Prishtinë, 3 dhjetor 2015
Lajmet e fundit janë të njëjta si ato ditë më parë :
Fillojnë si përrallat e bukura :
Na ishte një herë shpresa dhe një qytet i gëzuar
Tani qyteti ka tym, mjegull dhe gurë pikëllimi.
Njerëzit shëtisin të hutuar
Pinë kafe bashkë me fantazma
Rrëfehen para tyre si Konstandini kur sillte Doruntinën te ëma e saj.
Nëpër rrugët e ngushta
Ku mendimet janë të ngushta
Marrin në thua edhe ata që sytë i bëjnë katër.
Na ishte një herë një kohë kur lirinë e prisnim nga lajmet.
Tash lajmet na dëftojnë fantazma që kukurisin dhe njollosin lirinë.
Përtej horizontit në malet e thepisura Shihet dëborë dhe një dimër i acartë pa fund.
Oh, në një ditë vjeshte si kjo Me lirinë e tepruar të imagjinatës
Shoh gra të bukura
Si luajnë me gjethe vjeshte.
Dhe matanë ekraneve një çetë politikanësh
Si bëjnë plane të mjegullta
Një ditë vjeshte si kjo :
Njerëz pa skrupuj shëtisin me fantazma
Ata kanë abortuar lirinë
Dhe shfaqen çdo mbrëmje në ekranet tona të mëdha
Na dëftojnë si formohet mbretëria e marrëzisë
Para syve tanë që s’shohin gjë nga mjegulla.
Një ditë vjeshte si kjo
Ndala orën dhe nëpërmjet dritares sime
Pash silueta njerëzish të mërzitur
Një qytet të mërzitur
Gra të mërzitura
Fëmijë të mërzitur
Dhe një grusht politikanësh të lumtur.