München, mars 2016, Hilde DOMIN (27 July 1909 – 22 February 2006)
SHKRUE NË SHI
Kush kishte me kenë posi bleta
që e ndien diellin
edhe nën qiej resh
dhe e gjen rrugën deri te lulja
e kurrë s’e humb drejtimin,
fushat kishte me i pasë me nur amshimi
dhe sado shkurt që kishte me rrnue
veç rrallëherë
kishte me qa.
In Memoriam në dhjetë vjetorine e vdekjes
Në Heidelberg të Gjermanisë, më 22 shkurt 2006, ndërroi jetë poetja Hilde Domin, pseudonim i Dr. Hilde Palm. Poetja u lind më 27.7.1909 në Koeln (Këln) si Hilde Loewenstein (Lëvenshtajn). Studion për drejtësi, filozofi dhe sociologji. Më 1932, për shkak të prejardhjes hebré dhe rritjes së vazhdueme të nazizmit në Gjermani, mërgon në Itali. Më 1936, në Firencë doktoron me nji tezë mbi teorinë e shtetit të Rilindjes “Pontanus si paraardhësi i Macchiavellit” dhe martohet me Erwin Walter Palm, historian arti. Më 1939 ik për në Angli, nji vit mâ vonë në Republikën Dominikane. Afro 12 vjet jeton atje në San Domingo. Më 1951 i vdes nana, Hilde Palm fillon me shkrue poezi. Në shenjë mirënjohjeje për azilin politik që i ishte akordue në San Domingo, i vesh vetes pseudonimin “Domin”. Jeton në Haiti dhe SHBA, më 1954 kthehet në Gjermani meqë burri i saj merr nji profesurë në Heidelberg. Hilde Domin shkruen poezi, nji roman autobiografik, prozë, eseistikë. Më 1957 fillon me botue. Me poezinë e saj të destilueme ajo ishte ndër poetet mâ të shqueme të mbasluftës në Gjermani. Shpeshherë e tematizonte fatin e ekzilit ku ajo strehohej në fjalën e gjuhës amtare, strehim ky që e quen “banimi në fjalë”.
Për veprën e saj âsht nderue me nji numër të madh çmimesh letrare. Mbas poeteve Else Lasker-Schüler (1869 – 1945), Nelly Sachs (1891 – 1970) dhe Rose Ausländer (1901 – 1988), me Hilde Domin vdiq e mbrapmja poete e madhe gjermane me origjinë hebraike.
Poezitë që jepen këtu, janë përkthye nga vëllimi i parë poetik i Hilde Domin, “Nur eine Rose als Stuetze” (“Veç nji drandofil për mbështetje”), botue më 1959.
Përktheu nga originali: Hans-Joachim Lanksch
© Copy right-i i përkthimit: Hans-Joachim Lanksch