në dashuri

Me dashurinë dhe miqësinë, lindin grindja, armiqësia dhe urrejtja – Jean-Jacques Rousseau

Sokrat Habilaj

26 Nëntor 2015

 

ARMIKU I BUKUR

Ai ishte i bukur, i bukur si armik,

Po si mik se di, nuk e kisha pranë.

Unë nuk e doja, po s’i thash:-Ikë!

Ata që e donin, e ata pra e vranë.

 

Nuk ishte armik, që dilte në prita,

As ndihej mirë, kur ia kishe frikën.

Unë që e urreja, kurrë s’e godita,

Ata që e donin, i futën atij thikën.

 

Në vend të tij, rrinë këta në pusi,

Në duar mbajnë baltë, jo plumba.

Kur më shohin mua, u kujtohet ai,

E vrasin s’dyti, armikun që humba.

 

Po do të luftoj unë, për atë që vdiq,

Dhe pse kurrë ai, s’do më ishte lutur.

Do mbroj armikun nga ca palo miq,

Armiku i bukur, të bënë të bukur

 

 

AI ISHTE ARMIKU

E pritën armikun, me net, me ditë,

Po armiku, nuk erdhi, s’dihet ku u fsheh.

E ndoshta, ata u mërzitën në pritë,

Ndoshta u trishtuan duke pritur atje.

 

Ndoshta u trishtuan duke pritur atje,

Ndoshta ndjen mall për armikun! (Mall për atë!?)

Ndoshta donin ta ftonin, po eja ku je.

Për rreth kishte heshtje, heshtje dhe asgjë.

 

Për rreth kishte heshtje, heshtje dhe asgjë.

Kur njeri prej tyre, iku tej në kreshtë.

Brenda tij një prush, prushërohej me të,

E priste e dashura, që digjej eshkë.

 

E priste e dashura, që digjej eshkë.

Në akullin e ngrirë të ndizte një zjarr.

E priste me gjinjtë e fryrë si pjeshkë,

Dhe buzët e kuqe si shegë e çarë.

 

Dhe buzët e kuqe si shegë e çarë,

Afroi te vetja, u mbështet në gjinj.

Harroi armikun, u bë si і marrë,

Pëshpëriti: “Tani dua një fëmijë!”

 

Pëshpëriti: “Tani dua një fëmijë!”

U këput mbi të si lisi, prerë në mes.

E dashura, si ylber, u mbështoll, rreth tij.

Mbi ta, binte trishtim і akullt reshë.

 

Mbi ta, binte trishtim і akullt reshë.

Dhe era ulërinte në degë ahu.

Sa u kthye, komandanti e nxori në shesh,

“Ja ky është armiku!”, – tha. Dhe e vrau.

 

 

MOS MË VRIT KËSHTU !

Nëse do më vrasësh, mos më vrit kështu,

Pak e nga pak, duke ma ngrënë veten.

Dhe po nuk ke armë, të gjej unë diku,

Lindjen s’e zgjodha, le të zgjedh vdekjen.

 

Mos më vrit si uji, që bie në shkëmb,

Dhe pikë pas pike, hap plagë në mish.

Po më vrave, mos më lërë në këmbë,

Që të shoh një burrë, si kthehet në ish.

 

Nëse do më vrasësh, mos i bjerë aq gjatë,

Që të ndihem vdekur, pa u shuar zjarri?

Nëse do më vrasësh, mos qëllo me baltë,

Pse ta bëj me turp, udhën për tek varri?

 

Mos më vrit me tallje, se lëndon dikë,

Që më do të gjithin, më do dhe në thua.

Kur më vret kështu, s’të vjen keq për të,

Po vdiqa me pjesë, si do më qajë mua!?