Është pranverë e lajmet e mira nuk vijnë si melodia e zogjve
Na ishte njëherë pranvera, shpresa
Dhe ideja se liria është mungesë e robërisë.
Tani ka tym e gaz
E pranvera i ngjan vjeshtës.
Mbi kokat tona valëvitë pikëllimi
Ky flamur morti si një kortezh trishtimi
Që bredh dorë n’dorë.
Lajmet e mira nuk u ngjajnë ëndrrave
Shkruhen tuneleve ku mungon drita
Aty ku terri shtrinë pushtetshëm fuqinë
Mbi rojet e fatit-
Ata njerëz që luajnë n’ teatrin e demokracisë.
Qyteti fle i trazuar
Zgjohet i trazuar
Qan e qesh i trazuar.
Kafet janë të mbushura më fantazma
Dhe kukurisje lajmesh që mbllaçiten keq.
Oh, ka tym dhe një flamur pikëllimi
Që është shtri si shall dhimbjesh
Në qafën e një populli t’ rënduar
Që kërkon t’ pëlcet nga trishtimi.
Unë mora një thes ëndrra
Me vete dhe dola rrugëve pa shpresa.
Pashë njerëz të shndërruar n’hije
Dhe një pallat të vetmisë me rekuizita trishtuese
Dhe mbishkrimin:
“Liria është mashtrim i madh.”
Rrugës shkelmova gur të hedhur pikëllimi
“Sa shumë marrëzi mban qyteti im mbi sup”-
Më tha vajza me shallin e mërzisë rreth qafës.
Dhe një çantë t’ zezë pikëllimi
Që e mbante me vete.
Prishtine, 18 shkurt, 2016