Prishtine, 21 mars 2016
Poezia është një mënyrë shëlbimi!
Është dita e poezisë dhe kjo për mua nuk është ditë e zakonshme.
Pa fjalë, në vetmi, kënaqem me shumë poezi e poetë që i dua; me poezi e poetë që i mbaj afër vetës, si gjërat të çmuar, të pamatshme, të tejkohëshme.
Sot, më duhet t’u përulem me nderim e respekt të gjithë atyre mendjeve e shpirtrave të jashtëzakonshëm që na dhanë poezi të bukura, duke na bërë jetën ma të mirë, ma humane dhe ma të dashur.
Sot, u përulëm atyre kolosëve të shumtë- nga kohët e lashta e gjer në ditët tona. Po, ata janë shumë. Dhe secili prej tyre ka nga një atdhe dhe nga një gjuhë, por i bashkon diçka më e madhe: Republika Letrare, e cila shtrihet përtej kufijve gjeografik të kohëve, periudhave, datave e epokave. Është ajo Republika e Ndërgjegjes, për të cilën gjithmonë aspirojnë poetët e mirë.
Sot e përgjithmonë, duhet t’iu përulem gjithë atyre poetëve që na zbukuruan dhe zbukurojnë kohën, jetën, me madhështinë e poezisë.
Ata na joshin, na magjepsin, shpeshherë na tundojnë, na zgjerojnë horizontet, dhe gjithsesi na dhurojnë dije, urtësi e bukuri.
Sot, s’mund t’i veçoj emra, sepse ata janë të shumtë. Nga letërsia e përbotshme, te ata që shkruan në gjuhën e bukur shqipe.
Por, pa dyshim, bota ka nevojë për një kryengritje, me flamuj poezie, sepse ajo i ka armët më të fuqishme kundër helmit dhe murtajës së gjuhës, pati sugjeruar më të drejt Italo Calvino.
Poezia është një mënyrë shëlbimi (Wallace Stevens), për çka njerëzimi gjithmonë aspiron. E kjo aspiratë, ma mirë se në çdo formë tjetër, është thadruar në ndërgjegjen e poezisë.
Është dita e poezisë dhe imagjinata ime sot shtegton nëpër kohë e hapësirë; takon figura poetike, portrete poetësh, vargje e situata të tendosura. Dhe s’ka sesi të mos lumturohem për këtë dhuratë. Sepse poezia ka fuqinë e shëlbimit, ndaj kërkohet ta shtojmë besimin te fuqia dhe magjia e saj.
Rroftë Poezia
Viva la poezia!
Vive la Poésie!
Long live poetry!