Dita e lumturimit të Nënë Terezës

NEW YORK CITY

19 tetor 2014

Dita e lumturimit të Nënë Terezës!

(19 tetor 2003)

 

Beqir Sina
Mother Teresa as courtesy of topnews.in

Plotë njëmbëdhjet vite më parë (19 tetor 2003), Nënë Tereza u shpall e “Lumturuar” nga Papa Gjon Pali II, si simbol i ndihmës dhe rrespektit për “më të varfërit e të varfërve”, të cilëve ajo iu kushtoi gjithe jetën. Në maj 2011 është mbajtur ceremonia e shenjtë e lumturimit të Nënë Terezës, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan.

Nënë Tereza vdiq në shtator 1997 në moshën 87 vjeçare.

Papa Gjon Pali II, i cili e adhuronte murgeshën shtatvogël shqiptare, shprehu atë’here dëshirën për ta shenjtëruar por arriti deri në etapën e parafundit, Lumturimin. Pikërisht, kjo ditë është shpallur festë kombëtare nga qeveria shqiptare e asaj kohe dhe viti 2010 që përkon me 100 vjetorin e lindjes e bamirëses me famë botërore ishte shpallur si “Viti i Nënë Terezës”.

Ndërsa më 21 qershor 2014, profesori i Universitetit të Birmingham në Angli Dr. Gëzim Alpion ka nisur një fushatë, nëpërmjet së cilës i kërkohet Vatikanit të përshpejtojë procesin e shenjtërimit të Nënë Terezës. E cila thuhet megjithëse është akoma në fillim të rrugës së saj, mirëpo, është përkrahur nga një numër gazetash, revistash dhe portalesh në Indi, Amerikë, Angli, Kanada, Shqipëri dhe Kosovë.

Dy gazeta – ‘Matters India’ në New Delhi (http://mattersindia.com) dhe ‘Illyria’ në New York (http://illyriapress.com) – e kanë bërë njoftimin për nënshkrimin e peticionit për shenjtërimin e Nënë Terezës permanent në webpage-et e tyre, për t’i inkurajuar lexuesit të nënshkruajnë.

Nënë Tereza shqiptare – Nënë e mbarë njerëzimit

Nënë Tereza, kjo nënë e përvuajtur e njerëzimit, e cila doli nga gjiri i një populli të lashtë, me kulturë, identitet dhe histori origjinale, të veçantë dhe të pandërprerë, asnjëherë nuk e fshehu origjinën e saj shqiptare. Gonxhe Bojaxhiu u bë nënë e njeriut të pambrojtur, nënë e njeriut të pashpresë, nënë e nevojtarit, e jetimit, e të sëmurit, e të pafuqishmit, nënë e të braktisurit: nënë e tërë njerëzimit.

Lartësia e qëllimit të Nënës Terezë ishte e pakrahasueshme më këdo në botë e Nënë Tereza vetë, simbol i vlerave të larta njerëzore, i bujarisë, mëshirës, shpirtmadhësisë, flijimit për të tjerët, bashkëvuajtjes dhe vënies së interesit të përgjithshëm mbi atë personal.