Paris, më 26 shtator, 2026
Seri e artikujve që përpiqen t’i japin një mbështetje ideore, sado pak teorike, protestës “Revolucioni i Flamingove”, Tirana, Albania.
Numri 2
Një kryeministër me petk të ri, po mendësia ? Një armik imagjinar në katror!
Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Edi Rama zgjodhi «Revolucionin e Flamingove» për të ilustruar rrezikun e dezinformimit. Ai foli për një narrativë të trilluar mbi «pushtimin izraelit» të bregdetit shqiptar, të përhapur, sipas tij, përmes kanaleve që qytetarët i besonin. Pastaj shtoi një fjali që ne te pare te parë duket sikur i njeh protestës legjitimitetin: «Qytetarët kishin arsyet e tyre për të protestuar». Por ajo fjali pasohet menjëherë nga pohimi se ata nisën të protestonin edhe kundër një «armiku fantazmë».¹
Pikërisht këtu ndodh zhvendosja. Kryeministri nuk mohon krejtësisht pakënaqësinë qytetare; ai e pranon për një çast, përpara se ta vendosë atë në margjinat e historisë që dëshiron të tregojë. Në qendër nuk mbeten më vendimet arbitrare për territorin, ndikimi i projekteve në shkatërimin e eko sistemeve në zonën e Vjosë-Nartës apo kërkesa për llogaridhënie. Në qendër vendoset qytetari i mashtruar. Në këtë rrëfim, pushteti që duhet t’u përgjigjet protestuesve merr rolin e atij që mbron qytetarin kur është ky qytetar që po proteston. Madje ai u shpjegon protestueve se përse protestojnë.
Shpikja e një armiku fantazmë është marifeti që përdori kryeministri për të përmbysur narrativën e revolucionit të Flamingove. Në vend që të marrë përgjegjësinë dhe t’u përgjigjet kërkesave të protestuesve, pushteti e zhvendos vëmendjen te pretendimi se protestuesit janë manipuluar.
Protesta, megjithatë, nuk nisi nga një «pushtim» imagjinar. Ajo u lidh me kundërshtimin e një projekti turistik pranë një zone të mbrojtur, me shqetësimin për pasojat mjedisore dhe, më pas, me kërkesa më të gjera për pronësinë e tokës, shërbimet publike, ndryshimin e ligjeve pa konsulte publike, drejtësinë e vonuar dhe korrupsionin. Këto kërkesa mund të debatohen; ato nuk zhduken pse në hapësirën publike mund të jenë përhapur edhe pretendime të rreme.
Edhe antisemitizmi kërkon një qëndrim të qartë: çdo shprehje e tij duhet dënuar. Por dënimi i një shprehjeje antisemite dhe karakterizimi i një lëvizjeje të tërë janë dy gjykime të ndryshme. Irena Beqiraj e ka vënë në dukje dallimin midis kërkesës së protestuesve për llogaridhënie dhe mënyrës si Rama e lidhi protestën me antisemitizmin. Për të kaluar nga dënimi i një shprehjeje te karakterizimi i gjithë lëvizjes duhen prova mbi përhapjen, peshën dhe rolin e saj në protestë. Po kështu, nëse inteligjenca artificiale është përdorur për të fabrikuar e shpërndarë mesazhe të personalizuara, publiku ka të drejtë të shohë se mbi çfarë provash mbështetet ky pretendim.
Ironia e fjalimit është se Rama kërkoi që pas çdo vendimi me ndikim publik të mbetet «një emër që mund të thirret për t’u përgjigjur».¹ Kjo kërkesë vlen edhe për vendimet e qeverisë së tij. Një protestë nuk bëhet më pak reale kur pushteti gjen brenda saj një pohim të rremë; as një pohim i rremë nuk mund të përdoret si përgjigje ndaj pyetjeve reale të protestuesve. Përgjigjja fillon aty ku mbaron rrëfimi për qytetarin e manipuluar dhe nisin faktet, vendimet dhe përgjegjësitë që qytetari kërkon të shqyrtojë.
¹ Edi Rama, fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, 25 shtator 2026, tekst i botuar te Shqiptarja.com.
– Edward McAllister, “Albania’s Rama Vows to Push on with Kushner-Linked Luxury Resort despite Protests,” Reuters, 8 qershor 2026.
Irena Beqiraj, “Fjalimi në asamblenë e OKB-së edhe historia e Nuredin Xhakës!,” Syri.net, 26 shtator 2026.
©klarabudapost.com CC
#RevolucioniIFlamingove #Transparencë #Llogaridhënie #ProtestaQytetare #VjosaNarta #MbrojtjaEMjedisit #Dezinformimi #InteligjencaArtificiale #Antisemitizmi #EdiRama #Shqipëria


Armiku fantazmë i kryeministrit, fotomontazh editorial.