Lamtumira e Artur Zhejit per te jatin,
Tirane, 16 Mars 2015
Ka qenë gjithmonë një gjë shumë e rëndë në shpinën time, ka qenë gjithmonë e vështirë të isha djalë i Petro Zhejit. Nuk e di nëse jam kam mbërritur dhe nëse do ia mbërrij. Por kam qenë, po themi ushtar i bindur i idealeve të tij shumë të mëdha, të cilat i kalojnë marrëdhëniet baba-bir, i kalojnë me diferencë shumë të madhe. Ka pasur nga ata që e kanë parë si privilegj që kam qenë djalë i Petro Zhejit, po ju them që po aq sa ka qenë privilegj, ka qenë një peshë shumë e madhe dhe një përgjegjësi shumë e madhe në çdo hap. Nuk më ka folur kurrë rëndë në jetën e vet, por një vështrim i tij dekriptonte dhe zbërthente gjithçka.
Është pa diskutim ai njeri që pati guximin në vitin e largët 1974-1975 të dorëzonte në Akademinë e Shkencave, duke u takuar personalisht me Aleks Budën, kryetarin e Akademisë, studimin e tij mbi gjuhën shqipe dhe sanskritishten. Pati shumë kërcënime. I thanë “do të iki koka”. Për arsye “sepse studimi jot mbështetet në një doktrinë që në asokohe quhej idealiste”, por pati edhe një grup të fshehtë pellazgjanësh, të cilët ishin me të gjitha partitë dhe me asnjë parti, që i dhanë babait tim një mbrojtje misterioze, që vinte nga Zoti, sepse ai ishte mistik, por që vinte edhe nga fakti që përfundimet e gjithë studimeve të tij kishin të bënin me gjuhën tonë, me gjuhën shqipe.
Ka punuar deri para pak kohe vetëm me këtë gjë, për të paktën me sa mbaj mend unë për 40 vjet rresht. Ne kemi botuar tri vepra: “Gjuha Shqipe dhe Sanskritishtja”, “Roli mesianik i Gjuhës Shqipe”, që është vepra më e fundit, dhe “Libri i Aforizmave”. Libra të rëndë, por jo vetëm nga numri i faqeve, që ka qenë gjithsesi 800-900 faqe për çdo libër, por të rëndë edhe përsa i përket vetmisë në të cilën ai ka udhëhequr një pishtar të besimit të tij se kjo gjuhë është shumë e thellë. Sot jam jashtëzakonisht i lumtur që ka shumë që besojnë se esenca dhe thelbi i veprës së babait tim, por jo vetëm i babait tim, por vëlla, mik i shumë njerëzve që janë dhe s’janë këtu, është, siç më shkruante një mesazh Preç Zogaj, vetëm fillimi.
Është vetëm fillimi, i një po themi, ere të re në perceptimin e Gjuhës Shqipe, sepse ai, jeta e tij dhe ajo çka ai shkruante e mendonte ishte e njëjta gjë. Realisht, unë kam pas shpesh herë vështirësi të gjej një hapësirë personale, për arsye sepse vepra e tij dhe njerëzit të cilëve u përkushtohej zinin pjesën më të madhe të jetës së tij.
Mund të flisja gjëra më të thjeshta, ndoshta këto janë shumë më të thjeshta se sa ai meriton, por realisht nuk mund të flas për babain tim si një qenie thjesht njerëzore, por si një institucion që ka krijuar shumë dishepuj, shumë tradhtar, shumë besim te Zoti, shumë besim te Gjuha Shqipe.
Gjithmonë sa herë që ka ndërruar banesë, gjithmonë në vendin më të dukshëm të shtëpisë ishte një flamur. Një poliglot me 12 gjuhë të huaja, që dinte në majë të gishtave filozofitë kontemporane më moderne, që mund të të mbante leksione zbërthyese kush ishte Ajnshtajni, çfarë është shpejtësia e dritës, çfarë ndodh në mitologji, e dinte të gjitha trendet më moderne të kohës që jetoi, por që gjithsesi në mënyrën më të thjeshtë, në mënyrën më “arkaike” mbante një flamur, atë flamur që ne kemi sot dhe kishte vetëm vëmendje shumë të përqendruar te Gjuha Shqipe.
Kaq. Shumë e thjeshtë. Gjithë ekskursioni intelektual, ekskursioni intelektual me një vertikalitet të rrallë, gjithë po themi asosacionet më fluturake që një mendje gjeniale mund të bëjë, si filozof, si një njohës gjenial i letrave, i gjuhës, plazmimit të gjuhës, i gatimit të gjuhës, fjalës, i neologjizmave dhe gjithsesi ai thoshte që “gjithçka kam bërë, gjithë udhëtimi im mendor arrin në këto dy përfundime: Përfundimi i parë, ka një kuptim se jam shqiptar dhe se tërë jetën time ja dedikova pikërisht këtij kuptimi dhe provën e përsesë unë ndihem mirë me kombësisë time është gjuha, që është një gjuhë që do të jetë gjithmonë e më tepër një rivelacion jo thjeshtë rajonal, por shumë e shumë më gjerë”.
Nuk gjej fjalë të tjera, populli shqiptar ka një fjalë të urtë që thotë: “pak e saktë”. Më mirë se sa të ishin me mijëra, sa do jenë ndoshta ata që do ndjekin pa diskutim veprën e tij, por këta që janë i falënderoj, në emër tim, të familjes, si dhe të shpirtit të babait tim. Faleminderit!
Titujt më të shquar nga lista e gjatë e përkthimeve janë “Vuajtjet e djaloshit Verter” të Gëtes, “Sojliu mendjemprehtë – Don Kishoti i Mançës” nga Servantes, “Nipi i Ramonit” nga Didero, “Vilet e zemërimit” të Shtajnbek, “Njeriu i padukshëm” i Herbert Uells; si dhe shumë e shumë tituj tjerë nga letërsia gjermane, spanjole, australiane, estoneze, rumune, ruse, kineze, nordike. Duke u radhitur me emrat e tjerë elitarë të përkthimit si Dhimitër Pasko, Klio Evangjeli, Jusuf Vrioni, Vedat Kokona, Gjon Shllaku, Pashk Gjeçi, etj.