”Oj zanë, t’kendojmë…t’vajtojmë e, desha me thanë” (“28 Nandor 1913)

Ju lutem, kërkojini të falur e pa vonesë banorëve të Veriut, për këtë fyerje verbale, madje bëjeni këtë me vepra e aksione të qeverisë se, edhe veriori i « tyne » ish- kryeministër, nuk ndërmori ndonjë aksion apo reformë kundër varfënisë së tyne.

”Oj zanë, t’kendojmë…t’vajtojmë e, desha me thanë”

(“28 Nandor 1913)

I dashtun* Z, Kryeministër

Po ju shkruaj këtë letër të hapun, pasi me fjalën tuaj në Sarandë, më 13 nentor, është kalue caku i një intelektuali, që përpiqem të shoh tek ju jashtë dhe pavarësisht akuzave ekstreme të të djathtës në lajthitjen e saj kronike. Vazhdoj të pozitivoj dhe të mos besoj asnjë akuzë që nuk është vërtetue me vendim gjyqi; të shpresoj ende se ka kohë të punoni që të ndryshoni mentalitetin që na tërheq mbrapa ! Se ka më tepër urgjencë të dekorohen të persekutuemit, se sa veteranët që gjithsesi janë dekoruar për 40 vjet, e të tjera akte të fundit që janë të kundërshtueshme…

Unë nuk jam e nuk do të jem kurrë ndër gazetarët që derdhin vner dhe këtë e dinë si majtas ashtu edhe djathtas, sepse një pjesë e mirë e të gjithë këtyne tëaposionumve të politikës, shumica e të cilëve nuk mund të quhen politikanë, në këto 20 vjet kanë kalue të paktën njëherë nga Parisi apo nga Radio Franca, nëse jo fizikisht, me intervistën e tyne dhe më njohin personalisht dhe e dinë se nuk e kam këtë ves, përkundrazi.

Veriu në vitet e totalitarizmit ka jetue një varfëni ekstreme !

Gjithashtu, të mos e kemi kujtesën e shkurtër e të mos harrojmë se banorët e veriut historikisht janë vendosun në atë lartësi për të ruajtun identitetin dhe besimin gjatë pushtimeve të ndryshme.

Kryeministri i mëparshëm nëse ka ba shumë gabime, dhe jo vetëm gabime, bani një gja të mirë, që i la të lirë banorët e Alpeve të zbresin në fushë e të përpiqen të dalin nga varfënia, ku i la regjimi i mëparshëm dhe prej të cilës nuk i nxorri as « pluralizmi » transitor 25 vjeçar.

Ishte shumë cinike në fillim te viteve 90të, atëherë kur pakënaqësia e Tiranasve shprehej hapur kundrejt këtyne banorëve që zbritën në rrethinat e kryeqytetit, kryesisht ne Bathore, periudhë të cilës i referoheni ju, e mbushën sheshin pranë Ushtarit ta Panjohun, duke thirrun: «  Dru me pre !» e vetmja punë që ndoshta dinin me ba!

Unë nuk besoj se e bëtë me qëllim, këtë fyerje verbale kundrejt banorëve të Veriut, që për respekt po e shkruaj me shkronjë të madhe, dhe as me qëllim të keq, por e bëtë tek flisnit për ndërtimet pa leje në bregdetin Jon. Duke parë videon e takimit nw Sarandë, personalisht jam e bindur se ju shpëtoi, pasi si çdo shqiptar flisni natyrshëm me pasion; do të duhet të punonit për ta ndryshue këtë, sikurse edhe dëshirën- po shqiptare- për t’ju kthyer ofendimeve me ofendime.

Një burrë shteti perëndimor, nuk do ta bënte këtë gjë.

Por ju lutem, kërkojini të falur e pa vonesë banorëve të Veriut, madje bëjeni këtë me vepra e aksione të qeverisë se, edhe veriori i « tyre » ish- kryeministër, nuk ndërmori ndonjë aksion apo reformë kundër varfënise së tyne.

Ndarja jug veri është e papranueshme dhe nuk falet dhe një fjalor i tillë, i cili përveç jo politikisht korrekt, nxit një përçarje të tillë që nuk i duhet kombit shqiptar dhe përpos kësaj, është në pozicion kontradiktor me ju vetë, në raport me një deklaratë tjetër të bërë në një intervistë në Klan Kosova, ku bënit  aluzion për bashkimin me Kosovën, si kërcënim nëse Europa na lodhte (frustronte) duke pritur per të hyrë në të.

Për shqiptarët me origjinë nga Shqipëria e mesme dhe e jugut, nuk mendoj se kanë dhe nuk mund të kënë asgja kundër banorëve të Veriut, gjuha e të cilëve, duam apo nuk duam, na këndon ambël në vesh me vargjet e Fishtës dhe të Martin Camajt.

*Në gegnisht, si mbështetje simbolike për Veriun!