Transparenca: Kushti Themelor i Revolucionit të Flamingove

Në Gjermaninë Lindore, në vendet baltike apo në Çeki, procesi i lustracionit shërbeu si mekanizëm institucional për të pastruar hapësirën publike, duke treguar qartë kush ishte pjesë e aparatit shtypës dhe kush jo. Timothy Garton Ash ka shkruar gjatë mbi këtë përvojë, mbi çka do të thotë të hapësh dosjen tënde dhe ta lexosh veten siç e ka parë aparati i shtetit. Shqipëria nuk e kaloi kurrë këtë proces seriozisht. Kur shteti dështon ta bëjë këtë pastrim, barra bie mbi vetë lëvizjen. Nëse Revolucioni i Flamingove pretendon të bëhet zëri që kërkon një qeveri teknike, ai duhet vetë të tregojë çfarë do të thotë llogaridhënie, duke filluar nga brenda.

Klara Buda

Tiranë, 28 Gusht, 2026.

Revolucioni i Flamingove lindi si një shpërthim energjie qytetare, apartiak dhe spontan, i ushqyer nga zemërimi ndaj një sistemi që gjatë 35 vjetësh tranzicioni ka shkatërruar gradualisht arsimin, drejtësinë dhe vetë shtetin. Sot, në ditën e 90-të, kjo lëvizje gjendet përpara një momenti vendimtar: a do të mbetet një energji e shpërndarë në dhjetëra grupe pa drejtim, apo do të bëhet forca që imponon një rrugëdalje reale, që do të çonte në krijimin e kushteve për organizimin dhe shpalljen e një qeverie teknike?

Ky kalim, nga protesta e pastrukturuar në subjekt politik me peshë, nuk mund të bëhet mbi baza të paqarta. Ai kërkon transparencë. Dhe transparenca, në këtë moment, nuk është thjesht një parim i mirë për t’u përmendur në deklarata. Është kushti që vendos nëse lëvizja mbijeton apo shpërbëhet dhe vdes.

Tre muaj nga fillimi, dhe përtej energjisë pozitive të krijimit të një numri grupesh të reja, asgjë nuk eshtë kristalizuar realisht. Një nismë e quajtur “Kuvendi…” nuk duket të jetë ndjekur nga shumë protestues, dhe ky hezitim,apo dyshim ka lindur nga dyshime se pas tij fshihet diçka tjetër nga ajo që shfaqet në sipërfaqe. Nëse Revolucioni i Flamingove synon të evoluojë në një forcë që kërkon një qeveri teknike, domethënë të bëhet aktor politik, atëherë ai duhet t’i nënshtrohet vetë standardit që i kërkon çdo aktori politik që vepron në protestë: t’i thotë shoqërisë qartë kush është dhe çfarë përfaqson.

Në Gjermaninë Lindore apo në Çeki, procesi i lustracionit shërbeu si mekanizëm institucional për të pastruar hapësirën publike, duke treguar qartë kush ishte pjesë e aparatit shtypës dhe kush jo. Shumë autorë kanë shkruar gjatë mbi këtë përvojë, mbi çka do të thotë të hapësh dosjen tënde dhe të lexosh veten siç e ka parë aparati i shtetit. Shqipëria nuk e kaloi kurrë seriozisht këtë proces. Kur shteti dështon ta bëjë këtë pastrim, barra bie mbi shoqërinë civile dhe në këtë rradhë në vetë lëvizjen e protestës. Nëse Revolucioni i Flamingove pretendon të bëhet zëri që kërkon një qeveri teknike, ai duhet vetë të tregojë çfarë do të thotë transparencë, llogaridhënie, duke filluar nga brenda.

Çdo aleancë e mëparshme mes pozitës, opozitës dhe partive të vogla ka prodhuar të njëjtat rezultate: kontroll klientelist, informalitet dhe dobësim institucionesh. Nëse lëvizja e sotme dëshiron të shmangë këtë fat, e të mos bëhet thjesht një palë e re në të njëjtin sistem, nuk mjafton të thotë “jemi apartiakë”, jemi të pastër, por këtë duhet ta provojë me fakte të verifikueshme: kush jemi, nga vijmë, çfarë angazhimesh kemi pasur më parë, dhe pse jemi larguar që aty. Vetë-deklarimi me shkrim e kthen besimin nga një akt moral, “me besë”, në një akt të kontrollueshëm nga çdokush. Václav Havel e ka quajtur këtë “jetesë me të vërtetën”, ideja se qytetari i lirë dallohet nga ai që hesht, pikërisht nëpërmjet gatishmërisë për ta thënë atë që di për veten, edhe kur kjo e shkuar mund të ketë ndonjë gjë që nuk e bën krenar. Atdheu vlen më shumë se të gjitha këto.

Nëse lëvizja synon të imponojë një qeveri teknike, ajo do t’u kërkojë këtyre figurave teknike e politike transparencë të plotë mbi të kaluarën e tyre. Por kjo kërkesë humbet çdo legjitimitet nëse vetë themeluesit e lëvizjes përjashtohen prej saj. Rreziku i konfliktit të interesit është më i lartë pikërisht tek liderët e nismës, sepse janë ata që kanë ndikimin më të madh për ta orientuar lëvizjen drejt aleancave famëkeqe që e kanë çuar vendin në shkatërrim, ose larg tyre. Njerzit janë lodhur me kaq shumë mashtrime dhe vlen të jemi shumë të sinqertë me ta.

Nuk kërkohet përjashtimi i kujtdo që ka pasur të kaluar partiake apo institucionale, kërkohet vetëm deklarimi i saj: funksioni, periudha, rrethanat e largimit. Kjo e bën kërkesën të pamohueshme, sepse askush nuk po mohon të drejtën e askujt për të evoluar politikisht. Kërkohet vetëm që ky evolucion të mos ndodhë në heshtje, aq më pak kur lëvizja pretendon të flasë në emër të një kombi që e ka paguar shtrenjtë heshtjen e klasës së saj politike. Hannah Arendt e ka shpjeguar mirë këtë dallim mes së vërtetës faktike dhe manipulimit politik: deklarimi i fakteve, jo gjykimi moral mbi ta, është vetë baza mbi të cilën qëndron një hapësirë publike e ndershme.

Dikush mund të thotë se standarde shumë të ngurta rrezikojnë të krijojnë efektin e gjuetisë së shtrigave, duke larguar njerëz me eksperiencë të vlefshme, ose se angazhime të vjetra rinie nuk kanë të njëjtën peshë morale sa bashkëpunimi me strukturat represive. E vërtetë, por pikërisht kjo është arsyeja për deklarim të detajuar, jo për refuzim të deklarimit. Nuancat trajtohen me hollësi, jo me heshtje.

Nëse Revolucioni i Flamingove dëshiron të bëhet diçka më shumë se një valë e dytë energjie e shpenzuar pa rezultat, ai duhet të vendosë transparencën jo si opsion, por si themel të vet, si kusht paraprak për çdo hap tjetër, përfshirë atë drejt kërkesës për qeveri teknike.

Transparenca nuk i ngjan dilemës nëse i ka Grizhla puplat e zeza apo të bardha. Ajo është esenciale për çdo figurë publike, që respekton veten dhe ata që e ndjekin.

#Transparenca #RevolucioniIFlamingove #DrejtësiTranzicionale #Llogaridhënie #QeveriTeknike #ShoqëriCivile #Lustracioni

Copyright klarabudapost.com