Tirane, 3 maj 2014
Para disa kohësh, pak a shumë tre vite të shkuara, një grua e moshuar më dërgoi kërkesë miqësie në fb. Ja pranova, atë.
Emri i saj; quhej Jeta, nuk më tregonte asgjë të veçantë per kujtesën time. Do jetë ndonjë teze apo nënë e ndonje shoku, apo e dikujt këtu në fb mendova, pa e vrarë më shumë mendjen.
Mikja e re bënte ndonjë batutë të shkurtër në tregimet apo statuset që unë postoja në murin tim me fb. Një ditë u bëra kurioz dhe e pyeta se kush ishte dhe ç’e kishte “përplasur” tek unë. Mu përgjigj se rastësia e kish njohur me mua dhe se i pëlqenin ato që shkruaja. E falenderova dhe i thashë se ndihesha i lumtur…
Në ato mesazhe të para që shkëmbyem, në shenjë respekti, ju drejtova me titullin “teta”. E kisha shumë të vështirë që t’i flisja në emër. Gruaja në fjalë, nga ato pak foto që kishte në fb, dukej më e madhe në moshë se sa nëna ime dhe unë nuk mund t’i drejtohesha sikur të isha moshatar me të. Ajo nuk ishte dakort me principin tim dhe më kundërshtoi me forcë. I thashë se mund të ngeleshim miq vetëm me këtë kusht. Me shumë modesti, pranoi respektin tim. Ishte njeri i thjeshtë dhe gazmor. Nga mënyra e komunikimit dhe e dialogut kuptohej qartë që kishte shumë kulturë.
Me kalimin e kohës letërkëmbimi ynë i thjeshtë u shtua. Shpesh herë komentonte tregimet e mia, shumë herë të tjera, kur donte të bënte ndonjë batutë që për shkak të moshës dhe pozicionit të saj nuk e shkruante dot në publik, më shkruante mesazhe. Unë i përgjigjesha me qejf mesazheve të asaj nëne të dashur dhe inteligjente. Qeshnim me njëri tjetrin dhe vinim në lojë pushtetarin e rradhës…sepse, gati gjithmonë, objekti i diskutimeve tona ishte politika, ose më saktë, politikanët tanë. Rrallë herë dhe me shumë takt, më jepte edhe ndonjë këshillë mbi letërsinë. E dëgjoja me ëndje.
Më kishte treguar se, dikur, kishte qenë mësuese historie në gjimnazin e një qyteti jugor. I shoqi kishte qenë mjek dhe kishin rritur dy fëmijë, djalë e vajzë, të cilët ishin më të mëdhenj se unë.
Një ditë, teksa shkruheshim, i tregova se, në Tiranën e para viteve ’90, kisha punuar në Uzinën e Antibiotikëve.
– Po aty ka punuar edhe ime bijë! – mu përgjigj ajo.
Dolëm edhe më të njohur. Edhe pse nuk e njihja nga afër bijën e saj që punonte si Veterinere, ashtu si gjithë shoqëria jonë e punës, edhe unë e mbaja mend shumë mirë, atë.
E bija, ndër vite kish ecur drejt shtigjesh te reja, e kishte lene totalisht profesionin e saj te fillimit dhe kishte studjuar letersi e me pas art në Paris. Për vite me rradhë kish punuar si gazetare në Francë e se fundi, ishte shpërngulur e punonte në USA. Shkruante letersi aertistike, një libër të saj, Kloroform, mikja ime e moshuar ma prezantoi me kënaqësi dhe krenari legjitime.
Bisedat tona, herë të rralla e herë të shpeshta u bënë edhe më të ngrohta e më miqësore. Në të vërtetë, ishte ajo që shkruante më shpesh, ndërsa unë, nga ana ime, duke filluar që nga 1 shtatori e deri tek 7 apo 8 marsi, nuk harroja që, në prag festash, t’i dërgoja urimet e mia.
Me rastin e Pashkëve, u kujtova që t’i nis mikes sime së moshuar urimet e rastit. Kishim që në dhjetor, atëhere kur më kishte nisur urimet për ditëlindjen, që nuk ishim dëgjuar.
Para se ti shkruaja dy rradhë, u futa në fb e saj dhe mendova t’ju hedh në sy këngëve apo përshëndetjeve mëngjezore që, zakonisht, postonte. Ashtu kot!
Si për koiçidencë, aty, që nga dhjetori, nuk kishte asgjë të re.
Postimi i fundit ishte një këngë (cito me mire permbajtjen e kenges, se sa vetem greke) e datës 14 dhjetor. Mu duk shumë e largët ajo datë, e largët dhe e ftohtë.
Nuk e di se pse, por në çast, i ngacmuar nga një ndjenjë jo shumë e qartë, shkruajta në tastierë emrin e së bijës, Klarës, dhe u futa në faqen e saj. Postimi i fundit i saj ishte ky i mëposhtmi:
“Nene,
Erdha per here te fundit ne strehen tende,
Ndjeva eren tende per te fundit here!
Puntoret zbresin mobiljet dhe po lyejne muret…
Era e shtepizes tende do te me mungoje!
Edhe qortimet e tua pafund do te me mungojne…
kb 11 prill 2014”
Mbajta frymën dhe ndjeva një lëmsh në fyt. Nuk më pëlqyen shumë ato vargje prekëse. Ishin të papritura por informuese, bindëse. E, për më tepër, të vërteta ! I rilexova, mikja ime nuk ishte me! Sikur të mos më mjaftonin ato, lexova edhe nja dy komente. Në gjoks ndjeva një dhimbje. Më pas lexova të tjera komente. Shtrëngova nofullat, sytë mu lagën…mendja mu bë tym. Ndjeva që trupi mu bë akull.
Edhe pse nuk e kisha njohur nga afër miken time të ëmbël, emocionet që provova ishin njësoj sikur të kisha humbur një person të afërt.
Mikja më e moshuar e fb tim, Jeta Buda, me sa kuptova, ishte larguar nga kjo jetë në ditët e para të prillit. Ndoshta, nga dhjetori e deri në ditën e vdekjes, kohë në të cilën nuk kishte postuar asgjë në fb, kishte qenë e sëmurë ?! Ndoshta kishte vuajtur shumë, ndoshta kishte qenë në spital. Kurrë nuk e mora vesh.
Në këto tre muaj, kur ajo do kish patur shumë nevojë për një fjalë të ngrohtë, nuk kisha patur vëmëndjen dhe mundësinë t’i tregoja respektin dhe përzemërsinë time.
U ndjeva keq.
Ndoshta nuk do më mbajë mëri, ishte tepër fisnike për ta bërë një gjë të tillë!
U prehsh në paqe, Teta Jeta !
Lamtumirë !