PAMJE E ZYMTË E KOSOVËS

Ngjallja e fundamentalizmit islamik në Kosovë është pasojë e një kompleksi të madh faktorësh dhe rrethanash. Ne kemi dështuar jo vetëm ta bëjmë Kosovën shtetin dhe shoqërinë e dëshirave dhe ëndrrave të të rinjve tanë, por nuk kemi qenë në gjendje as të identifikojmë rrëshqitjen graduale të Kosovës në shoqëri orientale, me mentalitet anadollak, me prapambetje arsimore dhe emancipuese dhe, natyrisht, me një terren shumë të përshtatshëm për radikalizëm fetar. Me zjarrin kanë luajtur të gjithë, edhe disa imamë, edhe disa politikanë, edhe disa medie, edhe disa intelektualë. Ndërsa tani askush nuk dëshiron të marrë asnjë përgjegjësi.

NEN EMBARGO, ARTIKULL INAGURAL

 

Mehmet Kraja

Ajsbergu

Të gjithë e kemi ditur, pa përjashtim, intelektualë, politikanë, qytetarë të zakonshëm, se Kosova viteve të fundit është ulur këmbëkryq mbi një zjarr që djeg përbrenda, por që flaka as tymi mund të mos jenë dukur ende. Askush sot nuk mund të bëjë të paditurin, as të aktrojë befasinë me një shfaqje kaq përnjëhershme në skenë të radikalizmit fetar islamik. Mercenarët e luftës së Sirisë dhe Irakut, përfshirë edhe burgosja e dyzet të dyshuarve për terrorizëm, është një ajsberg, një shpërfaqje e dukshme dhe e zhurmshme e asaj që flinte përbrenda prej kohësh. Dalja në skenë e shtetit është një gjë e pritur dhe e domosdoshme, por institucionet represive të shtetit ligjor nuk i shpjegojnë shkaqet dhe nuk i zgjidhin problemet në shtigje të gjata. Shfaqja në skenë të hapur e radikalizmit fetar islamik në Kosovë më shumë është pasojë e trimërimit dhe e karshëllekut që fundamentalistët i bëjnë shtetit dhe opinionit kosovar. Tani ata haptas po e sfidojnë jo më Kosovën si shtet, por edhe shoqërinë kosovare në tërësi. Më anë tjetër, një reagim i vaktë i të ashtuquajturve analistë të medies, një mungesë pothuajse e tërësishme e reagimit intelektual nuk është as e befasishme as e papritur, është thjeshtë një paaftësi e vërtetuar dhe e dëshmuar, është mungesë e vetëdijes dhe e guximit qytetar, është oportunizëm, është papërgjegjësi. Analistët tanë gjithnjë i gjen të gatshëm të përfshihen në debate dhe zënka politike, por nuk janë në gjendje të analizojnë një fenomen shoqëror, politik, botëkuptimor dhe ideologjik siç është radikalizmi fetar islamik. Intelektualë të ndryshëm, me ose pa karizëm publik, shfaqen të gatshëm të përfshihen në zënka të ndryshme meskine, madje edhe duke treguar se kush me kë e kalon natën, por nuk janë të gatshëm të përballen me një sfidë të këtillë. Pse, a kanë frikë? Po. Kosova është e mbërthyer nga frika prej radikalizmit, jo vetëm fetar, por edhe politik. Është një frikë që i detronizon dhe asfikson mendjet e lira, që i bën njerëzit të struken. Është edhe një pasiguri, e cila kërcënon jo vetëm nga “zonat e errëta” të organizimit klandestin (frika nga “fatwa” e shpallur dhe e pashpallur tashmë ekziston në Kosovë), por edhe nga “zonat e errëta” të ideve. Është edhe një oportunizëm që buron nga mentaliteti i të nënshtruarit, nga mentaliteti i të jetuarit gjatë në robëri. Është edhe një dilemë, sepse në pikëpamje të ideve, janë të paktë ata njerëz që kanë qartësi në mendje rreth problemeve botëkuptimore, me të cilat përballet sot Kosova. Klasa intelektuale te ne nuk ka qenë në gjendje të identifikojë problemin e rrëshqitjes graduale të Kosovës në shoqëri orientale, me mentalitet anadollak, me prapambetje arsimore dhe emancipuese dhe, natyrisht, me një terren shumë të përshtatshëm për radikalizëm fetar. Madje, duke diskutuar identitetet dhe duke i dhënë përparësi identitetit fetar si determinues botëkuptimor, disa nga intelektualët tanë i kanë fërkuar duart për mbështetje reale ose virtuale nga islamistët, me vetëdije ose jo, duke luajtur në mënyrë djallëzore me zjarrin. Me zjarrin kanë luajtur edhe politikanët, edhe mediet. Më anë tjetër, edhe në këtë rast ne shfaqemi si shoqëri e vonuar dhe e prapambetur, që ende nuk i kemi të qartë kuptimin e vërtetë të nocioneve fe, atdhe, komb, shtet, identitet, sekularizëm, ekumenizëm, laicitet etj. Si shoqëri, ne ende nuk e bëjmë dallimin e qartë ndërmjet fesë si besim dhe fesë si ideologji.

 

Rituali

 

Si u gjend Kosova, pra, në këtë situatë? Prej nga erdh ideja, si u fut, si u shartua fundamentalizmi islamik në shoqërinë dhe mentalitetin kosovar? Ky fundamentalizëm islamik, si e gjeti te ne terrenin e përshtatshëm social dhe botëkuptimor? Kush e nxiti dhe nga erdh ai? Janë një numër pyetjesh, të cilat qëndrojnë pezull dhe tani zhurmojnë në mendjen e kthjellët të secilit kosovar. Nuk është se në këto pyetje fshihen enigma të mëdha, të pazbërthyeshme, por ne, megjithatë, nuk kemi dhënë përgjigje në asnjërën prej tyre, herë për shkak të oportunizmit, herë pse i kemi neglizhuar pasojat, ndërsa në shumicën e rasteve jemi sjellë me atë papërgjegjësinë tonë anekdotike, duke lejuar që zhvillimet në këtë drejtim të shkojnë shumë hapa para nesh. Tani që situata na ka shpërthyer në duar, nuk dimë nga t’ia fillojmë, a të bëjmë analiza politike, sociologjike, arsimore, kulturore apo fetare; a t’i kërkojmë dhe ku t’i kërkojmë përgjegjësit; a të merremi me historinë e problemit, me trashëgiminë, apo të kritikojmë këdo, kush të na dalë përpara, mësuesit, profesorët, imamët, xhamitë, sistemin arsimor, institucionet e shtetit ligjor, liderët politikë, ose të bëhemi pjesë tymnajës së përgjithshme, që edhe në këtë rrethanë të flirtojmë me fundamentalizmin, duke llogaritur në mbështetjen e tyre në rrjetet sociale, në kaluare, në qendrat e thashethemeve, në auditore, kudo që të jetë, duke përfituar edhe status publik dhe politik nga kjo proveniencë mediokër. Më anë tjetër, teksa dëgjon sesi te ne të gjithë janë të larë dhe askush nuk dëshiron të marrë asnjë përgjegjësi, të duket sikur nuk je duke jetuar në një botë reale, sikur ata imamët e deridjeshëm, që dërdëllisnin lloj-lloj “herezish” (jo besim dhe fe, por propagandë fetare), i kemi parë ëndërr; sikur ndonjëra nga ato mediet elektronike, të cilën e kemi parë me sytë tanë sesi e hap ekranin cep më cep për propagandë të pastër fundamentaliste, nuk është ajo që ne e shohim natë për natë. Të gjithë bëjnë të pafajshmin, të paditurin, të gjithë i lajnë duart si Ponc Pilati. Nuk do të marrësh ndonjë përgjigje as për dilemën, nëse ka ndonjë afri te ne, ndërmjet radikalizmit politik dhe radikalizmit fetar, respektivisht ndërmjet atyre që manifestojnë ide komuniste apo fashiste dhe atyre që manifestojnë ide fetare fundamentaliste, meqë të dyja palët e kanë dhunën si emërues të përbashkët. Skena politike dhe opinioni kosovar ose bëjnë të paditurin, ose vërtet nuk kuptojnë se komunikata për ngjarjet e fundit e ndonjë subjekti politik është po aq radikale dhe po aq terroriste, sa edhe kurdisja e ndonjë bombe në derën e ndonjë institucioni të shtetit të Kosovës. Në Kosovën tonë nuk mbahet përgjegjësi për këtë. Edhe më keq, në Kosovën tonë askush nuk e di se çfarë i trazon mendjet dhe shpirtrat e njerëzve, pse Kosova e pasluftës përnjëherësh u gjend e zhytur në fe, çfarë i mungon kosovarit tani që e ka lirinë, pse është aq i zhgënjyer nga kjo jetë tokësore; a është radikalizmi fetar pjesë e lirisë së mendimit, e lirisë së shprehjes, të cilën nuk ia kemi njohur shijen; nga cila proveniencë intelektuale, politike dhe botëkuptimore vijnë predikuesit dhe mbështetësit e fundamentalizmit; a ka radikalizmi fetar afërsi apo ndonjë lidhje të fshehtë ose të hapur me nacionalizmin? Më në fund, a jemi të gatshëm t’i hapim të gjitha letrat dhe ta mbyllim këtë ritual të mërzitshëm dhe të zymtë të pyetjeve pa përgjigje?

 

Origjina e idesë

 

Në rrafshin e ideve, fundamentalizmi islamik në Kosovë fillon të shfaqet atëherë kur zë të bjerë së pari iluminizmi, pastaj fillon të zvetënohet nacional-komunizmi dhe së fundi të degjenerojë euforia patriotike. Si zhvillime të njëpasnjëshme, këto kapin një periudhë kohore afro dyzet vjeçare, nëse si kufi më të hershëm marrim interpretimin me parashenjë islamiste të disa çështjeve të historisë. Ka qenë fundi i viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, kur është synuar të bëhet publike teza e një historiani kosovar se pushtimin otoman dhe islamizimin e shqiptarëve nuk duhet parë në kontekst negativ, sepse ka qenë pikërisht ky pushtim dhe islamizimi që e ka mbrojtur substancën kosovare nga sllavizmi. Pastaj, kjo tezë e mërmëritur me gjysmë zëri, ka prodhuar teza të tjera, se shqiptarët nuk janë islamizuar me dhunë, por vullnetarisht, për shkak të joshjes që ka ofruar feja dhe civilizimi i ri. Viti 1981 shënon një zmbrapsje të islamizmit në Kosovë, për shkak të synimit të Jugosllavisë së atëhershme që lëvizjes çlirimtare në Kosovë t’i atribuojë lidhje botëkuptimore dhe ideologjike me fundamentalizmin islamik. Dhjetë vjet më vonë, rënia e pakthyeshme e socializmit krijoi hapësirë për pluralizëm mendimi, për liri shprehje dhe për rishikim të postulateve themelore të nacionalizmit shqiptar. Për shkak të ndjenjës së refuzimit që kishte krijuar ideologjia marksiste-leniniste ndaj shtyllave më të qëndrueshme të nacionalizmit shqiptar, filloi një fushatë e orkestruar kundër vetë shqiptarizmit. Homogjenizimi politik dhe ideologjik krijoi situatë kaotike në Kosovë. Në njërën anë, patriotizmi dhe shqiptarizmi u bënë strehë e përshtatshme për të gjithë horrat dhe maskarenjtë, përfshirë edhe spiunët tradicionalë të Serbisë, ndërsa më anë tjetër nuk mbeti asnjë shenjtëri, asnjë vlerë pa u nëpërkëmbur. Dobësimi i sistemit arsimor, rënia e institucioneve, varfëria dhe gjendja e rëndë e pushtimit, përgjatë viteve nëntëdhjetë, krijuan terren të përshtatshëm për shfaqje devijante. Në këtë rrethanë, islamistët e rilindur nisën goditjet sistematike kundër vlerave më të qëndrueshme të kombëtarizmit: zunë t’i binin Skënderbeut, rilindësve dhe të gjithë burrave me nam dhe të gjitha ngjarjeve me rëndësi, që kishin bërë historinë e kombit. Në këtë fushatë ata nuk do të jenë vetëm: atyre iu bashkëngjitën shumë shpejt mercenarë të ndryshëm të “mendimit të lirë”, vendës dhe të huaj, përfshirë këtu edhe të ashtuquajturit “albanologë të rinj”, siç i quan Kadare, të cilët, në emër të rishikimit të historisë dhe të gjoja çlirimit nga njëmendësia e kufizuar nacionaliste, nuk lënë gjë pa shpifur për kombin. Lufta ë Kosovës e vitit 1999, për nga mënyra si u zhvillua, për shkak të përfshirjes në këtë luftë të një “aleance të krishterë” kundër Serbisë, u ngatërroi shumë punë si vetë Serbisë, ashtu edhe fundamentalistëve islamikë. Por kjo nuk zgjati shumë. Periudha e UNMIK-ut shënoi një kthim triumfal të tyre në hapësirën e Kosovës. Kjo nuk ndodhi vetëm për shkak të futjes në Kosovë të fondacioneve dhe organizatave të shumta humanitare dhe johumanitare me para të dyshimta, por më shumë për shkak të vonesave që u krijuan në zgjidhjen e statusit të Kosovës. Njerëzit e Kosovës për një çast u ndien të braktisur nga Perëndimi, nga NATO-ja, nga BE-ja, nga Amerika. U ngulit përshtypja se NATO ishte në Kosovë jo për ta mbrojtur atë nga Serbia, por për të mos e lënë të bëhej e mosvarur. Kjo braktisje e Kosovës zgjati shumë dhe, në njëfarë mënyre, vazhdon edhe sot e kësaj dite. Kosovarët ishin çliruar me një luftë të mrekullueshme, por mbeten vetëm (nën një shantazh të jashtëzakonshëm të bashkësisë ndërkombëtare dhe të Serbisë), që të ndërtonin shtetin dhe shoqërinë. Kjo ishte shumë e vështirë për një vend që sapo kishte dalë nga pushtimi.

 

Faktorët

 

Ngjallja e fundamentalizmit islamik në Kosovë është pasojë e një kompleksi të madh faktorësh dhe rrethanash. Renditja e këtyre faktorëve nuk është shumë relevante, por, megjithatë, kjo mund të jetë njëra syresh:

  1. Perspektiva evropiane e Kosovës – Është një faktor shumë i rëndësishëm, por edhe i trishtueshëm njëkohësisht. Politikat e BE-së ndaj Kosovës janë diskriminuese, të tilla që tashmë kanë zhgënjyer edhe njeriun e fundit në Kosovë. Loja me liberalizimin e vizave, me raporte për krime lufte, me gjykata speciale etj., që amnistojnë Serbinë dhe ndëshkojnë Kosovën, te secili kosovar kanë krijuar idenë se politikat e BE-së ndaj Kosovës diktohen nga Serbia. Kjo perspektivë e zymtë europiane i krijon favore të madha fundamentalizmit islamik në Kosovë.
  2. Faktori global dhe rajonal – Situata globale i ka shkuar për shtat fundamentalizmit islamik në Kosovë. Por vehabizmi në Kosovë ka njohur ditët më të mira në kohën e UNMIK-ut. Më anë tjetër, lufta në Bosnje dhe situatat e mëvonshme në këtë vend kanë reflektuar ndikim edhe në Kosovë. Së paku njëri nga “liderët” islamistë në Kosovë, shumë i zëshëm dhe agresiv, ka ardhur pas luftës nga Bosnja në Kosovë.
  3. Faktori Turqi – Është shteti që aktualisht ushtron ndikimin më të madh në Kosovë, në pikëpamje politike, ekonomike, kulturore dhe botëkuptimore. Lidhjet e Kosovës me Turqinë edhe në pikëpamje fetare kanë qenë tradicionale dhe të afërta, si në koncept ashtu edhe në organizim. Shkarja e Turqisë në islamizëm dhe braktisja e sekularizmit ka ushtruar ndikim të jashtëzakonshëm në Kosovë.
  4. Patriotizmi islamik – Ende i paidentifikueshëm, por tërheq rrënjët nga idetë e Erdoganit dhe Davutogllus, të cilët ekspansionin e Turqisë në Ballkan e shohin si rikthim të lavdisë së dikurshme të Perandorisë Otomane. Islamistët shqiptarë janë të mendimit se shqiptarët mund të bashkohen në një shtet në kuadër të një lavdie të tillë të perënduar.
  5. Shqiptarët e Maqedonisë – Janë kontingjenti më i përshtatshëm dhe më i manipuluar nga radikalizmi fetar, për shkak të mungesës së emancipimit, shkallës së ulët të arsimimit, fanatizmit dhe traditës së prapambetur fetare. Zonat e Kosovës, të cilat janë në kontakt më të shpeshtë me shqiptarët e Maqedonisë, për shkak të afërsisë gjeografike dhe komunikimit më intensiv, kanë prirje më të madhe të përfshirjes në radikalizëm fetar.

Ndërkaq, janë edhe një numër faktorësh të brendshëm, të cilët krijojnë terren të përshtatshëm për akomodimin e fundamentalizmit në këtë hapësirë. Këta faktorë janë historikë dhe aktualë. Mund t’i përmendim vetëm disa: robëria e gjatë dhe përdorimi i fesë nga Serbia dhe Jugosllavia për ta shpërbërë identitetin shqiptar të Kosovës; tradita e hershme dhe e gjatë e mercenarizmit; depërtimi i vonuar i ideve kombëtare dhe iluministe të rilindësve tanë në hapësirën kosovare; mospërfshirjen e Kosovës në procesin e deorientalizmit, të cilit iu nënshtruan të gjithë vendet ballkanike në fillim të shekullit XX; apo braktisja e shpejtë, gati e rrufeshme e islamizimit tradicional, me të cilin Kosova ishte ambientuar për një kohë të gjatë, dhe përqafimi po kaq i shpejtë i islamizmit radikal. Por, mbi të gjitha, faktor limitues mbetet prapambetja e gjatë ekonomike, kulturore dhe arsimore e Kosovës. Edhe faktorët e brendshëm aktualë janë të shumtë, siç është paqëndrueshmëria politike, varfëria, arsimi kaotik, brishtësia e institucioneve, tronditjet e mëdha sociale, mungesa e emancipimit etj.

 

Në fund

 

Fakti se të përfshirët në radikalizmin fetar janë kryesisht të rinj, ose të tillët që kanë qenë të hapur ndaj zhvillimeve dhe frekuencës së ideve përgjatë pesëmbëdhjetë-njëzet viteve të fundit në Kosovë, nuk mund të arsyetohet as me natyrën e të rinjve për të qenë të hapur ndaj këtyre frekuencave, as me natyrën e tyre për t’u rrëmbyer pas çdo lloj radikalizmi. Kjo rrethanë më shumë flet se, për një arsye ose për një tjetër, ne kemi dështuar jo vetëm për të bërë Kosovën shtetin dhe shoqërinë e dëshirave dhe ëndrrave të tyre, por edhe për faktin se në raport me këtë frekuencë idesh, duhet të jemi më të vëmendshëm edhe kur “shpërpushim” nëpër histori, edhe kur shajmë Skënderbeun dhe Vaso Pashën, apo kur korrigjojmë tekstet e historisë sipas dëshirave të Këshillit të Europës apo të Turqisë, njësoj si atëherë kur zhvillojmë diskutime për identitetin kosovar, si identitet më i paqëndrueshëm se identiteti shqiptar, kundrejt identiteteve të tjera agresive.

Ose edhe atëherë, kur i bëjmë koncesione Serbisë.