ISHUJ LIRIE TË KLARA BUDËS

Tipari më cilësor i kësaj vepre është fakti se autorja ka ditur t’i vrojtojë të gjitha ngjarjet dhe personazhet nga një këndvështrim krejt origjinal, ku ajo që bie më shumë në sy është thjeshtësia e botës së tyre. Kjo mënyrë skalitjeje artistike, jo vetëm që nuk ka bërë shkarjen drejt një thjeshtëzimi pa interes të personazheve dhe ngjarjeve, por është tipari më i spikatur dhe i arrirë i veprës së Klara Budës.

Sokrat Habilaj
Sokrat Habilaj, 2014

Ka plot mënyra për t’i thënë të vërtetat e një kohe që iku, të cilat edhe pse kalojnë vite, vazhdojnë të jenë si një peng, pse jo edhe si një makth në ndërgjegjen tonë. Ka dhe plot mënyra për t’u krenuar, për t’u mburrur, për të treguar bëmat e fshehta shpesh të imagjinuara, për të bërë heroin, apo disidentin dhe pas këtyre të ndihesh me ndërgjegje të pastër, pse jo edhe krenar, për ato që shpalosë para të tjerëve, ku jo rrallë mund të qëllojë që “të vërtetat” t’i ndajë një hap, apo të jenë pleksur me gënjeshtrat. E megjithatë mania për të folur për të kaluarën vazhdon ethshëm, jo vetëm individualisht, por edhe kolektivisht, edhe në mënyrë institucionale. Pas kësaj ajo që mund të thuhet në fund të fundit është fakti se kjo fushatë në shumë raste rezulton e dështuar, apo edhe më keq, qesharake. Duke mos nxjerrë asnjë mësim, ne vazhdojmë të flasim për atë kohë, ku ose nuk e kemi thënë ende thelbin e saj, ose e kemi manipuluar keq atë. Për rrjedhojë ndodh shpesh me ato që themi të  mos ngjisin sa duhet. Do të ishte e tepërt të flisnim për mijëra e mijëra faqe të shkruara me temën e mësipërme, për mijëra deklarime si të vërteta përfundimtare, por duke i anashkaluar këto mund të përmendim vetëm dështimin zyrtar për të treguar njëherë e përgjithmonë fytyrën reale të një bote të errët nëpër të cilën kemi ecur jo pak. A nuk është e tillë, pra më keq se dështake, përpjekja njëzetvjeçare për hapjen e dosjeve? A nuk jemi duke u rropatur nëpër ca monopate pa krye, me mendimin se jemi duke shkuar drejt së vërtetës? A nuk ndodh që kjo e vërtetë po na paraqitet në lloj-lloj variantesh që nuk ngjasojnë me njëra tjetrën, sepse asnjë variant nuk është i besueshëm? Por ndoshta për fatin tonë të mirë, nuk kanë shteruar rrugët për t’u ballafaquar me të kaluarën dhe për ta parë atë në gjithë dimensionin e saj negativ, drejt e në sy. Ka edhe forma të tjera shumë më elegante, shumë më fine, pse jo edhe shumë më të besueshme, të cilat nuk mund t’i shpalosë me atë bukuri dhe vërtetësi askush tjetër, sa shpirti i një artisti. Një panoramë të tillë, të mbushur me trishtim, mjegull dhe dhimbje bashkë, me ironi therëse deri në tallje, e gjejmë pa asnjë mëdyshje tek romani i parë i Klara Budës, me titull “Kloroform”. Është një roman i gjithi në ngjyrë gri, ku vdekja çapitet nga faqja e parë deri tek e fundit, duke gjetur hapësirë të dallueshme. Maskat dhe shpërfytyrimi janë sunduese, sepse askush nuk është ai që duhet të jetë në të vërtetë, jo thjesht si emër, por edhe vet qenia e tij është në një imazh të pafund gënjeshtre. Madje edhe brenda një trupi të vetëm njerëzor, janë ndërthurur disa imazhe krejt të ndryshme, mbledhur nëpër kufoma të ndryshme, ku “një pjesë e tipareve…dëshmonin për një moshë të re, ndërkohë që ca të tjerë dukeshin se i përkisnin një moshe të thyer…”. Dhe kjo ndodhte sepse “…në atë sistem hierarkik mosha ishte një hallkë e parëndësishme…”. Ajo kohë ishte pa kohë. Personazhet lëvizin si hije, ku duket se fati i gjithsecilit është i paracaktuar, sepse të gjithë jetojnë brenda një getoje me rregulla fikse. Edhe vetë Marigleni-Qanua-Qeni, fytyra e saktë e asaj kohe, nuk është gjë tjetër veçse një personazh absurd i një kohe po kaq absurde, bota njerëzore e të cilit nuk shkon më tej se pafundësia e pjesëve të shkëputura nga trupat pa jetë. Ai është tragjik dhe komik në thelbin e vetë. Ai është dy herë vrasës, sepse “e vret” jetën edhe atje ku ajo ka marrë fund, po edhe atje ku ajo tenton të lindë. Ai i gjithi është si një maskë që do të fshihet. “Sa mund të kapje nga shprehja e një individi, qëllimi i vetëm i të cilit ishte të fshihte sytë?”, pyet autorja. Ai është hije i një kohe hije, qëllimi i vetëm i të cilit ishte të fshehë jo vetëm sytë, por edhe të gjitha veprimet e tij makabre. Tipari më cilësor i kësaj vepre është fakti se autorja ka ditur t’i vrojtojë të gjitha ngjarjet dhe personazhet nga një këndvështrim krejt origjinal, ku ajo që bie më shumë në sy është thjeshtësia e botës së tyre. Kjo mënyrë skalitjeje artistike, jo vetëm që nuk ka bërë shkarjen drejt një thjeshtëzimi pa interes të personazheve dhe ngjarjeve, por është tipari më i spikatur dhe i arrirë i veprës së Klara Budës. Ajo nuk ngutet t’i ravijëzojë ata, le të themi, të spikatur, a t’u vesh bëma të stisura. Ajo nuk mundohet t’i kërkojë me zor ata, t’i kërkojë ndryshe nga të tjerët, t’i sajojë artistikisht, siç ndodh jo rrallë. Nuk shqetësohet nëse personazhet e saj s’ngjasojnë me ata që dalin nëpër ekrane dhe faqe gazetash dhe në ngutjen për t’u rrëfyer për jetën e tyre nën regjim, kapen jo pas thelbit të gjërave, por mundohen si e si të evidentojnë  guximin e tyre të munguar. Klara Buda që në fillim na lë të kuptojmë se prej heronjve të saj, “ishujve të saj të lirisë”, siç i quan ajo në një intervistë televizive, nuk duhet të presim bëma tronditëse, dhe guxim të çartur kundër regjimit në fuqi. Ata janë njerëz krejt të zakonshëm, dhe ky regjim është parë nëpërmjet syrit të njerëzve po kaq të zakonshëm, një ndërmarrje kjo më e vështira për të pikturuar atë regjim. Mjeshtërisht, ajo ka ditur të gjejë tek kjo e zakonshme e tyre, momente me të vërtetë tërheqëse. Këta personazhe, e luftojnë, e urrejnë dhe e kundërshtojnë regjimin sipas mënyrës së tyre, krejt pafajësisht dhe në një trajtë po kaq njerëzore. Ata nuk flasin për politikë. Politika është tej ëndrrave të tyre rinore. Ju pëlqen më shumë të flasin për ca tema të tjera, si për Safon, apo ishullin e saj Lezbo dhe tabunë që lidhet me këtë ishull dhe me këtë të poete të madhe të antikitetit. Ata dashurojnë po kaq thjeshtësisht dhe kurrë nuk mund ta marrin me mend se pas një dashurie krejt të zakonshme, mund të hapet një terri i pafund që do ta gropos përfundimisht jetën e tyre. Klara Buda ka ditur që këta personazhe simpatik, t’i nxjerrë dy herë të pafajshëm. Së pari sepse ata janë në të drejtën e tyre për të kërkuar që ëndrrat të mos u vriten. Kjo është gjëja më elementare për një jetë njerëzore. Po nëse do të ishte ndalur vetëm këtu, do të ishte pak për të evidentuar mjeshtërinë e autores. Jo pa qëllim ajo ka evidentuar tek ata ca ëndrra jo vetëm të zakonshme, por ëndrra që nuk duan të dëmtojnë askënd. Ata nuk duan të përmbysin asgjë, veç ngrehina të padukshme që kanë brenda shpirtit. Duke vepruar në këtë mënyrë ajo lë të kuptohen shumë pyetje tronditëse për lexuesin. Ku është faji i këtyre të rinjve krejt të pafajshëm, si vet mosha e tyre? Çfarë mëkati kanë bërë ata, veç dëshirës për të jetuar, për të dashuruar, për të mos e vrarë jetën ende pa nisur? Pse të ndihen me faj, kur e vetmja ambicie e tyre është të jetojnë një jetën më se të zakonshme? Autorja nuk ngutet t’i evidentojë ata si anti-diktaturë, sepse kjo dëshirë e tyre, ky pasion, është aq i brendshëm dhe aspak deklarativ. Është aq i padukshëm dhe aq delikat që mund ta evidentojë vetëm pena e një artisteje. Jam i bindur se duke vënë si bosht të veprës së saj këta tipa personazhesh, ajo e ka pasur parasysh rrezikun për të rënë në ngjarje të rëndomta dhe krejt pa interes, gjë të cilën e ka kapërcyer, pse jo mjeshtërisht. Romani “Kloroform” është sprova e parë e autores në rrugën e bukur të prozës, por duhet thënë se ajo thuajse e ka kapërcyer me sukses këtë ndërmarrje të vështirë. Gjithë ngjarjet kanë një harmonizim të këndshëm, dhe ndërthurje që nuk të lenë të të humbasë interesi për leximin e romanit, nga fillimi deri në fund. Ka një stil që duket se del jashtë skemave të një vepre tradicionale, me përthyerje që krijojnë befasi të këndshme. Sa nis faqet e para të duket se ke për të udhëtuar gjatë nëpër një peizazh monoton, ku sundon vdekja, po krejt papritur gjendesh në një tjetër peizazh me një dritë edhe pse të zbehët, por që gjithsesi ndihet prania e dritës, mes ca ishujve të shkëputur nga koha ku jetojnë. Nuk mund të mos evidentohet edhe fakti se në gjithë gjerësinë e veprës, ndihet edhe përvoja e saj jo e paktë si gazetare, po pse jo edhe si mjeke. Të dy këto profesione e kanë ndihmuar të jap skena të besueshme dhe të larmishme. Duke qenë një gazetare profesioniste, mund të përmendin edhe faktin se pasioni i thellë i gazetares, në ndonjë rast nuk e kanë shpëtuar nga disa citime që ngjajnë më shumë si gazetareske. Shprehje të tilla si, “…këtej të mëdhenjtë nuk denjonin të të hidhnin sytë…”, “…Pseudo arti si lule pranve-re…Çdo ditë e më bukur lulëzon…”, “…për ta si njëra ashtu dhe tjetra qenë punë të partisë”, “…kur u fut në lojë e madhërishmja Radio Tiranë, që e përmbyste planetin me valët e saj e depërtonte edhe në skutat më të humbura…”, po edhe ndonjë shprehje tjetër, të cilat me gjithë ironinë e tyre të lexueshme, nuk shtojnë vlera. Por edhe pas ndonjë vërejtje tepër miqësore, duhet thënë se romani i Klara Budës me titull “Kloroform”, është një arritje e bukur e autores. Ajo dëshmon se e njeh mirë artin e të shkruarit dhe premton se këtë art do ta perfeksionojë edhe më shumë në të ardhmen. Duke u kthyer tek ato që cituam në fillim të këtij shkrimi, nënvizojmë se tej dështimit të tribunave politike për t’i thënë të vërtetat fondamentale të regjimit diktatorial, ne mund të ndihemi optimist se kjo gjë po ndodh edhe do të ndodh në forma të tjera shumë më dinjitoze, siç është ajo nëpërmjet artit të të shkruarit. Një dëshmi e bukur për këtë është edhe romani i ri i Klara Budës, “Kloroform”.

Tiranaobserver,  E Enjte, 11 February 2010 11:00

Original language of this article is Albanian

English version