ME KLARËN ORA KALON SAORA

Paris, 6 Prill, 2015

Këtë zonjë e kisha takuar edhe dy herë më parë. Njëherë në Asamblenë Nacionale Franceze, herën e dytë në binanë e Radio Francës në Paris, atje ku asokohe ajo ishte redaktore e emisionit shqip të RFI-së. Më shumë se për gjithçka tjetër, më shumë se sa syzet e saj, edhe më tepër se emri i saj allafranga, më kishte lënë përshtypje mbiemri i saj, për mua i lavdishëm – Buda. 

Zonja që ka mbaruar tre fakultete, tash, kur emisioni shqip i RFI-së është shuar, jeton sa në Francë, aq edhe në Amerikë.

Në aeroport unë e njoha pak, ajo mua aspak. Ndërsa e njohu atë që më shoqëronte mua. Kjo më shkaktoi jo pak inat, të cilin për mirësjellje megjithatë e shtypa brenda vetes.

Shoqëruesen time e kishte takuar aq herë sa edhe mua ! dhe në po të njëjtat vende e në të njëjtët orarë sikurse dhe mua! Të dy herat në takimet kishim qenë bashkë… Tash kjo njeh vetëm atë…

Shovenizëm grash!

Duke zbutur inatin tim, kërkova ndihmën e telefonit duke i lënë ato në foleqeshjet e tyre grarishte-frengjishte.

Vazhdoja të përgatisja shpirtin tim që inatin ndaj këtij injorimi, sidomos frikën nga fluturimi ta mposhtja, sa të jetë e mundur, duke lexuar librin e sapoblerë të filozofit të ri, në botë gjerësisht të njohur, të gjermanit Markus Gabriel, me titull « Pourquoi le monde n’existe pas » (WARUM ES DIE WELT NICHT GIBT).

Gratë flasin, koha e dorëzimit të valixheve vjen. Zonja që peshonte bagazhin, që u ngjiste etiketat valixheve, që furnizonte pasagjerët me biletën numrin e ulëses në aeroplan ndodhi që, rastësi, komplot apo paranojë – kishte qenë serbe !

E unë e mendova për sllovene. Jo, jo ! Qenka taman serbe nga Bajina Bashta, qytet i Serbisë afër Bosnjes. Puna e desh që të ndrronim ndonjë llaf, i cili, çuditërisht, ndoshta edhe jo, po ngrohej mengadalë.

Studjueshëm e shikova drejt në sy. Dhe nxora konkluzionin se kjo zonjë e re nuk mund të ketë asnjë faj për luftërat e serbëve nëpër Ballkan.

Serbianja u qeshka bukur. Dhëmbët i paska të gjithë dhe i paska të vetët. Dhëmbë të bardhë me zmaltin e bardhë që ia tejshquan dhe spikat gjuhën e buzën e kuqe. Qafën e bardhë e kishte mbuluar me një shami të hollë bardh-blu… Kokona serbe.

Mi solli ndërmend ditët e rinisë sime kur sadokudo kalonim mirë me gjysmën (femërore) të Serbisë. Serbeve të asaj kohe aq u bënte pse serbëve fanatikë nuk u pëlqente që femrat e tyre, demek motrat e tyre, të rrijnë, pijnë e nganjëherë edhe të venë në krevat (që të flenë) me shqiptarë. Më duket se kjo simpati-antipati e tillë ka mbetë edhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, bile edhe pas ndryshimeve demokratike në Beograd.

Puna e desh që Milica dy herë të më shtrinte dorën dhe dy herë, duke bërë një piruetë elegante, natyrisht të ushtruar dhe profesionale, të më uronte rrugë të mbarë…

Qebesa, moj Milicë! në vakt timin, ty, në mos me të parën, me të dytën herë s’e kisha lënë pa të rrëzua n’kokërr shpine…

Kërkoj ulësen time 15A. Në 15C gjej Klara Buden! Nga filli i bisedës del konkluzioni se as ajo deri tash nuk ka lexuar asnjë shkronjë të shkrimeve të mia, por as unë as më të shkurtën fjali nga librat e tekstet e saj në prozë e në poezi.

Për fillim muhabeti i tregova se e ksha dashur shumë Aleks Buden dhe se e kisha takuar kur unë isha normalist e kur ai kishte ardhur në Pejë pas mbarimit të Simpoziumit në nder të 500 vjetorit të Skënderbeut të organizuar në Prishtinë. Klara e paimpresionuar nga përshtypjet e mia të asaj kohe, e mbyll shpejt kapitullin tim për historianin duke thënë se ai, sado i zgjuar dhe i shkolluar që padyshim ishte, megjithatë do të kishte qenë më mirë që në vend baba i historiografisë së kohës të kishte qenë disident…

Më pyet dhe e pyes. Ajo, herëpasherë, fjalët e mia sikur nuk do t’i lërë të bijnë në tokë as të shkojnë hava, i merr dhe me një laps të zi, të kondensuara e gjysmë të shifruara i hedh në notesin e saj shumë simpatik. Unë nuk shënova asgjë, ama memorizova shumë gjera të bisedës sonë të pandërprerë nga Parisi në Lubjanë. Të pandërprerë dhe të zëshme ! Se ishim të zëshëm, se për më tepër kishim qenë edhe të zhurmëshëm, mora vesh nja gjysmë orë para zbritjes kur stjuardesa sllovene ra në gjunj bukvalisht para meje duke më kërkuar falje por edhe duke më lutur me rixha që t’i ulnim pak volumin dialogjeve tona shqiptare, sepse disa nga udhëtarët nuk po i linim të flinin dhe të kredheshin në ëndrrat e tyre qiellore. Volumin e zërit ndoshta e zbritëm pak, po muhabeti nuk u ndal, ngaqë as nuk mund të ndalej në asnjë mënyrë dhe për asnjë çast.

Për mua dhe Klara Budën edhe në aeroplanin tjetër nga Lubjana për në Tiranë, Sahatçiu i Madh i Universit paska pas ndarë një ulëse me numra fqinj. Sa mirë. Na kishin mbetur edhe shumë e shumë gjëra të pathëna. Për librat, filmat, poezitë, gazetarinë, Kosovën në Francë, jetën studentore në socializëm. Për disidencën e disidentët. Të vërtetët e të shpifurit që në fakt ishin të privilegjuarit e regjimeve. Për fëmijët, udhëtimet, autorët e preferuar, për më të bukurën e të gjitha gjuhëve…

Aeroplani i linjës Lubjanë – Tiranë në aeroport zbarkoi dy miq, sado me një stazh modest. Atje Klaran e priste Vigani. Nuk lejuan të merrja taksinë. Më morën në veturën e tyre.

Kur zbrita te Zogu i Zi, shtrënguam duart dhe shkëmbyem falemnder-skapërsenë.

Ndërsa po ngjisja shkallët për tek apartamenti im kujtova rrugën aq të shkurtër dhe i gëzuar për miqësinë e re, falënderova Zotin për shqipen, këtë gjuhë kaq të mrekullishme që na e ka lënë.

Unë tani kam edhe një autor për ta zbuluar. Do të kam qenë me fat ditën e hënë!

Klara ! Selam nga Kosova. Lulet në kopshtin kosovar të shoqes tënde nga Aeroport Roissy i paskan rezistuar dimrit të gjatë e borës së vonë.