SY PER KONSUELEN NEW YORK

Shfaqet premiera e pjesës “Sy për Konsuelën”, në Teatrin “Gene Frankel” në NYC. Me Skenografi të realizuar nga Andis Gjoni, një nga artistët më të talentuar shqiptaro amerikanë në NY

KLARA BUDA

Nju Jork, 6 Shkurt 2015

“Sy për Konsuelën”, është prodhim i kompanisë së Teatrore “White Horse Theater” një kompani antare e Ligës së Tetrit të pavarur të Nju Jork ut që ka për zemër vënien në skenë të pjesëve me autorë amerikanë. “Sy për Konsuelën” është një dramë e vështirë për tu vënë në skenë, kjo për faktin se gjithshka shprehet në nivel metaforik. Kjo dramë ka katër personazhe dhe zhvillohet në peisazhin abstrakt të një qyteze meksikane. Ajo trajton dashurinë dhe sakrificat në emër të saj në disa nivele dhe disa plane, duke u futur në të gjitha kthinat e humbjes së saj dhe të ndarjes së dy njërëzve dikur të dashur. Autori Sam Shepard permes rrugëtimit të dy personazheve kryesore, një meksikan dhe një amerikan sjell paralelisht dy botë: një Meksikë që ende ka një zemër, që ende ka një passion të jashtëzakonshëm e një ndjenjë të forte të familjes dhe një Amerikë që duket sikur i ka humbur të gjitha këto. Drama është e bazuar në një tregim të shkurtër të titulluar “Buqeta Blu” e shkrimtarit meksikan Oktavio Paz laureat i çmimit Nobel në Letërsi.

Në rolet kryesore janë Richard Fiske (Henri), Roberto Adolpho ( Amado), Pietro Gonzales (Vijejo), Marieta Carrero (Konsuela).

Drama është vënë në skenë nga Sindi Marion ndërsa skenografia është realizuar nga shqiptaro amerikani Andis Gjoni.

Pjesa “Sy për Konsuelën” paraqet dramën shpirtërore të një mesoburri (Henri), një amerikan shpirt-humbur, teksa ai endet si në ëndërr nëpër xhunglën Meksikane. I ndarë nga gruaja, Henri i dëshpëruar udhëton në Meksikë me shpresë që të gjejë vetvehten por përfundon në duart e Amados, një bandit por që  di të penetrojë në shpirtin njerëzor si rezultat i rrugëtimit të tij të dhimbshëm jetësor. Në një situatë absurde Amado kërkon ti nxjerrë sytë Henrit, duke besuar se sytë e tij janë blu. Arsyeja: vetëm sytë blu mund të bëjnë të dashurën e tij të zemrës, Konsuelën të buzëqeshë. Kjo është një metaforë e fuqishme e marrëzisë dhe në një farë mase e sakrificës që një burrë bën për dashurinë.

Në një betejë të fortë karakteresh Henri dhe Amado përplasen ballë për ballë me demonët e shpirtrave të tyre pas humbjes së grave që ata kanë dashur. Ndërkohë në paralelen e mjerimeve të këtyre dy burrave me një art të përkorë realizohet përmbysja e situatës dhe akti ç’njerëzor i nxjerrjes së syve prej Amados, duke qenë se bëhet në emër të dashurisë zbehet në raport me aktin e posedimit total, si objekt, të gruas prej amerikanit që e bën të ndërgjegjshëm këtë të fundit se edhe ai vetë është po aq, në mos më shumë, mizor. Në ndërgjegjësimin e të dy burrave për mjerimin e ndërsjelltë vjen edhe zgjidhja e intrigës. Tema të tjera sekondare si ashpërsia e botës amerikane ku emigrantët ndjehen shpesh të diskriminuar, apo shkatërrimi shpirtëror i individit në një botë ku sundon paraja ndërthuren harmonishëm përmes tekstit dhe lojës cilësore të aktorëve duke e shprehur qartë dallimin mes të dy botëve.

Regjia e realizuar nga Sindi Marion ngërthen shumë gjetje origjinale të cilat megjithëse ngelen besnike të tekstit të dramaturgut të mirënjohur amerikan Sam Shepard dhe tregimit të Octavio Paz, i japin pjesës një dimension më të avancuar teatror.

Skenografia ishte mbresëlënëse dhe ishte e befasishme tek zbuloja si autor të saj një artist shqiptar, Andis Gjoni.

Skenografia e Andis Gjonit është një vlerë e shtuar e këtij projekti teatror.  Zgjidhja skenografike është një lundër dhe kjo  duket se simbolizon udhëtimin e personazhit kryesor nëpër tallazet e jetës.

Por sa  thelle i shkon Andis Gjoni nje vepre teatrale deri sa të kuptojë gjithshka i duhet per skenografine e saj?

“Së pari lexoj vepren dhe nëse kjo më frymëzon pranoj që të realizoj skenografinë. Përshtypja e parë për mua është shumë e rëndësishme! Aty krijohen bazat e vizionit artistik të skenografisë që do të transmetohen tek publiku në fund të procesit krijues. Pastaj vjen puna kërkimore për elementët skenografikë si epoka, karakteret, veshjet, zakonet, arkitektura etj. Sejcili prej këtyre ka rëndësi në përbërje të konceptit skenik. Studioj me imtësi të gjitha hollësitë dhe situatat që autori përshkruan. Lëvizjet e karaktereve, ndjesitë e tyre, vendosjet dhe zhvendosjet e figruave skenike, atmosferën e ngjarjes. Në këtë stad hedh disa skica të shpejta paraprake që do më orientojnë në punën time. Vetëm pas kësaj vizitoj skenën e teatrit ku do vihet pjesa teatrale. Ky është një moment shumë i rëndësishëm, pasi çdo teatër ka një jetë të vetën, ka një hapësirë shumë të veçantë, shumë të përcaktuar dhe të jep ndjesi hapsinore specifike. Përpiqem të imagjinoj se si do qëndrojë krijimi im mbi atë skenë, dhe e përfytyroj në forrmë tre dimnesionale. Kur bindem se çdo element është aty ku duhet në vizionin tim, vetëm atëherë ulem dhe e pikturoj gjithë skenografinë. Më pas hedh skicat teknike me dimensionet e skenave dhe kështu i vjen rradha realizimit.

A është ky një proçes i vetmuar krijimi, apo edhe visioni i regjizorit  hyn në lojë?

E vërtetë, është e rëndësishme që këto sfida të zgjidhen jo vetëm në përputhje me vizionin e autorit por edhe të regjisorit e po ashtu edhe në përputhje me vizionin tim për pjesën. Të gjitha idetë dhe zgjidhjet i diskutoj me regjizorin dhe në fund dalim me një ide të përbashkët. Me kalimin e viteve, tani e kam më të lehtë të fokusohem në thelbin e një pjese dhe të arrij të përçoj saktë atmosferën dhe idenë e saj.

Cdo venie në skene është një lexim, perceptim në një dimension të ri. Cila eshte arsyeja e kesaj zgjedhjeje skenike që keni realizuar?

Mendova ta rrethoj gjithë hapësirën skenike me një pikturë abstarke-ekspresioniste të bazuar në vizionet e piktorit amerikan Xhekson Pollok pasi e jepte më së miri idenë e një jetë të çoroditur, jashtë kontrollit, në situata të vështira, të humbura dhe me një luftë midis karakteresh me botëkuptime të ndryshme.  Ajo krijon ndjesinë e një ëndrre që e përshkon gjithë pjesën, dhe mendoj që e ka arritur efektin. Në mes kam vendosur një lundër me drurët e ndërthurur që të japin idenë e një mjeti të paqëndrueshëm, ashtu si karakteret e kësaj pjese. Gjithashtu hapësirat e ngushta i kufizojnë ata duke ju marrë frymën ashtu si situatat në të cilat ndodhen personazhet. Ngjyrat e përpunuara të sfondit dhe të objekteve e japin më bukur idenë e një atmosfere xhungle. Të gjithë elementët janë menduar deri në hollësi, asgjë nuk i është lënë rastësisë. Jam i kënaqur me këtë skenografi sepse është nga ato, që e ndjej, se kam realizuar një shfaqje të plotë në të gjithë elementët.”

E gjithë skenografia është e ngritur mbi ide të shtresuara që vijnë duke zbuluar pak nga pak misterin e pjesës ashtu siç zbulohet pak nga edhe pak edhe shpirti i personazheve gjatë zhvillimit të fillit dramaturgjik.

Muzika e kompozuar dhe arranxhuar nga Joe Gianono dhe Andy Evan Cohen ishte në përputhje të plotë me idenë skenike dhe krijonte përshtypjen e flladit apo të puhizes që shoqeron rrjedhën e lumit. Ishte një muzikë e lehtë që krijonte pauzë përmes situatave të rënda dramatike sidomos në përballjen e dy protagonistëve dhe e zbehte pak mjerimin e situatave.

Kostumografia e Derek Nye Lockwoodi-t personifikonte qartë personazhet duke respektuar origjinën e tyre sociale dhe të pozicionit në të cilin ndodheshin.

Në tërësi të gjithë këto elemente teatrorë funksiononin në harmoni të plotë artistike për të dhënë një shfaqje të arrirë të cilën ua rekomandoj pa reservë.

Përpos realizimit, lojes së aktorëve shkoni për të parë skenën mbresëlënëse dhe për të kuptuar se arti dhe artisti i mirëfilltë ska nevojë për self-promocion, se për këtë artist më mire se ai vetë flet arti i tij.

“Sy për Konsuelën”, Eyes For Consuela do të shfaqet nga 6 deri më 21 shkurt në Teatrin “Gene Frankel”, 24 Bond Street, New York, NY 10012

Ja u rekomadoj këtë shfaqje të arrirë në një Teatër të vogël po me histori në Low Manhathan.

http://www.genefrankeltheatre.com/currentshowjan2015/feb621eyesforconsuela.html

Botuar i shkurtuar ne gazetën Shqip, 13 shkurt, 2015

http://gazeta-shqip.com/lajme/2015/02/13/andis-gjoni-nje-artist-spikatur-qe-krijon-pa-buje/