Absurdi i një sistemi lirivrasës

“Romani “Kloroform” i Klara Budës, përshkruan gjithë absurdin e një sistemi lirivrasës.”

Autorja shqiptare, Klara Buda, ditë më parë në Paris paraqiti librin e saj më të fundit, romanin “Kloroform”. Në ceremoninë e prezantimit të librit, merrnin pjesë një grup intelektualësh shqiptarë dhe të huaj, si: shkrimtari dhe ambasadori i Shqipërisë në Francë Ylljet Alicka, studiuesi i gjuhësisë Remzi Përnaska, përkthyesi Idlir Azizi, piktorët: Omer Kaleshi e Daut Berisha, Arthur Muharremi dhe Zamir Mati dhe anëtarë të trupit diplomatik shqiptar në Francë, pjesëtarë nga familja mbretërore shqiptare etj. Kështu në një sallë të lagjes “La butte aus Cailles”, shqiptarët artistë, që janë bërë të njohur me punën e tyre edhe më tej Shqipërisë, u takuan në këtë takim përurues të këtij libri.

Romani “Kloroform” i Klara Budës, siç vlerësohet në kopertinën e librit, përshkruan gjithë absurdin e një sistemi lirivrasës. Por ishuj lirie – diku më të shtrirë e diku më të plotë – ruajnë shpirtrat nga shkatërrimi dhe i ndihmojnë individët të mbijetojnë, edhe pse nën diktaturë. Përmes një rrëfimi mjeshtëror, autorja pohon kështu pamundësinë e çdo sistemi, sado i tmerrshëm qoftë ai, për ta shkatërruar tërësisht idealin e lirisë.

Botimi i një vepre, sipas autores, është shprehje e dëshirës për të komunikuar. Çdo vepër letrare është një synim drejt të përsosurës së mënyrës së shprehjes, ndaj dhe mendimet e vërejtjet e lexuesve e të specialistëve janë shumë të vyera për autorin.

Në një stil të veprës së Kunderës, sipas Mandi Gueguen, gazetare e bashkëpunëtore e Courier des Balkans, Klara Buda, trajton tema të rëndësishme dhe tabu. Por jo vetëm stili edhe universi i romanit të kujton Kunderën. Trajtimi i tabusë së homoseksualitetit apo tabusë së virgjërisë ngelen tepër aktuale për mentalitetin e shoqërisë shqiptare sot, por edhe më gjerë në hapësirën mesdhetare apo në vendet e Magrebit.

Vlera e këtij libri qëndron në dimensionin universal të tij, dhe sipas specialistit të letërsisë frënge, Agron Hasku, nuk duhet ta reduktojmë në një libër kundër diktaturës, por të nënvizojmë vlerën e tij të veçantë si arritje e letërsisë së mirëfilltë.

Ambasadori i Shqipërisë në Paris Ylljet Alickaj vlerësoi se jetesa e Klara Budës në Paris i ka shërbyer si refleksion, për ta kuptuar me mirë atë prridhë, periudhën e komunizmit.

“Klara Buda është ndër të paktat intelektuale shqiptare që janë realizuar profesionalisht në perëndim, që i ka ecur jeta në Paris. Kjo përvojë është një pasuri, në ndryshim me frustrimin që shpesh has tek shqiptarët jashtë”, ka vlerësuar Aliçkaj.

Linguistit Remzi Pernaska, ndërkaq, shpërfaqi përshtypjet e tij shumë pozitive, sepse, sipas tij, stili tregon pjekuri. Është një stil i përpunuar gjatë, i stazhionuar, si vera, që sa më lihet aq më e mirë bëhet. Edhe diplomati Guillaume Robert, që ka punuar në zyrën franceze në Kosovë evokoi miqësinë me Klarën të cilën e ka pasur shoqe shkolle.

Autorja Klara Buda, përveç përvojës tjetër shumë të pasur në karrierën e saj jetësore, që nga viti 2006 është shefe e shërbimit të gjuhës shqipe në “Radio France Internationale” RFI (Paris, Francë).

ZERI, Prishtine, Kosove 10-04-2010 16:08