Kombi yne në udhëkryq?

Është thënë e përsëritur shpeshherë: asgjë s’na mungon që të ecim përkrah popujve të përparuar. Veç dashnia dhe mirëkuptimi me njëri-tjetrin. Ndue Ukaj

Ndue Ukaj

Prishtine, 1 janar 2015

 A mos duhet të ndërrojmë drejtim, qoftë edhe të kthehemi prapa?
Shpeshherë në jetë duhet të kthehemi prapa, që të mund të ecim para. Sidomos kur ndodh të kemi ngatërruar rrugën. Në këso rastesh, doemos duhet të kthehemi te pika fillestare dhe të shohim ku kemi devijuar, që të mund të marrim rishtas rrugën e duhur kah destinacioni. Natyrisht, nëse një të tillë e kemi. Ndryshe, shkojmë në drejtim të gabuar, në të cilin, me vetëdije, askush s’dëshëron të shkojë. Në rrugë të gabuar mund të jetë individi, por dëmet e tij janë personale. E kur ngjet që një popull a shteti të jetë rrugë të gabuar, dëmet janë të mëdha dhe përcillen brez pas brezi. Historia dëfton se një fat i tillë i ka shoqëruar shumë popuj të mëdhenj e të qytetëruar. Por shumë të tillë kanë dëftuar fuqi e forcë rigjenerimi. Janë kthyer në rrugë të duhur dhe sërish janë në krye të valles së qytetërimit. As populli ynë nuk ka qenë i “privuar” nga kjo fatkeqësi. Tani, ka kohë prej kur jemi të lirë, por klithmat shqiptare s’kanë të ndalur. Dhe duket sikur përsëri rrugët tona të jenë ngatërruar. Nganjëherë ato i ngjajnë atij personazhit që udhëtonte në një tren lokal dhe në çdo stacion, pasi treni ndalej, ai e zgjaste kokën jashtë dritares, lexonte emrin e vendbanimit dhe psherëtinte thellë. Duke e vërejtur këtë gjest të çuditshëm, një bashkudhëtar, i cili ishte ulë përballë tij, e pyeti: “Mik, pse po psherëtini aq trishtueshëm? Ju lutem, a mund t’iu ndihmoj gjë”? E bashkudhëtari iu përgjigj: “Faleminderit, nuk kam nevojë për ndihmë, por, t’iu thënë të drejtën, qysh kaherë është dashur të zbrisja nga treni, sepse po udhëtoj në drejtim të gabuar.”
Jemi në fillim të një viti të ri, ndërsa pas tij kemi lënë një vit me turbulenca të shumta dhe të gjata. Me një vistër lajmesh që na bëjnë të skuqemi. Të gjithëve. Pa përjashtim. Me pamje e imazhe nga më të pazakontat, ku më së paku ka pasur njerëzillëk e qytetari. Me veprime të gjithfarshme, që më së paku na kanë çuar kah rruga e duhur. Fillim vitet janë momente ideale për t’i bërë një shqyrtim të thellë ndërgjegjes tonë individuale e asaj kolektive, kombëtare. Është momenti i domosdoshëm që t’i analizojmë rrugët tona të kaluara. Dhe t’i projektojmë ato të së ardhmes. Rrugët që kemi ndjekur, shpeshherë qenë me gropa dhe në to u përplasëm keq. Patën gurë dhe morëm në thua. Nganjëherë u gjendem në autostrada dhe ecëm me shpejtësi të pakontrolluar. Nëpër të përpjeta na u zu fryma. Tani, jemi këtu ku jemi dhe duhet të ecim para. Asgjë nuk fitojmë nëse luajmë rolin e qaramanëve dhe arsyet për probleme tona i kërkojmë sa atje e sa këtu. Kështu nuk zgjidhim gjë. Është thënë e përsëritur shpeshherë: asgjë s’na mungon që të ecim përkrah popujve të përparuar. Veç dashnia dhe mirëkuptimi për njëri-tjetrin. Dihet, asgjë s’ mund të ndryshojmë nga e djeshmja. Nga nesër mund t’ia fillojmë ndryshe. Ndaj, të gjejmë rrugën e duhur kah e nesërmja më e ndritshme. Kemi shumë arsye të besojmë në këtë.