Sekretet e Magjisë Martin Camaj

Bukuria dhe magjia e poezisë së Martin Camaj ka kryesisht dy sekrete: thjeshtësinë dhe ngjeshjen.

Në tekstet e tij nuk ka zbukurime, lajle, arabeske – me nji fjalë: nuk ka gja të tepërt. Nuk ka përshkrime të gjata dhe shumëfjalëshe, nuk ka shpjegime llafëshumë, nuk ka metafora tekanjoze, shprehje artificiale, pozime të shtira. Fjalët rrjedhin natyrshëm, thjesht si në kuvendimet e pleqve të urtë.

Hans-Joachim Lanksch

München, Mar 12, 2016 @ 19:27

In memoriam, në njëzetekatërvjetorin e vdekjes (1925 – 12 Mars 1992)

Po ia niimagess me nji konstatim banal: gjuha e shkrimtarit Martin Camaj asht gege. Në nji dokumentar për Martin Camajn autorja e filmit, Juli Krisafi, disa specialistëve ua shtroi pyetjen se pse Martini nuk shkruente në gjuhën e njisueme. Njena e përgjigjeve qe: në Itali dhe Gjermani ai ka kenë larg viseve shqipfolëse dhe nuk e kishte ma lidhjen me gjuhën aktuale shqipe. Ky asht nji nonsens i madh. Në Mynih dhe Lenggries Martin Camaj ka kenë i parapaguem në disa organe të shtypit shqiptar: Zëri i Popullit, Bashkimi, Nëndori, Drita dhe disa gazeta dhe revista rajonale. I lexonte përditë për të ndjekë 1. se çfarë po ndodhte në Shqipni dhe 2. se si ishte gjendja dhe zhvillimi i gjuhës së njisueme. Përveç kësaj rregullisht lexonte dhe letërsinë bashkëkohore të Shqipnisë. Martini e njihte fort mirë gjuhën shqipe me krejt gamën e versioneve, varieteteve dhe të folmeve të saj – prej gjuhës së njisueme deri te idioma e arbreshëve. Ai e përdorte gegnishten veriore kryesisht për dy arsye: 1) ajo ishte idioma e tij e natyrshme, me të asht rritë, në të asht shkollue, në të mendonte dhe ndjente dhe 2) ai kishte para sysh jo vetëm gegnishten por gjuhën shqipe, nji gjuhë të tansishme kombëtare ku njisuemishtja do të përfshinte edhe thesaret e varieteteve të saj dhe ku dy trungjet e saj kryesore, baza toske e gjuhës së njisueme dhe gegnishtja letrare, nuk do të zhvilloheshin ndaras në divergjencë por do të shkriheshin në nji proces të lirë e organik konvergjence. Nuk asht e rastit se gegnishtja e Martin Camajt gjithnji e ma shumë i afrohej gjuhës së njisueme: “nji” bahet “një”, “ishin kanë” bahet “kanë qenë”, “pranveruer” bahet “pranveror” etj.

Gjuha dhe poetika e Martin Camajt nuk mund të ndahen nga njena-tjetra. Gjuha e tij asht nji pjesë konstituive e poezisë dhe prozës së tij, mund të themi edhe se gjuha e tij asht nji koncept i të shkruemit e tij. Gjuha e poezisë camajane asht vetë poezi. Fjalës letrare të Martinit do t’i hiqej fuqia ekspresive dhe magjike po t’i hiqej gegnishtja. Nji gjuhëtar gjerman propozoi që vepra e Martin Camajt të “përkthehej” në gjuhën e njisueme për t’u përhapë ma lehtë. Po të bahej asi përkthimi, do të ishte nji zhveshje, nji zvetënim sikur të këndoheshin kangë popullore shqiptare p.sh. hungarisht a persisht. Jo se gjuha e njisueme s’paska vlera të saj, por Camaj i konceptonte, kompononte dhe shkruente poezitë dhe prozat me fjalët, togfjalëshat, frazeologjizmat e gegnishtes dhe me prozodinë gege, dmth. me zanoret hundore dhe gjatësitë e ndryshme rrokjesh. Me amputimin e tipareve specifike leksikore, frazeologjike, prozodike dhe fonologjike, gjuhës poetike të Camajt në poezi dhe prozë do t’i tretej muzikaliteti dhe tingulli specifik. Për Martin Camajn tingulli ka kenë me randësi të dorës së parë. Ai thoshte vetë se fjala “TINGULL” (dhe vetë tingulli i saj) ishte fjala e tij ma e dashtun. Poezitë e tij janë edhe kompozime tingullore, nji muzikë që duhet pasë para sysh në leximin e tyne.

Bukuria dhe magjia e poezisë së Martin Camaj ka kryesisht dy sekrete: thjeshtësinë (në dukje, si do të thoshte ai vetë) dhe ngjeshjen. Në tekstet e tij nuk ka zbukurime, lajle, arabeske – me nji fjalë: nuk ka gja të tepërt. Nuk ka përshkrime të gjata dhe shumëfjalëshe, nuk ka shpjegime llafëshumë, nuk ka metafora tekanjoze, shprehje artificiale, pozime të shtira. Fjalët rrjedhin natyrshëm, thjesht si në kuvendimet e pleqve të urtë. Përzgjedhja dhe kombinimi i fjalëve, tingujve, imazheve e simboleve përban artin e të shkruemit të Martin Camajt.

Ngjeshja e teksteve, strumbullari i dytë i letërsisë së tij rranjët i ka në traditat e moçme gojore me të cilat rritej Martini i ri. Kangët lirike dhe epike, legjendat, përrallat, trajtat e gjata e të shkurta traditash gojore na vijnë nga kohnat e lashta, nga nji botë pa shkrim ku tekstet duheshin mbajtun mend përmendsh, kështu që s’kanë kenë me vend pispillosje të panevojshme, të udhës ka kenë dendësimi, përqëndrimi në thelbin, në esencën. Këtë strukturë e përvetësonte Martin Camaj në poezinë e tij. Kjo poezi nuk asht as përshkruese dhe as narrative por përdor imazhe dhe simbole, për këtë ajo shpesh quhet “hermetike” – sidomos nga lexues joshqiptarë. Në këtë mes flitet shumë për ndikimin e Camajt nga Giuseppe Ungaretti: “Ungaretti ka kenë profesori i Camajt në Romë, Ungaretti ka kenë poet hermetist, Camaj asht poet hermetik, prandej: Camaj asht i ndikuem prej Ungaretti-t.” Ky asht nji silogjizëm sikur të thonim: kali ec mbi tokën dhe ka veshë, njeriu ec mbi tokën dhe ka veshë, prandej: njeriu asht kalë…. Hermetizmi i Martin Camajt bazohet në thesarin e lashtë traditash gojore shqiptare. Kur jetonte dhe studionte në Romë ai njihej me poezinë e hermetistëve italianë dhe autorëve të tjerë modernë europianë, Camaj ndjente nji afinitet me këto forma të dendësueme poetike dhe thurte poezi tue zbatue strukturat e ngjeshuna të thesarit të lashtë gojor të popullit. Me këto struktura të lashta Martin Camaj krijonte poezi moderne, dendësimi eliptik e ban moderne poezinë e tij.

Poezia e Martin Camaj, kësisoj asht nji simbiozë e modernës me arkaiken.

Botohet për herë të parë në klarabudapost

Ribotohet nga KULT PLUS