KOSOVA DASHURIA IME!

Ngjarjet e luftës së Kosovës më kane lënë gjurmë të thella, pasi i kam “filtruar” përmes trupit tim dhe i kam rufitur sikurse kafen e mëngjesit gjatë bombardimeve të Natos mbi ish-Yougosllavinë, nga Marsi në Qershor 1999 gjatë përgatitjes e prezantimit direkt të edicionin shqip të lajmeve të Radio Frances Internacionale, në Paris.

 

KLARA S BUDA

Ekipi i RFI-se, nga e majta në të djathtë: Philippe Nadal, Spootnik dhe Klara Buda. Ura e Mitroviçes, forcat franceze të KFOR-it.

Në Kosovë nuk kisha mundur të shkoja dot kurrë para luftës. Që prej vitit 1990 banoja në Francë dhe gjithë përpjekjet e mia për ta bërë këtë kishin ndeshur në refuzimin e Ambasadës serbe në Paris për të më dhënë vizën. Në vitin 1996 gjatë një udhëtimi në Ballkan në përbërjen e ekipit të RFI-së dështoi edhe tentativa ime e fundit për të vizituar Kosovën para luftës. Mungesa e vizës per të hyrë në territorin e Sërbisë më bëri të ndahem nga grupi i shtypit të huaj, duke e bërë të pamundur udhëtimin tim në Kosovë. Kjo pamundësi ka përcaktur në një farë mënyre edhe marrëdhënien time me këtë pjesë të Atdheut që ishte bërë për mua mollë e ndaluar. Territorin e Kosoves do ta zbuloja ne vazhden e masakrave e me pas te bombardimeve, gjatë ndërhyrjes së NATO-s mbi ish-Jugosllavi. Depeshet mbi bombardimet e kryera gjatë natës parakalonin pa pushim në ekranin tim e me to edhe tmerret e reprezaljet e forcave serbe mbi popullsinë e pafajshme civile. Kjo beri qe ta perceptoj Kosoven gjithmone permes dhimbjes, ta përceptoj gjithmonë si «Kossova mon amour», duke çelnikosur një lidhjeje shpirtërore që gati e tejkalonte atë që më lidhte me Shqipërinë.

Fati e solli që ta merrja avionin që lë Prishtinën në orën 5 së dhe të ndodhem në aeroport që herët në mëngjes, krejt si gjatë luftës së Kosovës, kur çdo ditë në këtë orë një taksi më çonte nga apartamenti parisien në Shtëpinë e Radios. 78 netët e bombardimeve të NATO-s mbi ish-Jugosllavi i kam kaluar duke kontrolluar pa ndërprerje agjensite e shtypit të mbarë botës nga AFP, Reuter, Associated press…Disa faktorë kanë ndikuar në këtë përcepsion personal të dhimbsur apo të dhimbjes së Kosovës. Sofistikimi i mjeteve të informimit ishte i tillë që bënte të mundur ndjekjen në kohë reale të bombardimeve, të dhëna me koordinata të sakta nga selia e NATO-s dhe në mëngjes të përmbledhura në mënyrë pertinente nga Jame Shea.

Ekipit i RFI-së promovuar në Prishtinë

Përmes valëve të radio France Internationale jetova për tre muaj me terrorin e gjeneralizuar të gjithë tokës kosovare…

 

Në dy- tre kanale të ndryshme televizioni i regjistroja buletinet e lajmeve me qëllim që të mos më shpëtonin as imazhet që kalonin kur nuk mund të isha para ekranit, megjithëse duhet të them se në këtë periudhë e kam kaluar pjesën më të mirë të kohës sime ngulur para ekranit që në zyrën time në redaksinë Shqipe të RFI-së rinte hapur non-stop. Në kohë reale e bile në direkt, i kam jetuar tmerret e Kosovës siç ishte rasti i informimit të lajmit të vrasjese se Fehmi Aganit.

Kjo ka qënë periudha më e ngarkuar me emocion në gjithë karrieren time profesionale.

Si çdo herë në një libër të tillë dëshmie, si fillimi i hapim faqet e u hedhim njëherë një sy të shpejtë e në përgjithësi fotografive. E shfletova edhe unë librin por megjithë kureshtjen që të shihja rastet e veçante, nuk u ndala në fytyrat e grave, edhe pse të trishta ishin të gjitha vështrimet që më shikonin prej faqeve edhe pse më digjte dëshira për ta bërë këtë…

Unë kërkova ngjarjen e Reçakut…

Tanimë para fillimit të bombardimeve të NATO-s, një ngjarje e kishte tronditur botën dhe më kishte lënë mbresë të thellë : masakra e Reçakut.

Në momentet e kësaj ngjarjeje kam qenë personalisht shumë e afërt me Komitetin Kosovo, pranë revistës ‘Esprit’ në Paris dhe pothuaj të gjithë intelektuelët e aktivistët që vinin në mbledhjet e këtij Komiteti e njihnin të vërtetën mbi terrorin serb. Kjo ishte bërë e mundur në saje të një numri udhëtimesh në Kosovë të këtyre intelektualëve por edhe i një numri politikanësh të cilët kishin kryer një numër misionesh në vend. Gjithashtu, informimi ishte bërë i mundur në saje të personaliteve Kosovare dhe të vetë Presidenti të ndjerë I. Rrugova, i cili kishte ardhur personalisht disa herë para Komitetit Kossova.

Kështu që për këtë kategori, masakra e Reçakut nuk solli ndonjë informacion të ri, pasi këta intelektualë e njihnin ekzsitencën e krimeve të pushtetit serb në Kosovë. Por ajo solli provën për institucionet vendimarrëse dhe publikun e gjerë francez dhe europian, pasi deri në atë çast krimet ishin të maskuara mirë, ishin të kryera  « pastër » që do të thotë ndotur, pra profesionalisht !

Por edhe për ne që e dinim se çfarë ndodhte rëndom në Kosovë, aq shumë njërëz të vrarë e të çfytyruar disa edhe me kokë të prerë, ishte nga pamjet më makabre që ofronte ky fund shekulli…

Ishte pikërisht revista e përjavëshme VSD « Vendredi-Samedi-Dimanche » që botoi një dosje të plotë mbi Reçakun. Në artikullin e saj flitej për 52 shqiptarë të vrarë me gjakftohtësi dhe sipas artikullit të gazetës VSD, në mes të kufomave ndodheshin 12 fëmije dhe 14 gra.

E kërkova dhe e gjeta në libër dëshminë mbi masakrën e Reçakut, dëshminë e William Walker-it. Profesionalizmi, shpejtësia e veprimit, përgjegjësia dhe kuraja e këtij vëzhguesi të paanshëm, për publikimin e masakrës. Këtu flitej për 42 burra dhe djem të fshatit Reçak, më 15 janar 1999 të cilat do të ngelen të shënuara në histori, të shqiptarëve në veçanti por edhe të humanitetit në përgjithësi. Krimet ekzistonin dhe të gjithë faktorët i njihnin ato, por mungonin faktet dhe William Walker-it me njohjen e terrenit arriti të shkonte në vend para se forcat speciale të zhduknin gjurmët, siç ishte bërë zakon dhe kjo i vlejti dëbimin nga Jugosllavia brenda 48 orëve. Walker i dha viktimave të drejtën dhe dinjitetin që të mos zhdukeshin në heshtje… Gjykata e Hagës dhe eksperienca e saj  për vërtetimin e krimeve të luftës tregoi gjate proceseve tregoi  se sa efikas kishte qënë roli i ambasadorit Walker.

Tek lexon dëshminë e Saranda Bogujevcit, 13 vjeçares që terrori serb e nxorri me dhunë nga fëmijeria, por që sot është një e re që aspiron për një botë të drejtë…,e sheh se me sa pozitivizëm ka shkruar Sanije Gashi për dhimbjen, e cila është kthyer në një aspiratë për një botë të drejtë, për një botë më të mirë. Kjo vajzë që i ka mbijetuar pushkatimit e teksa krahu e trupi i është bërë shoshë me plumba, nuk ka asnjë fjalë urrejtjeje. Të vjen mirë për përgjegjësinë e saj sot: «Gjithnjë më kujtohet nëna kur më thoshte që të bëhesha njeri i drejtë (…). Në mars të 99–tës kemi qenë fëmijë, veçse nuk kanë mundur të na poshtërojnë ! Jemi të fortë dhe sot dëshmojmë për veprimet e serbëve ». Të vjen mirë tek sheh këtë të re që aspiron për një botë të drejtë… Kënaqesh tek sheh rrugën që ka bërë një adoleshente nga ngjarja e dhimbshme që e ndërgjegjësoi para kohe. Do të doja të kisha aq kurajo sa ajo, do te shkruanin moshataret e saj britanike, tek shihnin emisionin televiziv të BBC-së, ku Saranda tregonte masakrën të cilës i kishte mbijetuar.

KOSOVA DASHURIA IME, është një cikël reportazhesh, analizash, intervistash dhe kujtimesh, të bazuara ne arshivën time të shkruar dhe audiovisuale e që zbulojne fakte të pa botuara ndonjeherë nga Radio Franca Internacionale, pasi dilnin jashtë kuadrit të kësaj radioje franceze. Faktet personale i kam konsultuar edhe me ato te botuara nelibrit me reportazhe “Histori të tmerrit 1998 – 1999”, të Sanije Gashit.

Klara Buda, gjate luftes se Kosoves ka qene kryeredaktore dhe shefe e sherbimit shqip te Radio France Internacionale në Paris. Ne vitin 1998, ajo redaktoi dhe inicioi peticionin e intelektualeve franceze kunder pastrimit etnik ne Kosove.

Foto credit & copyright Klara Buda: Ekipi i RFI-se, nga e majta në të djathtë: Philippe Nadal, Spootnik dhe Klara Buda. Ura e Mitroviçes, forcat franceze të KFOR-it.

Burim krahasimor:  teksti i librit “Histori të tmerrit 1998 – 1999” të Z. Sanije Gashit