Prishtinë, 12 shkurt 2018
“Ideaja e Bashkimit të Kosovës me Shqipërinë që po artikulohet gjithnjë e më shumë në media. Paradoksalisht, ai vjen si patericë për ndarjen e Kosovës!” KB
Në këtë moment preçiz, trumpetimi i bashkimit të Shqipërisë me Kosovën është një instrument në shërbim të idesë së ndarjes së Kosovës dhe si rezultat është në dëm të interesit kombëtar shqiptar.
E kam shprehur edhe më herët pozicionin tim në lidhje me bashkimin Kosovë – Shqipëri.
Së pari, Kosova është definuar si një shtet multietnik dhe jo shtet etnik shqiptar. Si rrjedhojë e këtij specificiteti në ndërtimin e parlamentit të saj, ky i fundit e ka të vështirë të marrë shumicën e votave për çështje të mbijetesës, e jo më të vendosë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Së dyti, bashkimi Kosovë-Shqipëri, një ëndërr e gjithë shqiptarëve që prej ndarjes së Kosovës nga trungu amtar, mund dhe do të duhet të realizohet vetëm kur të dy shtetet të jenë të pastruara nga krimi. Sot, nën gangrenën e krimit, ato nuk janë funksionale për të qeverisur problemet e brendshme, e jo më të realizojnë bashkimin kombëtar.
Vërehet një hipokrizi dhe një manipulim i opinionit nga liderët shqiptarë të Kosovës dhe Shqipërisë që mbrojnë idenë e bashkimit me Shqipërinë. Ata nuk e sqarojnë se si do të zgjidhet kjo aspiratë e tyre praktikisht në parlamentin aktual të Kosovës dhe anashkalojnë pasojat që do të sillte kjo: kërkesën e serbëve të Kosovës për krijimin e asociacionit të komunave serbe, që do të institucionalizonte një “republika serbska” brenda Kosovës dhe do të shërbente si justifikim për kërkesën e bashkimit të veriut të Kosovës me Serbinë.
Por kjo nuk është tema e këtij artikulli; ai rreket të tregojë se kërkimi i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë pikërisht në këtë moment, para zgjidhjes së problemit të Kosovës me Serbinë, shkon në favor të ndarjes së Kosovës dhe kundër interesit kombëtar shqiptar.
Nëse pranojmë se bashkimi nuk mund të bëhet për shkak se të dy shtetet janë thellësisht të kriminalizuara dhe se kushtetuta e Kosovës nuk e mundëson një gjë të tillë, atëherë është e qartë se deklaratat për bashkim në këtë moment kanë qëllime të tjera. Ato, përveç se janë bomba tymuese për nevoja momentale të spektrit politik në të dyja anët e kufirit, të artikuluara në këtë moment kanë kryesisht një arsye tjetër: të ndihmojnë në pranimin e idesë për ndarjen e Kosovës.
Edhe pse në dukje paradoksale, ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, e hedhur paralelisht me korrigjimin e kufijve të Kosovës, i shërben pranimit të këtij të fundit nga opinioni publik dhe është kundër interesit kombëtar shqiptar dhe në shërbim të krijimit të Serbisë së madhe.
Cilat janë idetë që përpiqen të ndihmojnë në pranimin nga opinioni publik të idesë qendrore serbe për ndarjen e Kosovës?
I – Bashkimi i Preshevës me Kosovën
Presheva është një zonë e lënë në mëshirë të fatit prej pushtetit serb, nga ku shqiptarët janë larguar në atë masë sa që ka shumë pak fëmijë shqiptarë në një fshat për të hapur klasa të shqipes, apo që të ketë një maternitet. Përpos kësaj, kemi të bëjmë me një pjesë pa burime natyrore, të cilën Serbia e ka kokëçarje.
II – Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën
Nëse Veriu i Mitrovicës (Miniera e Trepçës dhe Liqeni i Ujmanit) do të bashkohej me Serbinë, Kosovës i hiqet pjesa më e madhe e burimeve të saj natyrore dhe si rezultat ajo nuk do të mund të mbijetonte ekonomikisht. Ndaj ndarja e veriut kalon me vështirësi tek opinioni publik. Atëherë hidhet karremi i bashkimit me Shqipërinë: vërtet aneksohen miniera e Trepçës dhe liqeni i Ujmanit, por bashkimi me Shqipërinë i jep Kosovës dalje në det dhe së bashku me Shqipërinë bëhet një vend që mund të mbijetojë.
Shtrohet pyetja se pse pikërisht në këtë moment Serbia i ka harruar akuzat e saj të gjithëhershme për Shqipërinë e madhe. Edhe ky fakt vjen e vërteton hipotezën se ky projekt politik i bashkimit është vetëm një patericë që i shërben idesë së ndarjes së Kosovës dhe aneksimit të veriut të saj të pasur nga Serbia.
Si përfundim, dhe sado paradoksale që kjo mund të duket, ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, e hedhur paralelisht me korrigjimin e kufijve të Kosovës, i shërben pranimit të këtij opsioni nga opinioni publik dhe është kundër interesit kombëtar shqiptar. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë nuk është ende një projekt serioz i lidershipit në Shqipëri dhe në Kosovë, por qartësisht vetëm një mekanizëm që i shërben ndarjes së Kosovës, i kurdisur në Beograd. Trumpetimi i tij në këtë moment i shërben ndarjes së Kosovës dhe krijimit të Serbisë së madhe, të cilën askush në Ballkan dhe në Europë nuk e dëshiron.
#Kosova #Shqipëria #BashkimiKombëtar #NdarjaEKosovës #InteresiKombëtar #Gjeopolitikë #Ballkani #PolitikëNdërkombëtare #DialoguKosovëSerbi #StabilitetRajonal #NarrativaPolitike #OpinionPublik #AnalizëStrategjike #KorrigjimiIKufijve #ShtetMultietnik #IdentitetKombëtar
©klarabudapost.com CC mund te ribotohet duke cituar klarabudpost
Version anglaise

