Nga Mark Simoni
Duke bubrruar nëpër qindra skeda të Arkivit tim përsonal, rashë në tri këngë të mrekullueshme, që kanë në thelb bukurinë femërore të gruas shqiptare. Bukuria elegante, mistike, hijeshia dhe nuri, sharmi dhe pahshija e tyre, ka tronditur e pikuar muzën e artistëve. Kjo bukuri, ka shkuar deri atje sa, ka prishur rregullat e natyrës, ka çatrafiluar ligjet, ka dalldisur shpirtra dhe zemra, ka hovur gjendje dhe ndjenja, ka marrosur e trandur pasionet.
SKEDA E PARË
“Hanko që shkon nëpër varre,
Të vdekurit i ngjalle
Të gjallet i vdiqe fare”. Këngë e zonës së Beratit
Dhe po mendoja sot se, sa e bukur duhet të ketë qenë ajo Hankoja, aq sa me hijeshinë e saj, turbullon çdo gjë, prish çdo rregull. Dhe pikërisht në varrezat, (atje ku mendohet se gjërat kanë zënë vend njëherë e përgjithmonë). Ecja e saj elegante mes përmes varreve e mortaxhinjëve, trondit të gjallë e të vdekur. Të gjallëve iu bie pika, shitohen praj sharmit të saj. Të vdekurit ngrihen nga varri, bash prej hijeshisë dhe nurit të Hankos. Atë që s’ka ndodhur kurrë më parë, asnjëherë në botë, e bën pikërisht bukuria e kësaj gruaje. Natyra tërhiqet nga rregullat e veta, i hap rrugë bukurisë së Hankos, që shkaktoi gjëmë e mrekulli njëherësh.
SKEDA E DYTË
“Kur ma ktheve shpinën
Vera mu ba dimën”. Këngë e zonës së Dibrës
Mjafton vetëm një lëvizje, pak inatë, dhe rroposen stinët. S’ka më as blerim dhe as lule, s’ka më as zogj dhe pemë të gjelbëruarara. S’ka më diell. Çdo gjë e mbulon akulli dhe acari. Murrtohen qiejt dhe vërshojnë retë. Ajo grua e bukur vetëm sa ktheu shpinën, dhe poetit iu ngatërruan stinët. Vetëm kjo lëvizje, kthimi i shpinës, ky akt, ka mjaftuar që pastaj, menjëherë, të vijë trishtimi dhe mërzia, bota e zymtë dhe hallet, përmallja e përjetëshme.
SKEDA E TRETË
“Hapi sytë e zez’
Të na sjellç beharë”. Këngë e zonës së Përmetit
Mjaftojnë vetëm një palë qepalla të hapen, një palë sy të zez’ të shohin, dhe në çast bota të mbushet me dritë e lule, me hare e stinë të harlisur. A nuk është vetëm një gjest, që duhet ta bëjë kjo grua e bukur, që të na mrekullojë të gjithëve me behar? Autori lutet me gjithë shpirt, i përgjërohet asaj gruaje, që ka ato dy sy të zez’, të cilët vetëm ato mund t’ia sjellin beharin të ziut.
E kush mendon se bukuria e grave nuk bën mrekullinë, se nuk bën hatanë, dhe trand e shukullon çdo gjë, patjetër që s’ka percepsion dhe shije ndaj forcës së bukurisë. Pikërisht prej nurit e sharmit të tyre bota është kaq e hijeshme.
Një estet i famshëm thotë se: ”Njerëzimin e ka dërguar përpara, (edhe më shumë se shpikja e rrotës-si shpikje e parë), ndjesia për të bukuren, ndërgjegja për të, vetëdija për ta shijuar bukurinë”.
Foto Copyright (c) Mark Simoni, Dhjetor, 2108, Burrel, Albania.