Një vështrim mbi letërsinë e Patrick Modianos

Veprat e Patrick Modiano-s janë publikuar në Shtëpinë Botuese “Buzuku” në Kosovë. Dy nga këto vepra, “Lulet e rrënimit” dhe “Falja e dënimit”, janë përkthyer nga autorja e shkrimit të më poshtëm, Anila Xhekaliu.

Anila Xhekaliu

Tiranë, 12 Nëntor 2015

 

Një vështrim mbi letërsinë e Patrick Modianos : në veçanti “Lulet e rrënimit” dhe “Falja e dënimit”.

 

Patrick Modiano është njëri nga shkrimtarët më të rëndësishëm të brezit të lindur pas Luftës së Dytë Botërore, prej ku u frymëzua e gjithë letërsia e tij. Romanet e tij zhyten në atmosferën e ekuivokut dhe të turbulltës së kohërave kur qeniet janë plotësisht të pasigurta. Stili i tij me një qartësi të madhe, përpunohet deri në përsosje dhe ia arrin atij që Roland Barthes e quan shkrim të bardhë. Në 1968, kur u shfaq “Sheshi i Yllit”, Kamy kishte vdekur, Sartri dhe Beauvoir i kishin shkruar librat e tyre të mëdhenj, dhe ishin bërë figura historike ndërsa Marguerite Duras po merrej me teatrin. Modiano, futet në letërsi në 1969, kur Franca ziente, sapo kishte ndodhur revolucioni i 68 që influencoi të gjitha artet. Në këtë moment historik në Francë, ndërsa merte goditje fatale mentaliteti i vjetër, ai rikthen figurën e babait dhe të Pushtimit, duke hapur dosjet e bashkëpunimit me armikun. Modiano e viziton atë kohë me një sy të ri. E shkuara zë vendin kryesor në librat e tij, pra është pika qendrore e tyre. Personazhet jetojnë në një botë plot fantazma, halucinacione, disa janë fantazma të luftës si Dora Bruder, të tjerë përpiqen të analizojnë të shkuarën për të gjetur identitetin e tyre. Roli i të shkuarës shkrihet me atë të identitetit. Shpesh librat e tij kanë dukjen e romaneve policore. Si në romanet policore, në romanet e tij ndihet atmosfera e turbullt dhe e tendosur, personazhet janë në kërkim të diçkaje apo të dikujt. Por lexuesi që bëhet gati të lexojë një roman policor zhgënjehet shumë, sepse nuk do t`i gjejë kurrë përgjigjet për pyetjet e bëra, nuk do kalojë nga padija në dije. Do të ndihet i humbur në një univers ku nuk do t`i kuptojë kurrë të gjitha rregullat.

 

Te “Falja e dënimit” ka të njëjtën klimë të zymtë e të turbullt si në romanet e tjera të tij, ndonëse asnjë krim nuk është përshkruar, janë vetëm disa detaje të përdorura: fëmijët habiten që Annie ka qarë gjithë natën në Caroll`s. Nuk e kuptuan kurrë pse Annie ka qarë në Caroll`s, as pse nëna e saj e quante “kokëkrisur”, as pse e qortonte Helenen se kishin shoqëri të çuditshme. Ndonëse atmosfera duket e qetë dhe e lumtur, dy fëmijët, kuptojnë shpejt ankthin dhe shqetësimin kur Patoche dallon Annie të flasë me Jean D., të dy me fytyrë të shqetësuar. Narratori nuk jep asnjë provë konkrete vetëm transmeton vëzhgimet e tij. Lexuesi ndjen se diçka po përgatitet të ndodhë. Këta njerëz po përgatisin një krim, por duke dashur t`i mbajnë fëmijët larg këtyre problemeve. Supozimet e lexuesit vërtetohen pas 10 vitesh kur narratori haset me një shkrim ku përmendet Jean D., duke i kujtuar se Jean D. kish bërë 10 vjet burg. Kupton që shqetësimet kishin nisur në të njëjtën kohë me rrugën Docteur Dordain. Shtohet në vazhdim takimi i Patoche me drejtorin e tregtimit të artikujve të lëkurës te Champs-Élysées, që i pohon se kutia e cigareve ishte pjesë e stokut të vjedhur në dyqanin e tij, dhe pohon se keqbërësit kishin bërë gjëra më të rënda se vjedhja. Në ndryshim nga romani policor, lexuesi i Modianos nuk e prek kurrë të vërtetën, por ai i ofron lexuesit një mundësi ta vazhdojë kërkimin e tij duke kërkuar në tekst tregues të rinj. Asnjë krim nuk përshkruhet drejtpërdrejt në roman. Narratori mjaftohet duke na përshkruar atmosferën që zotëron dhe lejon lexuesit të hamendësojë ngjarjet që mund të ndodhin pa i zbardhur kurrë. E pathëna provokon më shumë reflektime se ajo e thënë hapur, që përkon me “Ajo që është e rëndësishme në një vepër është ajo që nuk thuhet.”

 

Për t`i bërë të besueshme ngjarjet që jep në roman Modiano përdor artikuj gazetash që kanë të bëjnë me një krim (Lulet e rrënimit), apo zhdukje (Dora Bruder) dhe raporte policore, ndërsa babai i tij përveçse pika qendrore e tij, furnizon dhe përforcon faktet e sjella në tekst. Te “Dora Bruder” narratori përpiqet të gjejë gjurmët e vajzës së re. Përdor tregues shumë të largët në kohë. Te “Lulet e rrënimit” imiton stilin gazetaresk pa përfshirë ndjenjat e autorit duke i parë gjërat ftohtë. Pa e vënë kurrë krimin dhe hetimin në qendër të romaneve, Modiano ia del të krijojë klimën e afërt me romanet policore. Ngjarjet janë konform ngjarjeve reale por qëllimi i tij nuk është të ndjekë rrjedhën reale të tyre por të përshkruajë dekorin dhe klimën e epokës së përshkruar.

 

Kundërt me romanin historik nuk përpiqet kurrë të bëjë analizë a përshkrim të saktë të ngjarjeve historike lidhur me kohën kur ato ndodhin dhe ai flet. Organizimi i teksteve të tij përkon me kujtesën njerëzore që nuk është kronologjike. Përshkrimi i detajit në librat e tij është shumë i veçantë. Në librat e tij gjejmë një numër të madh detajesh që në pamje të parë duken të parëndësishëm. Tekstet e tij shquhen për ekonimizim narrativ dhe narracion të paplotë. Elipsat e jashtme përshpejtojnë ritmin e rrëfimit dhe krijojnë një lloj efekti surprizë, sepse lexuesi nuk pret ndryshim vendi. Informacioni i paplotë e lë kureshtinë të paplotë. Rrëfim i tillë prek të shkuarën dhe tregon mospranimin sistematik të narratorit për të mos folur, që shoqërohet me aluzione por pa shpjegime që të jetë dëshmitari kyç i ngjarjeve të rrëfyera.

 

Romanet e Modianos përshkohen nga tema e mungesës, e mbijetesës e njerëzve të zhdukur, shpresa për t`i gjetur një ditë ata që kemi humbur në të shkuarën, me shijen e fëmijërisë të ikur shpejt. Vepra e tij letrare është ndërtuar bazuar te dy tema të mëdha: kërkimi i identitetit (i tij dhe atyre që e rrethojnë), si dhe pafuqia për të kuptuar çrregulltitë, lëvizjet e shoqërisë, çka prodhon një dukuri ku narratori është pothuaj gjithmonë në vëzhgim, duke u rrekur të gjejë një kuptim për ngjarjet e shumta që ndodhin para tij, duke na shpaluar detaje, tregues, që do mund të hidhnin dritë dhe krijonin një identitet. Modiano, (narratori i tij), shfaqet shpesh si një arkeolog i vërtetë i kujtesës, duke treguar dhe ruajtur dokumentin më të vogël të parëndësishëm në pamje të parë, me qëllimin për të mbledhur informacione për veten, të afërmit, e shumë të panjohur. Disa faqe të librave të tij janë punuar në atë formë sa duken të jenë shkruar nga një detektiv apo historian. Letërsia e tij është ngulmuar në kohën e pushtimit gjerman. I lindur në 1945, as nuk e ka njohur atë kohë, por i referohet pa pushim me dëshirën për të njohur jetën e prindërve të tij gjatë kësaj kohe në të cilën zhyt një pjesë të personazheve të tij.

 

Tekste me intertekstualitet të fortë. Secili është gjithçka në vetvete dhe i lidhur me tekstet e tjera nga emrat e personazheve, episode. Kështu episodi i arrestimit të të jatit në 1942 në një Kabare të Champs-Élysées evokohet 7 herë dhe në forma të ndryshme.

 

Mjeshtër i retrospeksionit. Ngjarjet retrospektive i gjejmë dhe tek Gunter Grass te “Tamburi”, apo “Ora e gjermanishtes” i Sigfriend Lenz. Vetë autobiografia është retrospektivë, pra jepet fytyra e të shkuarës nisur nga e tashmja, dhe nuk e përjashton linearen e rrëfimit siç e kemi te “Falja e dënimit” dhe “Pedigreja”

 

Konsiderohet shkrimtari i kujtesës!