Pse pajtimi me Serbinë është i rëndësishëm për shqiptarët!

Afër dy dekada pas luftës dhe dhjetë vjet pas pavarësisë së Kosovës shteti serb nuk e ka njohur pamvarësinë dhe nuk ka pranuar të marrë përsipër krimet. Serbia vazhdon të bëhet pengesë që Kosova të anëtarësohet në institucionet ndërkombëtare dhe të avancojë në mes të bashkësisë së kombeve të përparuara. A është në rend të ditës pajtimi shqiptaro – serb? A duhet një strategji e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi? Kujt i intereson më shumë normalizimi i këtyre mardhënieve dhe  a duhet të bëhet ai pa kushte?

 

KLARA BUDA
Simbol i pajtimit franco-gjerman Konrad Adenauer Robert Schuman

A është në rend të ditës pajtimi shqiptaro – serb? A duhet një strategji e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi? Kujt i intereson më shumë normalizimi i këtyre mardhënieve dhe  a duhet të bëhet ai pa kushte?

Afër dy dekada pas luftës dhe dhjetë vjet pas pavarësisë së Kosovës shteti serb nuk e ka njohur pamvarësinë dhe nuk ka pranuar të marrë përsipër krimet. Serbia vazhdon të bëhet pengesë që Kosova të anëtarësohet në institucionet ndërkombëtare dhe të avancojë në mes të bashkësisë së kombeve të përparuara.

Të vrarët, dhunimet dhe të zhdukurit e popullit të Kosovës, jo më larg se dy dekada më parë rëndojnë mbi ndërgjegjen e Serbisë, e cila ende nuk i ka marrë përsipër krimet, nuk ka kërkuar falje dhe nuk ka kryer kompensimin e viktimave.

Tribunali i Hagës dhe vendimet e tij (80 të dënuar nga 161 akuza) apo tribunali special dhe vendimet e tij, nuk kanë qënë të mjaftueshme. Nisma KOMRA dhe Fondi për të drejtën Humanitare në Kosovë s’kanë mundur të japin rezultate reale. Është e domosdoshme që të gjitha krimet e luftës të viteve 90-të në Kosovë të adresohen, të gjykohen dhe të riparohen për të arritur në pajtimin, paqen në mes komunitetit shqiptar e serb të Kosovës dhe normalizimin e mardhënieve Kosovë – Serbi.

Kjo e pengon popullin e Kosovës të bëjë « le deuil » (zinë) të kryejë aktin e pranimit të fatkeqësisë për të kthyer faqen dhe për të parë nga ardhmja, paqja në mes të komuniteteve (pakica e shumicë), kërkim falja, pendimi, falja e pajtimi.

Kosova ka nevojë të shohë nga e ardhmja dhe kjo do të ndodhë kur agresorët të marrin përsipër krimet dhe të kryejnë riparimin e kompensimin e tyre. Kështu Serbia duhet të shpaguajë dëmet e kryera nga shteti kundrejt qytetarëve në Kosovë dhe kur kjo të ndodhë Kosova duhet të dijë të falë.

Kurrë në historinë e njerëzimit falja s’ka ardhur nga viktima para se xhelati të ketë bërë Mea Culpa. Pa këtë akt themelor, asgjë nuk është e mundur. Pranimi i fajit, reparacioni, apo kompensimi i viktimave është një etapë e domosdoshme dhe e pa evitueshme pasi ai ka të bëjë jo vetëm me riparimin e dëmeve fizike, morale dhe materiale të shkaktuara, por edhe me garancinë për mospërsëritjen e këtyre krimeve dhe arritjen e paqes sociale.

Gjithashtu, pa njohur publikisht krimet dhe pa kërkuar falje, Serbia, nuk do të jetë e ndërgjegjeshme për atë çka u ka shkaktuar shqiptarëve e që rëndon mbi të, kështu që do të vazhdojë të minojë punën e shtetit të ri të Kosovës, madje do të ëndërrojë kthimin e tij nën administrimin e Serbisë dhe kështu do të vazhdojë të pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata të rëndësishme, siç janë UNESCO, Interpoli etj., apo do të vazhdojë të zvarrisë zgjidhjen e problemeve madhore si ndarja e pasurive të përbashkëta (burimet minerare, energjetike, ujore), apo atë të depozitave të qytetarëve bllokuar në bankën serbe. Ajo do të zvarrisë të konkludojë për borxhin e jashtëm e të tjera ‘mbetje’ nga “Plani Ahtisari” e “Rezoluta 1244”, për të përmendur vetëm disa nga problemet e ngelura pezull nga ngrirja e marrëdhënieve kosovare-serbe.

Vlen të shënohet se kërkimi i faljes dhe pendimi aq i rëndësishëm në fenë e krishterë nuk mund të pritet nga Kisha serbe që ka qenë dhe mbetet tejet e politizuar. Nga ana tjetër, po të gjykojmë nga pozicioni i pushtetit aktual, ka pak shanse që Serbia të marrë vetë iniciativën për të bërë Mea Culpa. Kështu asgjë nuk do të bëhet në këtë drejtim nëse vetë shteti i Kosovës nuk i kërkon, apo negocion këto akte themelore me Bashkësinë ndërkombëtare.

Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë duhet të bëhet pjesë e negociatave të Kosovës me Brukselin, në mënyrë që ky i fundit të bëjë presion mbi Serbinë për njohjen e krimeve, pendimin, kërkimin e faljes dhe kompensimin e dëmeve të shkaktuata.

Vetëm në këto kushte Serbia do të mund të bëhet e ndërgjegjshme se ajo nuk mund të avancojë drejt Evropës pa pranuar përgjegjësinë për krimet e luftës, pa kërkuar falje dhe pa paguar dëmshpërblimet. Gjithashtu, vetëm në këto kushte, ajo do të bëhet e ndërgjegjshme apo do të detyrohet nga Evropa që të mos vazhdojë të bllokojë proceset e integrimit të Kosovës.

Ky është një proces i vështirë, por i pa shmangshëm që duhet të ndodhë!

Për të gjitha arsyet që cituam më lart, Kosova është e interesuar që pajtimi dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë të ndodhë sa më parë.