Shqipëria e sloganeve politike

Në një përmbledhje të shkurtër ja se çfarë na është shërbyer nga politika shqiptare që prej 2013 e deri më sot.

Aurenc Bebja

Francë, 23 Tetor 2015

Në zgjedhjet parlamentare të 2013 dhe ato lokale të 2015 janë përfshirë 63 parti politike, me apo pa koalicion. Kurioziteti më bëri që të mbledh sloganet e tyre, « ajkën e ajkës », dhe të shoh se çfarë kanë premtuar, propaganduar gjatë fushatave elektorale.

Pasi arrita të mbledh pothuajse gjysmat e « parrullave », në pamundësi për ti gjetur të gjitha, vendosa të « vesh » kostumin e një lideri politik shqiptar dhe të luaj rolin e tij. « Kompozova » po me këto slogane një fjalim « prekës dhe bindës » që me siguri në lidhje me « kandidaturën time » do më « sjellë » një numër të konsiderueshëm votash.

Me këtë fjalim të « sinqertë » bëhuni gati ti themi « lamtumirë » varfërisë, injorancës, korrupsionit, padrejtësisë e çdo gjëje besdisëse që dëshironi, se këtu do të bëj « premtime të bëra » që as edhe politikanët perëndimorë nuk janë të « aftë » t’i bëjnë.

Kuptohet që fjalimin do e mbaj direkt nga tribuna kryesore e sheshit përpara jush, domethënë përpara « qindra-mijëra » mbështetësve euforikë duke më pritur me padurim, me duartrokitje, brohorima dhe me fishkëllima dashamirëse ashtu siç na e ka tradita. Duke marrë parasysh fluksin e madh të simpatizantëve, nuk ju fsheh që jam pak i shqetësuar për faktin se nëse do të ketë vend të mjaftueshëm për të gjithë në shesh.

Nëpërmjet « fjalimit tim » të më poshtëm do të gjeni një përmbledhje të 30 sloganeve partiake që kanë për qëllim të « mirën » e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në një përmbledhje të shkurtër ja se çfarë na është shërbyer nga politika shqiptare që prej 2013 e deri më sot :


Zonja dhe zotërinj,

Përshëndetje,

Së pari, ju e dini fare mirë dhe nuk keni aspak dyshim se unë e dua Shqipërinë [1] dhe se kam ardhur këtu me një vizion të ri [2] për të sjellur një politikë njerëzore [3]. Së bashku do ti japim politikës identitet dhe moral [4], elementë të cilët do të shërbejnë si për shtetin dhe qytetarët [5].

Së dyti dhe me të drejtë absolute, për ju që e ndërtuat Shqipërinë [6], unë e di që jeni të pakënaqur dhe të zemëruar prej partive të pushtetit 25 vjeçar [7], por bësomëni…bashkë do sjellim ndryshimin [8]. Jam këtu për tu kushtuar vëmendje qytetarëve [9]. Jam tepër i bindur se shqiptarët meritojnë më shumë [10]. Nuk i harroj gjithashtu brezat e rinj, dhe përfitoj nga rasti tu them atyre se Shqipëria është e të rinjve [11].

Së treti, zëri juaj [12] është i rëndësishëm, dhe nëse nuk votojmë, nuk flasim [13], kjo na bën që të mos kemi standarte jetese, dinjitet njerëzor [14]. Për këtë arsye, bashkombasit e mi, afrojuni vlerave se koha nuk pret [15], më dëgjoni është koha për njëri-tjetrin [16], se vetëm kështu mund të fitojmë të ardhmen [17]. Ju garantoj se të bashkuar jemi më të fortë [18].

Së katërti, është mëse e qartë që vendi ynë ka nevojë të rilindë [19] dhe të çohet në drejtimin e duhur [19], por kjo arrihet vetëm me punë dhe dinjitet [20].

Se pesti, si forcë politike me themele të patundura, ne ju afrojmë punësim, mirëqenie dhe integrim [21], e theksoj me plot bindje dhe po e ripërsëris, se do të ketë më shumë shërbim dhe punësim[22]. Duke më votuar, ke votuar për të ardhmen e fëmijëve tuaj, ke votuar për drejtësi, ke votuar për prosperitetin e vendit [23]. Portat e Bashkimit Europian po na hapen, dhe le tu tregojmë të gjithëve se shqiptarët janë vetëm europianë [24], dhe së shpejti do bëhemi pjesë e tyre.

Së gjashti, motra dhe vëllezër, ju bëj thirrje solemne të zgjidhni njeriun, t’ju qeverisë më mirë [25]. Duke më votuar, voto veten [26], voto vetveten [27], voto për komunitetin tënd [28] ku unë bëj pjesë.

Së shtatti dhe së fundmi, po ju them se me besimin në zot, pronë dhe komb [29] do ecim përpara [30] sepse ne jemi ndryshimi [30]. Rroftë Shqipëria, rroftë liria, rroftë demokracia, rroftë populli shqiptar !


Me këto slogane kaq inkurajuese është për tu çuditur kur dëgjojmë ende të flitet për ngerc ekonomik, për trazim social, dhe për papunësi në Shqipëri. « Besoj » se politikanët që bëjnë të tilla premtime, janë të vetëdijshëm dhe me « siguri » që do i mbajnë ato, të paktën ata që kanë fituar në zgjedhje. Në qoftë se premtimet e bëra nga politika shqiptare më sipër nuk mbahen, atëherë populli shqiptar me rrugë demokratike mund të reagojë dhe ta ndëshkojë atë me anë të votës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2017.

 

REFERENCAT E SLOGANEVE :

[1] Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU)

[2] Parti Forca Rinia (FRA)

[3] Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet (ADS)

[4] Partia e Unitetit Kombëtar (PUK)

[5] Partia Fryma e Re Demokratike (FRD)

[6] Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve (PMDE)

[7] Partia Lëvizje për Drejtësi e Shqiptarëve (LDSH)

[8] Partia Ligj dhe Drejtësi (PLIDR)

[9] Partia Demokracia Sociale (PDS)

[10] Partia Republikane (PR)

[11] Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI)

[12] Partia Lëvizje për Drejtësi e Shqiptarëve (LDSH)

[13] Partia Socialiste e Moderuar (PSM)

[14] Partia Personat me Aftësi të Kufizuara (PPAK)

[15] Partia Shqiptare Atdheu (PSHA)

[16] Partia Demokristiane e Shqipërisë (PDK)

[17] Partia Demokracia Sociale (PDS)

[18] Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë (ADK)

[19] Partia Socialiste e Shqipërisë (PS)

[20] Partia Demokratike (PD)

[21] Partia Demokracia e Re Europiane (PDRE)

[22] Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI)

[23] Partia e Bashkimit Mysliman të Shqipërisë (PDBMSH)

[24] Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ)

[25] Partia Bashkimi Demokrat (PBD)

[26] Aleanca Popullore (AP)

[27] Partia Lëvizja e Legalitetit (PLL)

[28] Partia Lëvizja për Zhvillimin Kombëtar (LZHK)

[29] Partia Republikane (PR)