Arqitektura e Frikës si peizazh.

Ndoshta pikërisht këtu fillon kundër-arkivi: jo jashtë mbetjeve të historisë, por brenda tyre, kur një trup tjetër, një kohë tjetër, një rrëfim tjetër hyjnë në strukturë dhe trazojnë atë që ajo ishte ndërtuar të nënkuptonte. Arkivi mund ta ruajë bunkerin, datën e tij, funksionin ushtarak, vendin e tij në makinerinë e diktaturës.

Klara Buda
Figure … Klara Buda beside a communist-era bunker on the Adriatic coast, Durrës, Albania, August 30, 2026. Photograph by Vigan Dervis. Private collection of the author.
E ulur pranë një bunkeri të vjetër komunist, në breg të Adriatikut, pyes veten: çfarë mund të dijë fiksioni që arkivi nuk mund ta dijë? Betoni është ende aty, kokëfortë, përballë rërës dhe detit. Dikur, ky bunker vëzhgonte horizontin, në pritje të një armiku që mund të shfaqej. Njerëzit kalonin pranë tij, jetonin në krah të tij, mësoheshin me praninë e tij. E përsëritur gjatë, frika ishte bërë peizazh.

Sot mbështetem mbi të njëjtin beton, këmbëzbathur, përballë detit. Bunkeri mbetet; funksioni i tij jo. Ajo që ishte ndërtuar për të vrojtuar, mbrojtur dhe frikësuar është bërë diçka ku mund të mbështetesh. Trupi im zë, pothuajse shkujdesur, një hapësirë dikur të formësuar nga paranoja. Asgjë nuk është fshirë, betoni është ende nën mua, por kuptimi i tij është zhvendosur.

Ndoshta pikërisht këtu fillon kundër-arkivi: jo jashtë mbetjeve të historisë, por brenda tyre, kur një trup tjetër, një kohë tjetër, një rrëfim tjetër hyjnë në strukturë dhe trazojnë atë që ajo ishte ndërtuar të nënkuptonte. Arkivi mund ta ruajë bunkerin, datën e tij, funksionin ushtarak, vendin e tij në makinerinë e diktaturës. Por nuk mund të ruajë intimitetin e zakonshëm të një jete të jetuar nën hijen e tij: frikën që u bë zakon, heshtjen që pushoi së perceptuari si heshtje, gjestet përmes të cilave njerëzit mësuan të banonin një botë anormale sikur të ishte normale.

Pikërisht aty hyn fiksioni. Jo për ta fshirë arkivin, as për të konkurruar me faktet e tij, por për të qëndruar aty ku dokumenti hesht. Bunkeri mund të dëshmojë se diktatura ka ekzistuar. Fiksioni mund të dëgjojë atë që mbetet pasi rojet janë larguar, armiku i imagjinuar është zhdukur dhe arkitektura e frikës ka mbetur vetëm, përballë detit.

#KundërArkivi #Kujtesa #Diktatura #Fiksioni #Epistemologjia #GjurmëtESëShkuarës #ArkitekturaEFrikës
Copyright Klarabudapost.com