Prapa luhet loja e çuditshme, njësoj si dikur
zogjtë bien përtokë, si atë kohë kur u shkrua Ferri.
O Zot, seç ka ndërrua çdo gja,
në kohën kur gardhi i vogël errëson sytë e mëdhenj.
Hëna gjen rrugë
nëpër duart e mpira që rrinë si shtiza drejt qiellit
e dielli shkrihet si qiri nëpër sytë e lodhur t’tokës
që s’shohin gja në qiellin blu, veç një reje t’ vogël
një reje që errëson gjithçka.
Kështu: shikimi përdridhet në hapësirë
si përdridhet era dhe krijon ortekët e saj.
Pastaj shfaqen fytyra,
në një natë, kur çdo gja është ndryshe,
brenda së cilës kufijtë janë n’ kokën tënde
aty ku këmbët tua ecin nëpër iluzione
dhe ashtu i shtrydh ëndrrat e këqija
për kohën që s’është
për kohën që s’ishte
për kohën që s’vjen
për kohën që ik me erën.
Çdo gja është ndryshe, në horizont dielli copëzohet
copëzat ngulen në zemrën e tokës si shigjeta triumfuese.
Utopia n’ betejë me realitetin
ia ha ëndrrat
e fshehura në këndin e fshehtësisë.
(Nga libri, Arka e shpëtimit, 2012)